Latest News
Ankthi i një takimi
Me kalimin e kohës, takime të tilla u rralluan. Kuadri më i rëndësishëm që ai kishte takuar gjatë tre vjetëve të fundit kishte qenë shefi i seksionit ballkanik të CIAs. Pas një heshtjeje të gjatë, kjo thirrje mbërriti papritur tek Streto më 12 shtator 1993.
Agim Hamiti
―Ne jetojmë në një shekull ku fshehja
e së vërtetës të mbron më mirë sesa ligji
dhe të siguron më shumë se pafajësia.‖
Antoine de Rivarol
Në orën dhjetë, Streto duhej të paraqitej në zyrën e madhe të shefit të seksionit evropian të CIAs. Megjithë përvojën e tij të gjatë në shërbimet sekrete, ai nuk ndihej i qetë si gjithmonë. Thirrje të tilla paralajmëronin vendimmarrje të rëndësishme. Gjatë vitit të parë me shërbim në radhët e CIAs, Streto kishte pasur mjaft kontakte me drejtues të shërbimeve sekrete amerikane. Dy herë, personalisht me Drejtorin e Përgjithshëm të CIAs.
Me kalimin e kohës, takime të tilla u rralluan. Kuadri më i rëndësishëm që ai kishte takuar gjatë tre vjetëve të fundit kishte qenë shefi i seksionit ballkanik të CIAs. Pas një heshtjeje të gjatë, kjo thirrje mbërriti papritur tek Streto më 12 shtator 1993.
«Çfarëdo natyre që të ketë, lajmi që do të mësoj atje do të jetë i rëndësishëm», mendoi Streto duke hyrë në ashensor.
Kjo ide iu përforcua kur gjeti tre persona në zyrën hijerëndë të shefit të seksionit evropian të CIAs. Ky vazhdonte të shfletonte ngadalë një dosje që kishte përpara. Kaluan disa minuta, para se shefi t’i shkëpuste sytë prej dosjes e të merrte fjalën :
— Ne mendojmë t’i bëjmë edhe një herë thirrje Hamit Melit për të ardhur në SHBA. Ka kaluar mjaft kohë qysh kur e kam takuar për herë të fundit në kampin e punës në Shqipëri. Atëherë ai e refuzoi ofertën tonë, për të mos u ndarë me mikun e tij të burgosur. Mirëpo qysh prej dy vjetësh Meli jeton i lirë, jashtë Shqipërisë. Mendojmë se ai tani është qetësuar deridiku dhe mund të marrë një vendim më me përgjegjësi. Nga ana tjetër, ai tashmë ndihet i çliruar prej detyrimeve të dikurshme morale ndaj mikut të tij të burgut, mbasi ata nuk janë më bashkë. Meli jeton në Itali, ndërkohë që Diksi ndodhet në Shqipëri.
«Pavarësisht prej refuzimit të tij në vitin 1984, ne dëshirojmë ta ndihmojmë Melin, mbasi nuk e harrojmë kurrë kontributin e tij të çmuar në dobi të çështjes sonë të përbashkët. Gjendja e tij shëndetësore ka nevojë për një trajtim mjekësor special, gjë që ai nuk e siguron dot në pozitat e një refugjati të thjeshtë. Ju e njihni Melin prej një kohe të gjatë, prandaj opinioni juaj do të jetë i dobishëm për ne : si mendoni ju, a do ta pranonte ai një ofertë të re nga ana jonë ?
Megjithëse Streto ishte nisur për në këtë takim i bindur se bëhej fjalë për një surprizë, ai ndjeu t’i rrihte fort zemra pas pyetjes që i bëri shefi i seksionit evropian të CIAs. Ideja e bashkimit të mundshëm me shokun e tij të armëve e mallëngjeu. Ky lajm i mirë i kishte ardhur në një çast të përshtatshëm.
Qysh prej nëntë vjetësh Streto militonte në radhët e CIAs dhe gjendja e tij
shpirtërore kishte evoluar mjaft. Ai nuk ishte më 35 vjeçari energjik e plot optimizëm i fillimit të bashkëpunimit entuziast me amerikanët. Nuk kishte vonuar dhe besimi e optimizmi ia kishin lëshuar vendin dyshimit e pesimizmit. Pas një periudhe të gjatë veprimtarie në radhët e shërbimeve sekrete amerikane, Streto kujtonte me nostalgji grupin e tij të përbetuar për luftë deri në vdekje kundër diktaturës shqiptare. Një kujtim që e lëndonte.
Bashkëpunimi me CIAn kishte qenë një dështim i synimeve të tyre në planin kombëtar dhe privat. Ndërkohë karriera e vetë Stretos dhe e shokëve të tij ishte tkurrur së tepërmi. Në Shqipëri ai kishte qenë njëri prej personave më të pushtetshëm dhe e ardhmja e karrierës së tij politike kishte qenë e shkëlqyer, ndërkohë që diktatori nuk ishte më në gjendje për të mbajtur në duar frenat e pushtetit. Streto e kishte përbuzur atë pushtet antishqiptar. Mirëpo në radhët e CIAs ai dhe shokët e tij ishin kuadro modeste, të dyshimtë, të survejuar, që duhej të përballonin të panjohurën.
I deboluar prej pesimizmit, Streto mezi priste të kishte pranë një mik të sprovuar si Meli, për t’i hapur zemrën e mbufatur prej brengave. Kush, më shumë se Meli, do të ishte balsam i shpirtit të tij në atë periudhë depresioni? Ata të dy kishin qenë bashkryetarë të grupit komplotist të shpërndarë tashmë në radhët e CIAs e të vënë nën kontroll të rreptë prej saj. Streto e ndiente se dy zemra të lënduara prej së njëjtës brengë mund ta qetësojnë reciprokisht njëra-tjetrën.
*
Shefi i seksionit evropian të CIAs dhe kolegët e tij e kishin parashikuar efektin që do të bënte tek Streto diskutimi i papritur i këtij problemi. Duke e shikuar të menduar, ata synonin të dallonin ndonjë shenjë reaksioni emocional mbi fytyrën e tij. Dhe ashtu ndodhi. Një valë e brendshme gëzimi i ndriçoi fytyrën Stretos tek po imagjinonte bashkimin e mundshëm me shokun e tij të armëve në jetën e lirë. Megjithatë përgjigjja e tij nuk qe premtuese:
— Unë jam ndarë me Melin prej një kohe të gjatë. Ai ka vuajtur edhe shtatë vjet të tjerë në kampin e punës, pas ndarjes sonë. Ju e dini mirë që ai ishte mjaft i sëmurë dhe gjendja e tij shëndetësore ka të ngjarë të jetë përkeqësuar vitet e mëvonshëm të burgut. Natyrisht, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të degraduar, edhe sistemi i tij nervor mbetet problematik. Për këtë arsye, unë nuk jam shumë optimist lidhur me reagimin e tij ndaj një oferte të re, për të ardhur në SHBA.
— Për mendimin tuaj, sa përqindje shpresë duhet pasur për pranimin e ofertës nga ana e Melit ?
— Unë kam nëntë vjet pa e takuar atë dhe nuk jap dot një opinion të saktë lidhur me qëndrimin e tij. Sidoqoftë, mendoj se jeta në liri e ka qetësuar disi, megjithë peripecitë e njohura të jetës së një refugjati të rëndomtë.
— Jo, nuk është tamam ashtu. Aktualisht Meli bashkëjeton me një grua të
bukur italiane; sigurisht, ndonjë mikeshë e tij e vjetër. Ajo e do marrëzisht dhe ai po bën një jetë të qetë e në mirëqenie. Sipas informatorëve tanë, Meli gëzon një shëndet stabël; ai nuk ka shkuar asnjëherë tek mjeku kohët e fundit.
Një buzëqeshje e lehtë reflektoi në fytyrën e Stretos. Mirëqenia e mikut të tij besnik në Itali – vendi i adhuruar i Melit – dhe mundësia e bashkimit të tyre e inkurajoi.
— Ky është një faktor i favorshëm për pranimin e ofertës së re prej tij, – u shpreh Streto.
— Po dashuria e tij për italiankën? pyeti buzagaz shefi i seksionit evropian për CIAn. – A do të jetë i gatshëm Meli ta sakrifikojë dashurinë e tij për të pranuar ofertën tonë? Muajin e kaluar ata janë martuar zyrtarisht. Ndërkohë Meli ka paraqitur kërkesë në kuesturën e Milanos, për tu pajisur me dokumente qëndrimi të përhershëm në Itali.
— Ne, detektivët shqiptarë, kemi qenë të ushtruar mirë për të mos u bërë skllevër të dashurisë. Meli e ka divorcuar lehtësisht bashkëshorten e tij në Shqipëri, megjithëse kishte një fëmijë me të.
— Kjo do të thotë se Meli mund ta pranojë një ofertë të re sot për të ardhur në SHBA?
— Besoj se po.
— Nuk mendoni se motivi i refuzimit të ofertës sonë të parë – besnikëria ndaj mikut të tij të burgut – mund të jetë gjithmonë e pranishme në shpirtin e tij?
— Nuk besoj të jetë ashtu. Atëherë ata ishin dy bashkëvuajtës, dy shokë besnikë, dhe, më pas, dy bashkëpunëtorë të grupit tonë. Ata vuanin dhe luftonin së bashku. Në këto kushte Meli nuk mundej ta braktiste bashkëvuajtësin, që të fitonte për vete lirinë. Realiteti i sotëm është i ndryshëm. Aktualisht ata jetojnë të dy të lirë dhe larg prej njëri-tjetrit. Nëntë vjet pas atyre ngjarjeve, unë mendoj se Meli mund ta pranojë ofertën tuaj.
— Kjo do të jetë oferta e juaj, jo e jona. Ju personalisht do t’ia bëni këtë propozim Melit në emër të të gjithë anëtarëve të ish-grupit tuaj, të cilët militojnë sot me sukses në radhët e CIAs. Ne mendojmë që t’ia japim edhe një herë dorën Melit, por jeni ju që duhet t’ia paraqisni kërkesën dhe të insistoni që ai të bashkohet me grupin, që drejtuat së bashku me sukses. Ju do të zgjidhni vetë njërin prej shokëve tuaj të këtushëm, me të cilin do të shkoni të takoni Melin në Itali. Detektivi ynë, që e çliruat nga robëria nëpërmjet arratisjes, do t’ju shoqërojë. Shpresojmë se ai mund t’ju ndihmojë, mbasi është i gatshëm që t’i lutet Melit për të ardhur me ju në SHBA. Pas një jave do të niseni për kryerjen e këtij misioni.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment