Home | Literature | Viktima e parë e dorëshkrimit të tradhëtuar

Viktima e parë e dorëshkrimit të tradhëtuar

image
Përgjithmonë…, në qoftë se nuk do të ekzistonte tradhtia, por ajo është njerëzore dhe njeriu tradhtohet përherë nga të tijtë. 
 
 

 
 
 
Nga Agim Hamiti
 
 
 
 
 
―Trishtimi që na shkaktojnë gabimet
tona e ka emrin pendesë.‖
Jacques-Bénigne Bossuet
 
 

Përkthyesi me origjinë korçare, i cili kishte shoqëruar disa herë të dërguarit e CIAs në takimet me detektivin e burgosur në kampin e Qafë–Barit, i festonte Krishtlindjet prej disa vjetësh radhazi në Zvicër. Një ditë shefi i CIAs për Evropën e kishte pyetur kureshtar :
— Çfarë të tërheq kaq shumë në atë vend të bukur, që e frekuenton rregullisht ?
— Pasioni për skinë alpine dhe bukuria natyrore, – ishte përgjigjur buzagaz përkthyesi.
Ai e kaloi në heshtje arsyen e tretë, më të rëndësishmen, që e bënte Zvicrën vendin e zemrës së tij.
Përkthyesi kishte qenë adoleshent, kur i ati e kishte ftuar për herë të parë t’i kalonin bashkë festat e fundvitit në Zvicër. Ai e kishte pritur me kënaqësi ftesën. Megjithëse adoleshent, ai kishte mësuar t’i përdorte mirë skitë dhe dëshironte t’ia kalonte të atit në shpejtësi.
Në Zvicër kishin zhvilluar shumë gara bashkë, por djaloshi vetëm dy kishte fituar. Atje babai i kishte folur me pasion për dobinë shëndetësore të skive :
— Skitë janë sporti më i shëndetshëm për njeriun. Të gjitha pjesët e trupit janë në lëvizje dhe të gjitha organet në veprimtari të plotë në mes të një ajri të pastër e të freskët. Kjo është gostia më e mirë që njeriu mund t’i bëjë falas organizmit.
Një ditë ai e kishte çuar të birin përballë një fshati të bukur alpin. Atje i kishte thënë:
— Unë dua të prehem pak; ti mund të vazhdosh të bësh ski vetëm.
Djaloshi kishte bërë edhe disa xhiro me ski, pastaj kishte shkuar e ishte ulur pranë të atit. I fundosur në një heshtje të thellë, ky po e endte shikimin mbi çatitë e pjerrëta të fshatit përballë. Për të mos ta shqetësuar, i biri nuk e theu heshtjen. Por, pas disa minutash, këtë e bëri vetë babai:
— Ti nuk e gjen dot me mend, bir, pse është burim emocionesh për mua soditja e këtij fshati. Nuk ke faj, se ishe fare i vogël, kur ne u arratisëm nga Shqipëria. Me përjashtim të komoditetit, pamja e këtij fshati është pothuajse identike me atë të fshatit tonë në Korçë. Kur e kam parë për herë të parë, më ka rrahur zemra, sikur donte të dilte nga kraharori. Padashur më shkuan lot. Përpiqesha të imagjinoja pozicionin e shtëpisë sonë… Shtëpia jonë! Sigurimi do ta ketë rrafshuar, për të nxjerrë inatin e arratisjes sonë. Megjithatë, sikur të më jepej rasti ta ledhatoja myshkun e themeleve të asaj shtëpie, do të ripërtërihesha.

Në qoftë se nuk do të kem fat të kthehem i gjallë në vendin tim, dëshira ime do të ishte ta dorëzoja shpirtin përballë këtij fshati. Kur të jem nisur për udhën pa kthim, sillëm këtu. Vdekja në dhé të huaj do të jetë më pak e sikletshme për mua, duke m’u fikur shikimi me këtë pamje në sy.
Vdekja e babait qe e papritur. Djali ndodhej larg dhe nuk e respektoi dot amanetin. Por qysh atëherë ai vendosi t’i festonte Krishtlindjet në atë fshat të Zvicrës. Çdo 24 dhjetor, ai rrinte një orë tek vendi ku kishte qenë ulur për herë të parë me babanë, përballë fshatit të adhuruar, duke dëgjuar këngë e melodi korçare të regjistruara në magnetofonin e të atit. I dukej se ato i dëgjonte dhe babai. Atje linte gjithmonë një buqetë lulesh. Kujtimet e turbullonin, por festa bëhej më kuptimplote për përkthyesin, veçanërisht pasi kishte shkelur sërish tokën amtare.
 
*
 
Ai shkoi në Zvicër edhe për Krishtlindjet e vitit 1991. Kur u kthye në SHBA, përkthyesi kishte edhe katër ditë pushim akoma. Mirëpo të pasnesërmen shefi i seksionit evropian të CIAs e thirri në zyrë.
«Do të ketë lindur nevoja e ndonjë përkthimi», mendoi me vete, duke shtuar shpejtësinë e veturës.
Eprori që e kishte thirrur shoqërohej prej sekretares. Shef i seksionit evropian të CIAs i ra drejt problemit :
— Duke filluar nga 1 janari 1992, ju jeni i përjashtuar nga radhët e CIAs. Vendimi është marrë prej Drejtorisë Qendrore.
E buzëqeshur, sekretarja i zgjati zarfin e likuidimit financiar me Agjencinë.
Ai mori zarfin, falënderoi dhe doli prej territorit të supervëzhguar, për të mos hyrë më kurrë atje.
 
*
 
Përjashtimi i përkthyesit me origjinë korçare prej radhëve të CIAs e dëshpëroi Streton. Ai e vlerësonte veten shqiptar dhe kishte qenë një person shumë i dobishëm për Streton. Vizitat e tyre të përbashkëta pranë Melit në kampin e Qafë-Barit e kishin forcuar miqësinë midis tyre. Megjithëse edhe Streto e njihte mirë anglishten, ata të dy kishin folur gjithmonë shqip, kur ishin vetëm. Prandaj edhe bisedat midis tyre ishin zhvilluar më liberale, nga sa parashikonin normat e shërbimit sekret. Për shembull, Streto ishte i bindur se diskutimi i përkthyesit me origjinë korçare rreth qindëshes shqiptare, kishte qenë një dekonspirim sekreti në mirëbesim midis shqiptarësh. Të tre bashkëbiseduesit ishin profesionistë me përvojë dhe e dinin se këto biseda konfidenciale do të mbeteshin sekrete midis tyre përgjithmonë.
Përgjithmonë…, në qoftë se nuk do të ekzistonte tradhtia, por ajo është njerëzore dhe njeriu tradhtohet përherë nga të tijtë. Dorëshkrimi i Diksit tashmë ndodhej në duart e ekspertëve të CIAs dhe atje ata kishin ç’të qëmtonin.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00