Latest News
Dimër
«Ju kërkoj ndjesë për telashet serioze që ju krijoi tradhtia e dorëshkrimit, por edhe kjo është pjesë e luftës sonë», qe mesazhi që u adresoi autori i dorëshkrimit miqve të tij.
Nga Agim Hamiti
―Arsyeja e më të fortit imponohet.‖
Jean de La Fontaine
Një ditë të bukur marsi të vitit 1992, në prag të nisjes së tij për në Shqipëri, Streto po dëgjonte edhe një herë dialogun e ish-nuses së tij me Dofenin. Ndodhej në një lulishte të kuartierit të përgjithshëm të CIAs, Langley, në Washington. Megjithë përvojën e tij të madhe për të mos u bërë pré e ndjenjave, Streto po ndiente një shtrëngim në zemër duke dëgjuar zërin drithërues të asaj me të cilën kishte vënë kurorë dhe që vazhdonte ta deklaronte pa mëdyshje dashurinë e fuqishme ndaj tij. Sikur të mos kishte qenë vetë autori i atij incizimi në rrethana të jashtëzakonshme, Streto nuk do ta kishte besuar, se ai s’ishte i parapërgatitur qëllimisht për të.
Kushtet në të cilat ishte realizuar ajo martesë me recetë do ta përligjnin plotësisht edhe një dashuri fasadë të nuses së re ndaj bashkëshortit të rekomanduar nga kupola e pushtetit diktatorial. Por realiteti konfirmonte të kundërtën. Megjithëse ish-bashkëshortja e kishte humbur përfundimisht Streton, ajo jetonte në saje të kujtimeve të tij.
Kur dialogu i incizuar mbaroi, Streto vendosi në vetvete :
«Kur të shkoj në Tiranë, do të bëj ç’është e mundur ta shikoj patjetër nga afër.»
Nën efektin e shprehjes së ndjenjave të ngrohta ndaj tij prej nuses së dikurshme, Streto buzëqeshi. U çua në këmbë dhe filloi të bënte shëtitje të shkurtra me duar pas shpine. Pas pak i tingëlloi celulari. Shefi i seksionit ballkanik të CIAs e thërriste në zyrë.
«Si duket, do të më japë instruksionet e fundit, para se të nisem për në Shqipëri», mendoi Streto.
Shefi ishte vetëm në zyrë. Me të hyrë Streto, ai i tha buzagaz :
— Misioni juaj në Tiranë është anuluar; do t’ju zëvendësojë një koleg tjetër. Së shpejti, ju do të niseni gjetkë.
Megjithëse u befasua, Streto e priti i qetë në pamje e i buzëqeshur komunikimin e vendimit prej shefit. Në brendësi ajo i kujtoi pushimin e befasishëm nga puna të mikut të tij – përkthyesit me origjinë korçare. Ai e falënderoi eprorin dhe doli.
«Të shikojmë ç’do bëhet më tej», tha me vete.
*
Streton e zëvendësoi në atë mision njëri prej dy detektivëve shqiptarë, që u arratisën nga Shqipëria bashkë me robin amerikan më 1984. Kjo e lehtësoi disi shpirtërisht.
«Gjithsesi një bashkëluftëtar i grupit tonë do të shkojë në Shqipëri, të paktën», ngushëlloi veten Streto.
Grupi i tyre … A ekzistonte më në realitet ai?
CIA e kishte shpërbërë atë, duke i aktivizuar në fronte të ndryshme të shërbimit sekret pjesëtarët e Komplotit të Tiranës, siç figuronte në dokumentacionin e saj. Duke punuar e jetuar përgjithësisht të ndarë prej njëri-tjetrit, ata nuk përbënin më një grup. Dhe ç’ishte më e dhimbshme, ata nuk kishin më të drejtë as ta përmendnin ekzistencën e dikurshme të grupit.
Në maj të vitit 1984 CIA i kishte dekoruar pjesëtarët e grupit të Stretos, për një veprimtari që aktualisht binte ndesh me projektet amerikane për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. E kaluara e tyre e afërt ishte e papajtueshme me të sotmen. Prandaj ata duhej ta harronin atë të kaluar, për të mos i krijuar probleme vetes…
Qysh gjatë muajit të parë të qëndrimit të tyre në Amerikë, të dekoruarit e ish-grupit e kishin kuptuar, se kontaktet e tyre me Kobrën nuk i pëlqenin CIAs. Ndërsa në fillim të viteve nëntëdhjetë Streto dhe të tjerët po suportonin një ftohtësi të pashpjegueshme të CIAs. Dorëshkrimi i tradhtuar, i cili në realitet nuk duhej të publikohej pa kaluar të 15 vjetët, ishte shkaku kryesor i kësaj ftohtësie të përzier me dyshim. Edhe dy ish-robërit amerikanë të DSJsë, të cilët u detyroheshin me jetën shokëve të Stretos, tani u flisnin me maja të buzëve kur takoheshin në ambientet e CIAs.
Diksi u dëshpërua kur mësoi pasojat e dekonspirimit të përmbajtjes së dorëshkrimit të tij.
«Ju kërkoj ndjesë për telashet serioze që ju krijoi tradhtia e dorëshkrimit, por edhe kjo është pjesë e luftës sonë», qe mesazhi që u adresoi autori i dorëshkrimit miqve të tij.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment