Latest News
* * *
Çfarë drame ! Më duket sikur dorëshkrimi yt do të na ngushëllojë disi për atë që ka ndodhur, prandaj doja ta shikoja qysh sot.
Nga Agim Hamiti
―Mos e zgjuani brengën që fle !‖
Jules Renard
— Në cilin kat e ke dhomën? e pyeti Meli, kur arritën tek hyrja e pallatit.
— Në të nëntin. Do lodhesh pak, se nuk e kanë instaluar akoma ashensorin. Por djersitja i bën mirë mbipeshës tënde.
— Ashtu është. Kur ishim në Qafë-Bari, ti djersije gjithmonë, ndërsa unë rrallë.
— Tani ndodh e kundërta. Unë jam i freskët, ti, ja…
Diksi kaloi gishtin tregues mbi ballin e ish-detektivit, ku shquanin bula djerse.
— Të premtoj se për një muaj do të humbas tre-katër kilogramë.
— Është bast i humbur ky për ty.
— Pse? E paske humbur besimin tek vullneti im?
— Rakia ta dobëson vullnetin ty.
— Mirë, do të shikojmë pas një muaji.
— Do të shikojmë.
Kur mbërritën tek dera e dhomës, Diksi e hapi me çelës dhe ftoi mikun të hynte i pari. Ky nuk pranoi të ulej në karrigen e vetme dhe qëndroi në këmbë në mes të dhomës, duke shikuar me një buzëqeshje të zbehtë komoditetin modest. Pastaj iu afrua dritares dhe e shëtiti shikimin e tij të zymtë mbi vilat e asaj lagjeje të gjelbër të Athinës. Me një zë të thyer, iu drejtua Diksit :
— Gjatë kohës që bashkëpunonim në kampin e Qafë-Barit, si Guri edhe Afrimi më kishin thënë :
«Kur do të ulemi një herë pa maskë në tryezë bashkë me Sazanin, të flasim lirisht, të pimë e të qeshim, pa na përgjuar njeri.»
«Për fat të keq Afrimi nuk e mbijetoi dot luftën e ftohtë kundër Inteligjencë Servisit. Ndërkohë Guri me shumicën e anëtarëve të grupit tonë – përjashto tre të heshturit në DSJ – ndodhen nën komandën e CIAs. Ata sakrifikuan shumë, pa rezultat konkret. Megjithatë fati yt më trishton më tepër se gjithçka. Nuk e kisha imagjinuar dot kurrë, se do të të takoja një ditë në dhé të huaj në kushte të tilla. Më fal, miku im !
Zëri iu drodh dhe ish-detektivi nxitoi të hapte dritaren, për të evituar shikimin e Diksit. Këtij i erdhi keq për dëshpërimin e Melit dhe u përgjigj :
— Nuk je ti shkaktar i fatkeqësisë sime, Hamit, përkundrazi. Ti refuzove ofertën e CIAs, për të mos më braktisur në kampin e Qafë-Barit. Bashkëpunimi i amerikanëve me aleatët e tyre të përhershëm anglezë në dobi të diktatorit tonë, ishte një fatalitet për ne të gjithë. Madjé, për gjithë popullin shqiptar. Megjithatë unë kam bindjen se është më e denjë të jetosh i zhgënjyer, sesa i gënjyer. Në qoftë se ne jemi të pafuqishëm për të mposhtur keqbërësit tanë, le të kemi kurajën t’i përbuzim si deri sot ofertat e tyre, që synojnë të na mbyllin gojën.
38
— Të faleminderit, Sazan. Paskemi pasur vërtet fat të keq shumë. Prej kësaj dritareje unë shikoj vendin ku kam qenë plagosur dikur dhe ku ndjekësi ynë humbi jetën. Dy bashkatdhetarë, dy bashkëqytetarë që vriteshim midis nesh për interesat e të huajve. Ai donte të luftonte diktaturën shqiptare, duke goditur mbi mua me armë greke ; unë mendoja se mbroja interesat dhe prestigjin e vendit tim, duke kryer gjithë ata misione në dobi të anglezëve ! Çfarë drame ! Më duket sikur dorëshkrimi yt do të na ngushëllojë disi për atë që ka ndodhur, prandaj doja ta shikoja qysh sot.
— Ja ku janë blloqet, – i tha Diksi, duke i nxjerrë nga një qeskë poshtë dyshekut.
Kureshtar, ish-detektivi filloi t’i shfletonte, duke përpirë me sy paragrafë të veçantë, që i tërhiqnin vëmendjen. Çehrja i ndryshoi dhe sytë po i ndrisnin tek po lexonte fragmente prej odisesë së tij.
— Do filloj ta lexoj qysh sonte, – i premtoi ai Diksit. – Nesër mos më prit para orës shtatë të darkës në sheshin Omonia. Deri atëherë shpresoj ta kem përfunduar së lexuari dhe mund të diskutojmë konkretisht për të.
Diksi deshi ta shoqëronte deri tek dera e pallatit, por Meli e kundërshtoi :
— Jo, jo, nuk është nevoja të zbresësh me mua. Unë tani nuk jam më vetëm. Përkundrazi, shoqërohem prej një truproje të zgjedhur : gjithë anëtarët e grupit tonë dhe kundërshtarët tanë gjithashtu.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment