Latest News
* * *
Prindërit jetonin në një shtëpi private të trashëguar. Në saje të biografisë së mirë politike, ata kishin kaluar një jetë të qetë e cilësore nën diktaturë, krahasuar me të tjerët. Për më tepër, regjimi diktatorial i kishte krijuar mundësinë kardiologut pasionant që të specializohej jashtë shtetit.
Agim Hamiti
―Më ngjitëse se murtaja, frika
komunikohet me një të shkelur syri.‖
Nikolai Gogol
Pasi hëngri me një oreks zogu, ai u çua nga trapeza. E shoqja u vrenjt në fytyrë dhe i bëri vërejtjen e zakonshme të ditëve të fundit :
— Ç’është kjo punë kështu me ty, more burrë ? Pse nuk ha, por bën sikur ha? Një mjek i mirë kujdeset për shëndetin e tij në radhë të parë, pastaj për atë të klientëve.
— Ndryshoje një herë avazin, – ia ktheu ai, me një buzëqeshje të sforcuar.
— Kjo mungesë oreksi e papritur nuk është shenjë e mirë për shëndetin tënd, – insistoi ajo. – Ti këshillon pacientët të kujdesen për shëndetin e tyre, ndërkohë që neglizhon tëndin.
— Kush jep këshilla shpesh, harron që t’i zbatojë vetë; ky është një fakt i njohur. Pastaj unë festoj 64 vjetorin e ditëlindjes së afërmi. Helbete, pakësimi i oreksit është edhe pasojë e moshës. Kjo është e natyrshme.
— Nuk është e thënë që duhet të jesh doemos mjek, për të kuptuar se një rënie e menjëhershme e oreksit nuk është dukuri natyrore e moshës.
— Më ka marrë malli për fëmijët, – tentoi të justifikohej ai.
— Atëherë do t’iu telefonoj të vijnë menjëherë. As ata nuk janë dakord që ti të kalosh krizë shëndetësore, për shkak të mungesës së tyre të gjatë.
— Lëri të qetë, gjersa i ndihmoi fati. Një dozë durimi është domosdoshmëri në jetë. Sot fola në telefon me vajzën. Ajo më tha se edhe i vëllai është shumë mirë ; komunikojnë rregullisht me njëri-tjetrin. Kjo më ka qetësuar.
— Tregues i qetësimit tënd është stabilizimi i oreksit.
— Të premtoj se qysh prej ditëlindjes së afërt, do të filloj të ushqehem përsëri si më parë – i dha fjalën ai duke e përqafuar.
*
Gruaja buzëqeshi kur iu kujtua ky dialog, tek po përgatiste darkën e kremtimit të ditëlindjes së bashkëshortit. Duke pasur parasysh faktin që ditët e punës së mjekut ishin të ngarkuara, ata kishin vendosur ta organizonin në mbrëmje ceremoninë e ngushtë familjare.
«Fëmijët do t’i telefonojnë përsëri sot, me rastin e ditëlindjes, dhe ai do të qetësohet edhe më mirë», mendoi gruaja duke gatuar.
Kishin dy fëmijë: vajzë e djalë. Të dy në emigracion. Vajza kishte ikur me të shoqin në Amerikë, ndërsa djali vazhdonte studimet për mjekësi në Itali. Kur ky ishte regjistruar në universitetin La Sapienza të Romës, i ati i kishte thënë me krenari në prani të mamasë:
— Ti do të përfaqësosh brezin e tretë të mjekëve të dalë nga gjiri i familjes sonë.
Prindërit jetonin në një shtëpi private të trashëguar. Në saje të biografisë së mirë politike, ata kishin kaluar një jetë të qetë e cilësore nën diktaturë, krahasuar me të tjerët. Për më tepër, regjimi diktatorial i kishte krijuar mundësinë kardiologut pasionant që të specializohej jashtë shtetit. Më vonë, atë e kishin punësuar në DSJ, si një specialist të përgatitur dhe me biografi të shëndetshme për kohën. Si rrjedhojë, ata familjarisht nuk kishin njohur fare shqetësime në diktaturë, përkundrazi. Ishte kjo arsyeja që gruaja u shqetësua aq shumë nga mungesa e oreksit të bashkëshortit.
Në të vërtet burimi i stresit të theksuar, që po përjetonte mjeku, ishte krejt i panjohur për gruan e tij. Kishte mjaftuar vetëm një pyetje e thjeshtë e një pacienti të rëndësishëm, për t’i vrarë qetësinë kardiologut:
— Doktor, ke pasur rastin ta njohësh Hamit Melin, detektivin më të shquar të DSJsë?
I befasur nga kjo pyetje, kardiologu ishte zverdhur, para se të përgjigjej me zë të dobët:
— Kur unë kam filluar punë në DSJ, Hamit Meli ishte larguar prej andej. Megjithatë kam pasur rastin ta mjekoja një herë në kampin e Qafë-Barit, kur ishte i burgosur.
Me një buzëqeshje skërmitëse, tjetri i kishte shkelur syrin duke i thënë:
— Më duket se e ke vizituar dy herë në Qafë-Bar, jo një herë.
Dhe kishte dalë nga dera pa e përshëndetur.
Mjeku me përvojë, i llastuar nga fati, nuk e kishte imagjinuar dot kurrë më parë, se një pyetje e thjeshtë mund të çekuilibronte një jetë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment