Home | Literature | Takim i Shumëpritur

Takim i Shumëpritur

image
— Hamiti e Sazani përsëri bashkë edhe në Athinë!? tha duke qeshur njëri prej tyre. – Jo, sot nuk do t’ju lëmë vetëm në pijetore.
Të katër ish-bashkëvuajtësit u ulën në të njëjtën tavolinë.
 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti 
 
 
 
 
 
 
 
Miqësia e vërtetë mbetet e pavarur
prej ndjenjave të tjera.‖
Sébastien-Roch Nicolas de Chamfort
 
 
 
Pothuajse mesditë. Mbetur pa punë, Diksi u drejtua për tek stacioni i autobusit. U ul në stolin e mbrojtur nga era dhe nxori nga xhepi sandviçin, që kishte blerë për drekë. Me gjysmën e tij në dorë, ai shkoi të shikonte orarin, se kur kalonte autobusi i radhës në atë stacion periferik të qytetit.
Ndërsa po kontrollonte orarin duke u përtypur, Diksi ndjeu një zhurmë të lehtë, që vinte nga stoli ku kishte qenë ulur. Ktheu kokën dhe pa një qen rrugaç që po hante gjysmën tjetër të sandviçit. Qeni e rrëmbeu në gojë pjesën që i kishte mbetur pa ngrënë dhe vrapoi nga ana tjetër e rrugës e u zhduk.
— Vasil të quajnë edhe ty ? – thirri Diksi duke qeshur. – Po ai e mori vetë hakën e tij, nuk pati nevojë për ndihmën tënde.
Nuk vonoi shumë dhe autobusi erdhi. Ai pagoi një biletë për në sheshin Omonia, i cili ishte azili i të papunëve. Diksit i vinte keq që humbi një vend pune afatgjatë, por edhe t’i mohonte Pastërnakut autorësinë e një libri të mrekullueshëm, që i kishte krijuar aq shumë telashe, nuk e bënte dot.
Sheshi Omonia ishte i qetë si asnjëherë tjetër. Pas disa orësh, ai do të gumëzhinte. Grekë e të huaj, refugjatë me dokumente e klandestinë, të papunë e turistë të ngeshëm, të grupuar sipas kombësive, punës që bënin, apo veprimtarisë së përbashkët, e frekuentonin çdo mbrëmje sheshin më të populluar të Athinës.
Diksi bleu një gazetë shqiptare dhe u ul në një stol. Një shi i imët e i ftohtë e detyroi ta ndërpriste leximin. Ai vendosi të hynte në të ashtuquajturën kafe Albania. Me të hedhur hapin e parë brenda saj, atij i tërhoqi vëmendjen silueta e një klienti të ulur në një qoshe të pijetores. Diksi u drejtua për tek një tavolinë përballë asaj të personit, që i tërhoqi vëmendjen.
Ai nuk arriti të ulej, mbasi Meli lëshoi një thirrje gëzimi, u çua nga tavolina e tij dhe e shtrëngoi në krahë. Dy miqtë u takuan përmallshëm. Pastaj Meli e ftoi të uleshin në tavolinën e tij.
— Besoj se një gotë uzo e mirë [pija e preferuar e Diksit, sipas bisedave të burgut] i përshtatet shumë këtij çasti, – i tha Meli duke buzëqeshur. – Apo mos dëshiron të dalim prej këtej, Sazan?
— Ndarjen nga gota ti e quan mëkat. Prandaj nuk dua të të nxis në atë rrugë, – ia ktheu Diksi po me të qeshur.
— Mos e çaj kokën për atë punë. Zoti tregohet më i mëshirshëm ndaj mëkatarëve, sesa ndaj të pafajshmëve. Ja, shikomë mua: sot jam më i shëndetshëm nga ti, që qenke dobësuar goxhà. Më mirë dalim, të flasim lirisht.

Pastaj kthehemi prapë pranë gotës, kemi kohë. Më prit jashtë, sa t’i paguaj birrën kamerierit.
*
Kur Meli u bashkua jashtë me Diksin, ky po godiste lehtë, me një ritëm të rregullt, thembrën e këpucës së djathtë pas asaj të së majtës. Ish-detektivi qeshi e i tha:
— Unë jam, Sazan, unë: Hamit Meli, me mish e me kocka. Të përgëzoj për kujtesën e fortë!
Ditën që ishin ndarë në kampin e Qafë–Barit, ish-detektivi me përvojë e kishte këshilluar mikun e tij që, kurdo që të takoheshin bashkë në të ardhmen, ai duhej të bënte patjetër këtë gjest të rastësishëm, për tu siguruar se personi që kishte përballë ishte vërtet Meli dhe jo ndonjë sozi e tij. Të njëjtin rol luante ai gjest i thjeshtë edhe për ish-detektivin në adresë të mikut të tij.
— Eja të zbresim në metro, se bëka ftohtë – propozoi Meli.
— Kur ke ardhur në Greqi? e pyeti Diksi.
— Sot është dita e tretë. Erdha kastile të informohesha për ty. Takimi ynë më gëzon pa masë. Para se të vija këtu, isha në Turqi për të takuar një person. Mirëpo ai kishte shkuar në Amerikë. Lashë një numër telefoni atje, me qëllim që të më lajmërojë kur të kthehet. Po ti kur ke ardhur në Greqi?
— Para një muaji.
— Më kanë vënë në dijeni se, pas ngjarjeve të ambasadave në Tiranë, të është dorëzuar ditari special i veprimtarisë së grupit tonë. Ke hedhur diçka në letër?
— Pothuajse gjithçka.
— Një lajm i mirë ky për mua – buzëqeshi Meli i kënaqur. – Megjithëse ato ngjarje nuk mund të publikohen para korrikut 1999, duhet të interesohemi për përkthimin e dorëshkrimit. E ke marrë me vete?
— Po. E kam fshehur në dhomën ku fle.
— Në cilin hotel fle?
— Nuk kam xhep që të fle në hotel, – u përgjigj duke qeshur Diksi. – Ditët e para që erdha në Athinë, punova në pastrimin e një ndërtese shumëkatëshe të sapopërfunduar. Pronari më dha çelësin e një dhome qysh atëherë dhe ma ka lënë me kusht që t’i bëj falas punën e rojës natën.
— Ndodhet larg prej këtej godina?
— Nuk të durohet deri nesër?
— Jam kurioz ta di sa faqe mund të dalë afërsisht libri.
— Rreth 300.
— Ky do të jetë vëllimi i parë. Pas ndarjes sonë në kampin e Qafë-Barit, ka pasur ngjarje të tjera të rëndësishme, si në Tiranë edhe në Amerikë, të cilat e bëjnë të domosdoshëm shkrimin e një vëllimi të dytë.
— Unë nuk jam në dijeni të tyre. Fillimisht duhet të sigurojmë informacionet e domosdoshme, pastaj mund të mendojmë për të shkruar vëllimin e dytë.

— Unë i kam siguruar tashmë ato informacione dhe po të them se janë vërtet interesante, – u përgjigj Meli duke i shkelur syrin. – Edhe personi që unë doja të takoja në Turqi është gjithashtu burim informacioni. Ke mjaft kohë në dispozicion për të shkruar vëllimin e dytë. Sa për përkthimin në anglisht të dorëshkrimit të përgatitur, ne duhet të mendojmë qysh tani. Atë duhet t’ia besojmë një personi besnik, i cili njeh mirë si anglishten letrare edhe shqipen. Por kemi kohë të flasim edhe për këtë çështje, nuk është urgjente. Punon gjëkundi, Sazan?
— Kam punuar deri sot në drekë, por nesër e tutje do të jem pa punë. Më pushoi pronari sot.
— Çdo e keqe ka të mirën e saj. Kështu do të kemi kohë të lirë të bisedojmë shtruar bashkë. Tani eja të shkojmë përsëri në pijetore, të marrim ndonjë gotë bashkë.
Duke shkuar për atje, ata takuan rastësisht dy ish-të burgosur politikë, me të cilët Diksi kishte ndenjur disa herë.
— Hamiti e Sazani përsëri bashkë edhe në Athinë!? tha duke qeshur njëri prej tyre. – Jo, sot nuk do t’ju lëmë vetëm në pijetore.
Të katër ish-bashkëvuajtësit u ulën në të njëjtën tavolinë.


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00