Latest News
Në dhe të huaj
— Po. A duhet t’i përshtatemi jetës perëndimore, apo jo? — Patjetër. Kur ke ikur nga Shqipëria? — Para nëntë muajsh. Kam qenë ndër të parët që kalova kufirin pas përmbysjes teatrale të komunizmit tek ne.
Nga Agim Hamiti
―Një komb që rrit fëmijë, të cilët
largohen prej tij për të mos i bërë
lëshime padrejtësisë, është më i madh
në saje të atyre që ikin, sesa të atyre
që mbeten aty.‖
Alain Ganivet
Pas lirimit të papritur, Meli ndenji vetëm dy ditë në Gjirokastër. Nëpërmjet një personi besnik, ai e vuri në dijeni Diksin, se do të largohej nga Shqipëria. Për disa arsye që nuk ia shpjegonte dot, ish-detektivi nuk e priste dot shokun e tij në Gjirokastër. Ndërkohë ai i rekomandonte Diksit që të dilte jashtë shtetit, ku Meli do ta takonte në rastin më të volitshëm.
Diksi kishte vendosur të shkonte në Athinë, për të parë varrin e babait. Kërkesa e Melit e detyroi ta shpejtonte nisjen. Për këtë qëllim ai bleu një vizë njëmujore për në Greqi tek një gazetar shqiptar. Diksi do ta kalonte për herë të parë kufirin shtetëror i nisur nga qyteti i lindjes së diktatorit Hoxha dhe Melit. Kjo koiçidencë i frymëzoi një ndjenjë të çuditshme.
*
Diksi u zgjua herët, për të marrë autobusin e parë që nisej nga qyteti i Gjirokastrës për në Kakavijë. Qindra persona me viza të rregullta apo të falsifikuara tentonin të kalonin kufirin shqiptar, i cili kishte qenë deri atëherë mollë e ndaluar. Trafiku i klandestinëve, i lëndëve narkotike, i fëmijëve dhe i veprave të artit po konsolidohej.
Me të zbritur prej autobusit në Kakavijë, Diksi e përqendroi shikimin mbi klonin, që kishte mbajtur të burgosur një popull të tërë për disa dekada. Forma e posaçme e gardhit me tela gjembash mbi tri metra të lartë linte të kuptohej qartë, se diktatura e kishte ndërtuar atë për të penguar arratisjen e shqiptarëve, jo kalimin e të huajve në Shqipëri. Kjo perde e hekurt e kishte izoluar Shqipërinë nga bota për 47 vjet. Sa ëndrra shqiptarësh ishin grisur në ata gjemba telash, në tentativë për të fituar lirinë e mohuar! Sipas informacioneve të fundit të shtypit, rojet kufitare kishin vrarë 826 persona shkelës kufiri. Mijëra të tjerë ishin kapur, torturuar e dorëzuar Sigurimit. Dënimi i tyre shkonte nga 15 vjet burg deri në pushkatim për tradhti ndaj atdheut. Tradhtari i vërtetë i atdheut – diktatori Hoxha – dënonte viktimat e tij për krimet që kryente vetë.
Pa i shkëputur sytë prej klonit (sa herë ishte lakuar ky emër në burg!), Diksi kaloi kufirin. Një polic grek i tregoi zyrën ku duhej të merrte vulën e doganës për hyrjen në tokën e huaj.
Një radhë e gjatë kamionësh, furgonësh dhe veturash prisnin kontrollin e
doganës greke, për të hyrë në Shqipëri. Ndonëse nuk kishte shkuar ora dhjetë, vapa të merrte frymën.
Dogana greke e kishte ndërprerë punën për shkak të një incidenti. Shoferi i një kamioni shqiptar kishte refuzuar të shkarkonte gjithë lavatriçet e ngarkuara, me qëllim që doganierët grekë t’i kontrollonin një për një. Ai kishte shkarkuar vetëm gjysmat dhe i ishte lutur policisë greke t’i kontrollonte në kamion pjesën tjetër të lavatriçeve. Një doganier grek kishte shtyrë prej karrocerisë së makinës direkt në xhade një lavatriçe, e cila ishte dëmtuar. I indinjuar prej këtij gjesti brutal, shoferi shqiptar kishte protestuar ashpër. Policët grekë e kishin arrestuar dhe izoluar në një dhomë të doganës, ku po i bënin hetuesinë. Lavatriçet e shkarkuara kishin bllokuar rrugën.
Shoferët e autobusëve me destinacion qytete të ndryshme të Greqisë u bënin thirrje pasagjerëve për të blerë bileta. Diksi bleu një për në Athinë. Autobusi nisej në orën 11. Për të kaluar kohën në pritje të nisjes së autobusit, Diksi filloi të vëzhgonte rreshtin e gjatë të kamionëve e veturave. Ata e kishin zënë radhën qysh në mes të natës.
Të lodhur prej udhëtimit, nga pritja e gjatë dhe nxehtësia, shoferët dhe pasagjerët përpiqeshin të gjenin një vend me hije për të fjetur ndopak. Mirëpo territori ishte i zhveshur dhe ata detyroheshin të shtriheshin poshtë kamionëve. Nënat kujdeseshin për fëmijët e shqetësuar nga vapa, të cilët kërkonin ujë herë pas here.
Para një dyqani pijesh freskuese, ndanë të doganës, rreshti i njerëzve në pritje për të blerë diçka vinte duke u zgjatur. Një çift të moshuarish, të mposhtur nga lodhja dhe etja, dolën nga radha dhe u ulën përtokë. Plaku çehreverdhë u shtri dhe mbështeti kokën në prehrin e së shoqes, e cila e mbronte prej rrezeve të diellit me një gazetë. Ai po i bënte shenjë pareshtur, se nuk duronte dot pa e njomur buzën me pak ujë. Sytë e përlotur të gruas së moshuar u luteshin për ndihmë njerëzve që arrinin të blinin ndonjë shishe ujë. Por kujt mund t’i kërkonte ndihmë në mes të asaj rrëmuje, ku nuk njihte asnjeri dhe askush nuk ia hidhte sytë?
Diksi shkoi tek ajo, nxori një shishe ujë nga çante dhe e ndihmoi gruan që t’i jepte të shoqit për të pirë. Mandej ajo piu edhe për vete dhe, e emocionuar, i puthi duart Diksit për t’i shprehur mirënjohjen e thellë.
*
— Sazan, po ti nga mbive këtu, miku im? e përshëndeti papritur një burrë duke dalë nga radha para dyqanit të pijeve.
Diksi u kthye nga ai që i foli dhe njohu një ish-bashkëvuajtës të Spaçit të para 15 vjetësh. Nuk dihej pse të burgosurit atëherë e thërrisnin me emrin Sobek, megjithëse ai nuk quhej kështu.
— Në qoftë se nuk gabohem, ti je Sobeku, apo jo? e pyeti Diksi, duke u takuar me të.
22
— Nuk gabohesh kollaj ti, jo, – ia ktheu ish-bashkëvuajtësi, duke e shtrënguar në krahë. – Po shkon në Greqi, apo po kthehesh nga Greqia? – u interesua ai pastaj.
— Po nisem për në Athinë.
— E mbarë të të bëhet! Unë nga Athina vij. Jam në radhë qysh në orën tre të natës dhe kam akoma edhe tetëdhjetë kamionë e vetura para simes.
— Paske blerë veturë? e pyeti Diksi duke qeshur.
— Po. A duhet t’i përshtatemi jetës perëndimore, apo jo?
— Patjetër. Kur ke ikur nga Shqipëria?
— Para nëntë muajsh. Kam qenë ndër të parët që kalova kufirin pas përmbysjes teatrale të komunizmit tek ne.
— Ke siguruar ndonjë vend pune të mirë në Greqi?
— Akoma jo; punoj me hope. Së afërmi shpresoj të siguroj një punë stabël. Po ti, Sazan, ke ndërmend të vendosesh përgjithmonë në Greqi?
— Është herët të mendoj për këtë çështje, Sobek. Unë sapo kam shkelur në tokën greke. Në orën njëmbëdhjetë nisem për në Athinë.
— Po ora është dymbëdhjetë pa njëzetë, – tha duke u shkrehur së qeshuri Sobeku.
— Do të tallesh ti? ia ktheu Diksi duke shikuar orën e tij.
— Jemi në Greqi, Sazan, jo në Shqipëri. Duhen shtyrë 60 minuta përpara akrepat e orës tënde.
— Por unë biletën e kam blerë për në orën njëmbëdhjetë…, tha i shqetësuar Diksi.
— Mos u bëj merak; gjë që rregullohet. Eja të vemi të takojmë shoferin e autobusit që niset për në Athinë në orën dymbëdhjetë. Besoj se ai do të pranojë të udhëtosh me këtë biletë.
Falë ndërhyrjes energjike të Sobekut, i cili kishte mësuar të fliste greqisht, shoferi i autobusit të mesditës pranoi ta merrte Diksin me një kusht: në qoftë se të gjitha sedilet do të ishin të zëna, ai duhej të qëndronte në këmbë.
Për fat të mirë autobusi u nis me disa vende bosh. Sobeku i dha numrin e celularit të tij Diksit dhe i premtoi se do të interesohej ta takonte, kur të kthehej përsëri në Athinë.
Disa kilometra larg Kakavijës, në mes të një zone të pyllëzuar, katër të rinj dolën ndanë të rrugës dhe i bënë shenjë shoferit. Ky ndaloi autobusin dhe katër klandestinët shqiptarë, të cilët e kishin kaluar kufirin në një zonë malore larg doganës, u futën brenda. Secili prej tyre i dha një shumë lekësh fatorinos dhe u ulën në vendet bosh. Njëri prej tyre u ul pranë Diksit. Gjatë rrugës ai i shpjegoi se ishte hera e dytë që ata të katër udhëtonin në këtë mënyrë, duke i paguar dyfishin e vlerës së biletës fatorinos.
Fragment nga " ODISEJA E NJË DETEKTIVI 2"
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment