Home | Literature | Lypsari i Vogël

Lypsari i Vogël

image
Lypsari i vogël e falënderoi dhe i bëri nga pas krahëve një gjest, që shkaktoi të qeshurat e gjithë atyre që e panë. Gazetari përfitoi nga rasti, e thirri në emër lypsarin dhe i dha një çokollatë.
 
 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti
 
 
 
 
 
 
Zemra e rëndomtë e begatisë nuk i
kupton dot ndjenjat delikate të lindura
nga mungesa e fatit.‖
François-René de Chateaubriand
 
 
 
Ishte ora shtatë e gjysmë e darkës. Meli nuk po dukej akoma në sheshin Omonia. Diksi po shëtiste me vëmendjen për t’i evituar personat e njohur. Ai donte të ishte vetëm, kur të vinte ish-detektivi. Kjo ishte ora e invazionit të sheshit nga turmat e njerëzve të ngeshëm. Atje nuk e gjeje dot kollaj personin e dëshiruar, pa lënë orë e vend takimi fiks.
Një gazetar grek, i cili kishte mësuar të fliste shqip, e frekuentonte rregullisht sheshin Omonia. Atë ditë ai po vrojtonte kureshtar veprimet e një lypsari të vogël shqiptar. Ky ishte nga Peqini dhe po lypte në hyrje të metrosë. Ai u ndente dorën të gjithë atyre që hynin apo dilnin nga metroja. Kur mërzitej, ai i përqeshte nga pas krahëve ata që nuk ia vinin veshin, apo i shante në gjuhë të tij. Sjellja kurajoze e lypsarit të vogël e impresiononte gazetarin, i cili nuk e shikonte për herë të parë. I habitur, gazetari po i thoshte një të riu shqiptar:
— Qysh prej një jave, po e ndjek me vëmendje jetën e këtij çunaku, i cili e kalon natën i vetëm në metro. Megjithëse fëmijë, larg prindërve e vendit të tij, ai manifeston një guxim të admirueshëm. Fëmijët grekë të moshës së tij kanë frikë të ecin vetëm natën në lagjen e tyre. Parmbrëmë ai shau një qytetar shqiptar, pa e njohur. Bashkatdhetari iu kthye, e kapi për qafe dhe e kërcënoi. Veç ta shikoje sa lajkatar u bë lypsari i vogël në ato çaste! I buzëqeshte gjithë dashamirësi dhe i kërkoi ndjesë, duke i shpjeguar, se e kishte pandehur grek. Shqiptari i fali diçka dhe u largua duke qeshur.
Ndërsa gazetari po i thoshte këto fjalë djaloshit shqiptar, një i ri grek i dha lypsarit, për tu tallur, një dërrasë të vogël që mbante në dorë. Lypsari i vogël e falënderoi dhe i bëri nga pas krahëve një gjest, që shkaktoi të qeshurat e gjithë atyre që e panë. Gazetari përfitoi nga rasti, e thirri në emër lypsarin dhe i dha një çokollatë.
— Sa vjeç je? e pyeti.
— Dhjetë.
—Shkon në shkollë ?
— Shkolla ime është metroja.
— Po mësuesit e tu ?
— Kalimtarët.
— A ke prindër në Shqipëri ?
— Vetëm nënën; babai më ka vdekur.
— A e lajmërove nënën, kur u nise për në Greqi?
— Jo, ajo ishte e sëmurë; në spital.

— Me kë ke ardhur në Greqi?
— Polic je ti?
— Jo, gazetar.
— Të vërtetën po më thua?
— Po. Ti e thua të vërtetën?
— Kur s’kam frikë.
— Nga kush ke frikë?
— Edhe sikur të ta thosha, ti nuk do të më shpëtoje dot, përkundrazi. Por, pas gjithë këtyre pyetjeve, a mund të të bëj edhe unë një?
— Pse jo?
— Ti më thirre në emër; nga e ke mësuar?
— Ky djali me mua është shqiptar; ai ma tregoi. Por unë të jap fjalën si gazetar, se do të të shpëtoj, po ma tregove me cilin ke ardhur në Greqi.
— Bah ! Shqiptar është dhe ai që më ka sjellë mua këtu. Kjo copa e dërrasës, që mbaj unë në dorë, është më besnike për mua, sesa ky djaloshi shqiptar që rri me ty. Lamtumirë, i dashur gazetar ! thirri lypsari i vogël, duke u larguar me vrap.
*
Dy metra larg gazetarit dhe lypsarit, Diksi e kishte ndjekur me vëmendje dialogun e tyre, ndërkohë që shikonte nga ana tjetër. Papritur dikush ia bllokoi sytë nga prapa. E kush tjetër, veç ish-detektivit?
— E kishe humbur fare, Sazan. Çfarë shikoje andej me aq kureshtje?
— Asgjë, – u përgjigj ai me zë të ulët. – I mbaja sytë kot andej, por në të vërtet isha i përqendruar në dëgjimin e bisedës së këtij gazetarit grek me dy shqiptarë.
— Ku e di ti që është gazetar ai ?
— E njohin shumica e shqiptarëve. Meqenëse flet shqip, shoqërohet vazhdimisht me ta. Është korrespondent i gazetës së madhe New York Times.
— Si duket ia paskan caktuar detyrë shtëpie njohjen nga afër të jetës së refugjatëve dhe klandestinëve shqiptarë në Greqi. I themi të na shkruaj një artikull për dorëshkrimin tonë në atë gazetë prestigjioze? e pyeti duke qeshur Meli.
— Le të flasim njëherë bashkë sot për dorëshkrimin, pastaj do ta kemi më të lehtë t’ia bëjmë një propozim të tillë dhe atij.
Ata shkuan në një park të vogël, ku kishte qetësi.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00