Latest News
Bisedë me poetin, gazetarin dhe studiuesin Ilir Shyta
Një miku im kritik letrar e përcakton poezinë time elitare. Po e perifrazoj në ligjëratë të drejtë mendimin e tij. “Poezia e Ilir Shytës nuk është akullore që ta lëpish shpejt e shpejt. Ta shijosh atë duhet kohë...!”
Intervistoi: Bujar Plloshtani
Z. Shyta, ç’mund të na thoni për krijimtarinë tuaj poetike?
Krijimtaria ime poetike nis rrugetimin e saj diku në shkollën 8-vjeçare të qytetit. Më tej stacione të tjera kanë qenë vitet e shkollës së mesme po në Pogradec dhe ato universitare në Tiranë. Poezitë mbesnin të shkruara në fletoret me kutia 4 lekëshe atëherë. Nuk e di po më së shumti kam dashur që vargjet t’i hidhja fletoresh me kutia. Për herë të parë vjershat e mia kanë ndjerë duar dhe sy lexuesish në gazetën “Zëri i rinisë”. Mund të them që duhej “mik” i fortë të botoje ato vitesh në këtë organ jo vetëm letrar edhe pse poezitë e mia ishin cilësuar të pranueshme nga redaksia. Bëhej fjalë vetëm për dy poezi, sepse hapësira e faqes poetike ishte edhe për shumë krijues të tjerë. Kaq ishte luks. Gjithsesi gëzimi im ka qenë i papërshkrueshëm për atë botim. Vite më vonë pas rënies së diktaturës munda të botoj poezi edhe në gazetën letrare “Drita”, por gëzimi im nuk ka qenë sa ai te “Zëri i rinisë”. Më pas erdhën librat e mi me poezi. I pari botohet më 1997 dhe titullohej “...kur çmendej Dea!”, ndërsa i dyti “Trill vjeshte” u publikua në vitin 1999. Një miku im kritik letrar e përcakton poezinë time elitare. Po e perifrazoj në ligjëratë të drejtë mendimin e tij. “Poezia e Ilir Shytës nuk është akullore që ta lëpish shpejt e shpejt. Ta shijosh atë duhet kohë...!” Tirazhet e librave tim tashmë kanë mbaruar dhe ndjehem disi me fat që lexuesi i ka pranuar për t’i pasur pjesë e bibliotekës personale në shtëpinë e tij. Gjithësesi, mund të them që krijimtaria ime poetike ka në fletët rezervat të saj edhe poezi të tjera që ende s’janë botuar. Me kohë dhe pa kohë, diç zhgaravis për ta përmbledhur në një botim të tretë. Me së shumti janë poezi për vjeshtën e tretë të stinës, atë vjeshtë tmerrësisht të verdhë që vdes përdhe nën shputat tona të ashpra...
Ju jeni Pedagog i Letërsisë në Universitetin e Korçës. Çfarë sfidash ndjek Letërsia Shqiptare kohërat e fundit?
Letërsia e sotme shqipe kohët e fundit vijon sfidën e saj me atë të publikuar pra viteve ’90 të shekullit të XX. Aktualisht ajo ka një konvencion të ri poetik si pjesë divorci nga socrealizmi shpërfytyrues. Poezia dhe proza e avangardës është duke skicuar portretin e letërsisë sonë. Ky lloj zhvillimi preket edhe në ligjëratat e mia, me studentët në auditor. Unë në Universitetin e Korçës jap lëndën e letërsisë bashkëkohore shqipe dhe atë të estetikës. Ndjehem mirë në botën akademike, ku sigurisht ka vite që investoj me shkrime, artikuj dhe studime letrare. Përmend këtu qasjet letrare në veprën e Nolit dhe Kamysë apo bibliografinë e arsyetuar për veprën e Lasgushit.
A ka ndikim politika tek arsimi sipëror? Cilat janë pasojat e mundshme?
Politika duket se ka mbetur jashtë derës së arsimit universitar. Ambinentet tona kanë liri akademike. Nuk ndodh emërim dhe çemërim në emër të partisë në pushtet apo militantizmit të saj, sikurse ndodh në arsimin parauniversitar. Nuk mendoj se ka pasoja për të ardhmën, përkundër arsimi i lartë në Shqipëri është zë i fortë intelektual me rrjedhje politike të vogla, majtas dhe djathtas. Gjithsesi, si në çdo instititucion që punëdhënës ka Ministrinë e arsimit, politikat rekrutuese të elementit të ri mësimdhënës apo administrimit buxhetor varen nga parametrat që përcakton politika shtetërore.
Dëgjojmë zëra se jeni përkushtuar të zgjeroni njohuritë mbi letërsinë duke gjurmuar mbi temën e doktoraturës. Çfarë mund të na thoni diç më tepër?
Doktoratura në letërsi është sfida ime e radhës, të cilën dua ta përmbyll me sukses, si kundër të gjitha gradimet e tjera që kam arritur në këtë fushë. Në qendër të saj janë teoritë receptive në letërsi. Kam mbetur sërish të Lasgush Poradeci dhe po merrem me lexuesin eksplicit dhe implicit të veprës së tij në vite. Me një fjalë po gjurmoj lexuesin e thjeshtë të saj dhe atë të specializuar. Në fakt studime të tilla të mirfillta për autorë të letrave shqipe janë të pakta. Mendoj që dizertacioni im do të jetë një zë i dobishëm në këtë drejtim... Falënderimi im i shkon me këtë rast arkitektes së punimit tim, udhëheqëses sime Prof. as.dr. në letërsi, zonjës së mençur Dhurata Shehri. Shumë shpejt, pas mbrojtjes në Fakultetin Filologjik, konkretisht në Departamentin e Letërsisë së Universitetit shtetëror të Tiranës, punimin tim do e botoj për të qenë pjesë e studimeve të letërsisë shqipe.
Planet dhe motoja e Ilir Shytës?
Eh...! Planet e mia janë të shumta, megjithëse nuk duhen bërë shumë të tilla. Thonë që tallet Zoti pastaj... Megjithatë po guxoj të flas. Meqë unë e ndaj dit’natën time edhe në fushën e gazetarisë ku jam i angazhuar part - time, si Drejtor Informacioni në televizonin rajonal Sot7 të qarkut të Korçës, me qendër në Pogradec, kam plane edhe në këtë fushë mediatike. Në ëndërrat e mia flë një spektakël televiziv shumë i veçantë, i pandodhur në ekranin shqiptar... Pres të botoj një libër me 31 intervista televizive me vipa të politikës dhe artit shqiptar, që i kam realizuar në formatin tim televiziv “Infoftesë”. Përpjekjet për të fituar titullin akademik profesor i asociuar, pas marrjes së gradës doktor... dhe sigurisht surprizave që më ka rezervuar fati në aspektin afeksional, se jemi qenie njerëzore që dhurojmë dhe duam të marrim dashuri... Motoja ime është të ec përpara në rrugëtimin tim jetësor. Mundohem me gurët, që ndonjëherë më hedhin këmbëve të ekzitencës sime, të ndërtoj themele më të forta në narcisizmin tim profesional. Unë jam, pra ekzistoj, në këtë realitet, duke mos qenë një zë anonim edhe pse prezenca e personit publik më lodh shpesh e më shpesh...
Faleminderit!
*Ilir Shyta është Pedagog i Letërsisë Bashkëkohore në Universitetin “Fan Noli” të Korçës. Ka botuar “...kur çmendej Dea!” poezi 1997; “Trill vjeshte” poezi 1999; “ E vërteta bën keq në zemër!” sprovë letrare 2006; “Bibliografi e arsyetuar për jetën dhe veprën e Lasgush Poradecit” Studim 2009.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment