Home | Literature | * * *

* * *

image
Muaji i mjaltit në Sardenjë qe dehës për çiftin e ri. Ishin ditët e para të një gushti të nxehtë. Uji i pastër i detit kufizonte nxehtësinë e kohës, por jo afshin e dashurisë së tyre.
 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti 
 
 
 
 
MARTESA E DYTË PËR TË DY


―Martesa është si shartimi : mund të
zërë, mund të mos zërë.‖
Victor Hygo



E bukur si gjithmonë, Rozana e veshur me fustanin e bardhë i buzëqeshte Melit e kënaqur. Ajo ngjante dhjetë vjet më e re. Të gjitha punonjëset e sallonit të saj të bukurisë ishin okupuar me flokët e Rozanës, që i jepnin një pamje të freskët fytyrës së saj.
Melit i ra në sy bukuria e ripërtërirë e dashnores që po bëhej nusja e tij. Kostumi blu i errët e vinte më tepër në dukje pamjen serioze të fytyrës brune të ish-detektivit. Meli gjithashtu i buzëqeshi Rozanës, duke i shtrënguar duart në dorashkat e bardha të kostumit simbolik. Atij nuk i pëlqente ceremonia fetare, por Rozana kishte këmbëngulur në këtë pikë :
— Unë e kam tradhtuar të ndjerin burrin tim të parë dhe dua që Zoti të ma falë mëkatin, duke u martuar në kishë me dashnorin tim.
Megjithëse ish-detektivi kishte pasur një mori marrëdhëniesh dashurore në të kaluarën, ai e donte shumë Rozanën dhe bënte kujdes të mos ia lëndonte ndjenjat. Në emër të dashurisë, Meli kishte pranuar t’i nënshtrohej ceremonisë fetare. Për çudinë e tij, jo vetëm që kjo ceremoni e shkurtër nuk po e bezdiste, por po i dukej interesante. Me instinktin e gruas së dashuruar, Rozana e diktoi kënaqësinë që po ndiente i dashuri dhe kjo ia shumëfishoi gëzimin. Ky ishte një ogur i mirë për jetën e ardhshme bashkëshortore.
*
Muaji i mjaltit në Sardenjë qe dehës për çiftin e ri. Ishin ditët e para të një gushti të nxehtë. Uji i pastër i detit kufizonte nxehtësinë e kohës, por jo afshin e dashurisë së tyre. Ata formonin një çift që nuk do të kishte fëmijë. Mungesa e të ardhmes afatgjatë të bashkimit të tyre i nxiste të jetonin me intensitet të tanishmen. Vetëm çasti kishte kuptim për ta.
Ata dëshironin të kishin jetëgjatësi të barabartë, me qëllim që asnjëri prej tyre të mos mbetej vetëm. Pleqëria e secilit prej tyre, në mungesë të tjetrit, do të ishte një udhëtim i mundimshëm në ftohtësinë e vetmisë drejt një fundi të trishtuar. Por pleqëria ishte ende larg dhe ata nuk donin ta çonin mendjen atje. Donin të përqendroheshin në shijimin e së sotmes.
Ditën e kalonin në plazh. Meli e linte Rozanën në gjumë dhe shkonte në buzë të detit, për të përfituar prej rrezeve të para të diellit. Ai lahej vetëm në ujin e freskët të detit deri në orën nëntë. Mandej shkonte të zgjonte Rozën, e cila flinte pjesërisht zbuluar. Nën efektin e pamjes së saj provokuese, ai e mësynte. Ajo ankohej duke qeshur dhe ëmbëlsisht merrte pjesë në gostinë mëngjesore…

Pastaj bënin dush dhe hanin mëngjesin. Më pas Rozana donte të flinte pak nën rrezet e diellit. Pjesa tjetër e ditës ishte shumë aktive për ta. Arsenali i lojërave fëminore në rërë dhe në ujë pasurohej përditë.
Pas tri javësh, ata e braktisën buzëvarur Sardenjën.

 
 

JETA E ÇIFTIT TË RI
 
 
―Burri pa gruan dhe gruaja pa burrin
janë qenie të pakompletuara në rendin
natyror.‖
Bernardin de Saint-Pierre


Para se të niseshin për në Sardenjë, Rozana ia kishte lënë çelësat e shtëpisë punonjëses që drejtonte aktivitetin e sallonit të bukurisë në mungesë të saj. Me porosi të Rozanës, kolegia ishte interesuar që shtëpia të lyhej jashtë e brenda dhe të ndërroheshin mobiliet e dhomës së gjumit, si edhe pajisjet e kuzhinës. Kangjellat, që rrethonin kopshtin, ishin lyer me bojë jeshile, ndërsa pjesa e poshtme e trungut të pemëve me gëlqere. Ishin ndërruar gjithashtu dy stolat ndanë të shatërvanit të vogël.
Kur u kthyen në shtëpi, çifti i ri e gjeti ambientin të rinovuar. Fotografi të zmadhuara të Rozanës dhe të Melit ishin vendosur në sallon dhe në dhomë të gjumit, ndërkohë që ato të burrit të parë të Rozanës nuk i kishin lëvizur prej vendit. Një dhuratë e bukur me një buqetë lulesh të freskëta në dhomë të gjumit simbolizonte dëshirën e punonjëseve të sallonit të bukurisë, për të ardhmen e çiftit të ri.
Të lodhur prej udhëtimit, Rozana e Meli nuk dolën në qytet ditën e kthimit në Milano. Pasi bënë dush, ata fjetën dy orë. Në mbrëmje shëtitën gjatë në kopsht. Herë llafazanë e herë të heshtur, ata nuk i shpëtuan dot jehonës së kujtimeve të të kaluarës së largët. As njëri e as tjetri nuk e kishte parashikuar një kurorëzim të tillë të marrëdhënieve të kahershme dashurore. Me legalizimin e martesës, aventura e tyre dashurore nuk ekzistonte më. Mosha dhe vuajtjet e justifikonin këtë fazë të re të dashurisë së tyre.
Të nesërmen ata shkuan bashkë tek salloni i bukurisë. Punonjëset e gëzuara i pritën për herë të parë si bashkëshortë. Sapo Rozana e Meli zbritën nga vetura, buzëqeshja e tyre u pasua nga një duartrokitje frenetike e punonjëseve, që u rreshtuan para hyrjes. Ato u takuan si pjesëtarë familjeje me çiftin e ri.


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00