Latest News
Addio, Roza!
— Qëndrimi im i atëhershëm nuk kishte asgjë të qortueshme. Një njeri që do të braktiste aq lehtë mikun besnik të burgut, nuk do ta kishte fare problem të tradhtonte cilindo për hir të egoizmit. Një mesazh besnikërie nuk mund të përbuzet, apo të ndëshkohet. — Pikërisht për këtë arsye CIA ruan konsideratë të lartë për ty.
Agim Hamiti
―Mënyra më e thellë për të ndier diçka
është të vuash për të.‖
Gustave Flaubert
I hipur në një shkallë metalike, Meli po merrej me instalimin e një prozhektori në kopsht. Rozana po e ndiqte me sy, e ulur në një karrige kashte para derës së shtëpisë. I gufonte zemra prej gëzimit duke konstatuar se bashkëshorti e konsideronte veten si zot shtëpie. Ky fakt shënonte fundin e vetmisë torturuese për të.
Për një çast shkalla lëvizi prej vendit. Meli, me duart e zgjatura lart, e humbi ekuilibrin dhe u detyrua të kërcente në tokë. Rozana lëshoi një britmë frike dhe vrapoi atje.
— U plagose, i dashur ? e pyeti e shqetësuar.
— Jo, qetësohu, Roza! S’jam aq i brishtë, sa mendon ti.
Duke qeshur, ai e puthi në ballë.
— E di që ti nuk je aq i brishtë, por fati im, po. Edhe në çastet më të lumtura të jetës sime, nuk kam arritur dot të çlirohem nga një lloj ankthi që më pushton pa dashje, një trishtim i pashpjegueshëm lidhur me të ardhmen. Optimizmi më ka munguar gjithmonë. Edhe një nuancë e zbehtë fatkeqësie bën të më kalojnë mornica në trup.
— Ato brenga i përkasin së shkuarës. Tani duhet të jesh më optimiste, Roza. Bashkimi ynë duhet të kthehet në një burim lumturie për ty ; përndryshe ai mbetet pa vlerë. Mërgoi një herë e përgjithmonë mendimet e zymta.
— Nuk arrij dot… ; trishtimi është pjesë përbërëse e shpirtit tim. Mbrëmë pashë një ëndërr të keqe, prandaj u tremba shumë, kur ti re nga shkalla.
— Çfarë ëndrre paske parë ?
— Do ta dish vërtet ?
— Pse jo ? Është turp të trembesh nga një ëndërr.
— Pashë në ëndërr të ndjerin burrin tim dhe ty. Ai po nisej si gjithmonë për lundrim. Duke qëndruar në këmbë tek kiçi i anijes që po shkëputej nga moli, ai po më salutonte me kapele. Unë po përkundja në erë një rrobë të bardhë. Deti ishte shumë i trazuar. Valët e fuqishme ia vështirësonin anijes avancimin në det. Pas një çerek ore, ajo nuk ishte shkëputur më shumë se njëqind metra nga moli. Im shoq dhe unë vazhdonim të përshëndeteshim së largu. Papritur një dallgë e madhe e përpiu anijen. Ndërsa deti po egërsohej gjithmonë e më shumë, anija nuk po dukej më. Unë shpërtheva në të qara. Atë çast m’u shfaqe ti duke m’u lutur : «Mos qaj, Roza, se ti nuk je vetëm në këtë botë. Sot e tutje do të jetojmë së bashku përgjithmonë.»
«Pastaj ne morëm një taksi bashkë. Duke udhëtuar për në shtëpi, ti vazhdoje të më flisje, për të më qetësuar. Mirëpo kur taksia ndaloi përpara portës, ti ishe
108
zhdukur. E mbetur përsëri vetëm, qava me lot të nxehtë.
— Mos e le veten peng të ëndrrave, Roza. Për fat të mirë unë ja ku jam, pranë teje, në mes të kopshtit tonë të bukur ; nuk jam zhdukur si në ëndërr.
— Në mes të kopshtit tonë të bukur… Veç këto fjalë dua të dëgjoj.
Ajo u lëshua në krahët e hapur të bashkëshortit.
*
Më 21 shtator 1993 Rozana kishte shkuar në zyrën e taksave. Në sallonin e bukurisë puna ishte ndërprerë, mbasi lokali po lyhej. Rozana dhe Meli kishin vendosur t’ia ndryshonin ngjyrat sallonit. Meli vigjilonte që nuancat e bojërave të zgjedhura të dilnin sa më të realizuara. Ai mbeti i kënaqur prej fillimit të punës dhe i porositi bojaxhinjtë që të respektonin rigorozisht ato nuanca ngjyrash.
Për të kaluar kohën, Meli filloi të pastronte pasqyrat e sallonit të bukurisë. Një punë që ai e bënte me qejf.
— Lëreni për në fund pastrimin e pasqyrave, kur të kemi mbaruar punë ne, – e këshilloi njëri prej bojaxhinjve.
— Nuk mërzitem t’i pastroj përsëri, edhe mbasi të keni mbaruar punë ju, – iu përgjigj Meli me të qeshur.
Ai ishte duke pastruar pasqyrën e dytë, kur papritmas atje iu shfaqën tiparet e një fytyre shumë të njohur; buzëqeshja e Stretos e la pa frymë.
— Ti Guri je vërtet, apo një fantazmë? e pyeti duke u kthyer me vrull.
— Përpiqu ta verifikosh; kjo nuk është e vështirë për një detektiv, – u përgjigj Streto duke e shtrënguar në krahë.
Mandej ai i prezantoi dy shoqëruesit:
— Ky është detektivi amerikan, ish-rob i DSJsë, ndërsa ky tjetri është njëri prej dy anëtarëve të grupit tonë, që u arratis bashkë me të.
Të buzëqeshur, ata të dy u takuan përzemërsisht me Melin.
Streto mori përsëri fjalën:
— Hamit, duhet të flasim sa më parë bashkë. Meqenëse nusja jote mund të vijë nga një çast në tjetrin, duhet të largohemi prej këtej.
— Si, e ditke që qenkam i martuar ?!
— Di edhe më tepër se kaq, veç duhet të largohemi.
— Dua të takoj gruan njëherë ; pastaj ajo do rrijë këtu, unë do të vij për të biseduar.
— Gruan nuk do ta takosh më, Hamit…
— Si?
— E dëgjove tamam. Do të nisemi bashkë për në SHBA.
— Nuk dua të dëgjoj të flitet më për këtë çështje, Guri, të lutem.
— Shohim e bëjmë, por eja të largohemi prej këtej. Do të ishte marrëzi të na gjente nusja jote këtu.
Streto me dy shoqëruesit dolën jashtë. Meli u bashkua me ta tek vetura me
109
targë të ambasadës amerikane.
Rruga nuk qe e gjatë. Pas një çerek ore ata ndodheshin në një restorant luksoz. Mbasi bënë porositë, Streto u fut në temë:
— E di që ti je zoti ―Jo‖, Hamit, por këtë herë çështja është më e komplikuar nga ç’mund ta imagjinosh. Ti ke krijuar tashmë një familje të re dhe ke nevojë të bësh një jetë të qetë, pas vuajtjeve prej ferri të burgut. Por fati të ka privuar nga e drejta për të zgjedhur në këtë rast.
— Fati më ka braktisur prej një kohe të gjatë; ti e di mirë këtë, Guri. Por aktualisht unë ndihem shumë i lodhur. Qetësia nuk është luks, por domosdoshmëri për jetën time. Zhgënjimet e njëpasnjëshme më kanë acaruar shumë dhe unë nuk dua më të dëgjoj të flitet për profesionin tim të dikurshëm dhe pasojat e tij. Harresa e së shkuarës është kushti bazë për pjesën e mbetur të jetës sime. Për të qenë i sinqertë, po ta pohoj se nuk dua të diskutoj më për këto çështje, as me ty Guri.
— Unë gjithashtu, miku im. Si dëshmitar okular i vuajtjeve të tua, unë nuk do të pranoja kurrë të të shqetësoja me një propozim të tillë, sikur kjo të mos ishte domosdoshmëri për të ardhmen e shokëve tanë të armëve, që gjenden në SHBA.
— Ata jetojnë atje prej gati një dekade dhe e ardhmja e tyre nuk varet aspak nga e imja. Honi i harresës e përpiu veprimtarinë tonë antidiktatoriale në Shqipëri.
— Përkundrazi : autoritetet e CIAs e vlerësojnë domosdoshmëri sot prezencën tënde atje. Herën e parë ti e refuzove ofertën e tyre, për të mos braktisur Sazanin. Ata ta kanë falur atë, mbasi motivi ishte i qëndrueshëm. Por koniunkturat e tanishme nuk e justifikojnë dot më një refuzim të dytë nga ana jote.
— Qëndrimi im i atëhershëm nuk kishte asgjë të qortueshme. Një njeri që do të braktiste aq lehtë mikun besnik të burgut, nuk do ta kishte fare problem të tradhtonte cilindo për hir të egoizmit. Një mesazh besnikërie nuk mund të përbuzet, apo të ndëshkohet.
— Pikërisht për këtë arsye CIA ruan konsideratë të lartë për ty. Dëshmi për këtë është oferta që po të bëjnë pas kaq vjetësh. Në qoftë se ata do ta kishin gjykuar si tendencioz refuzimin tënd të qershorit 1984, nuk do të ta bënin kurrë propozimin e sotëm. Duhet të mendohesh mirë, para se t’i përgjigjesh ofertës së re. Ti nuk je më si dikur, Hamit. Unë e ti përgjigjemi për të ardhmen e secilit prej anëtarëve të ish-grupit tonë, mbasi jemi ne që i futëm ata në këtë qerthull. Dhe duhet ta ndajmë fatin me ta deri në fund. Mundohu të marrësh një vendim të denjë për emrin tënd. Sot nuk je më në burg, por i lirë.
— I lirë…, por i martuar.
— Martesa është një e drejtë, Hamit, jo një detyrë.
— Një e drejtë që kthehet në detyrë, sapo realizohet.
— Të kuptoj. Por të gjitha detyrat nuk janë të barasvlershme, miku im. Në qoftë se nusja jote do të humbasë lumturinë pas ndarjes së papritur me ty, bashkëluftëtarët tanë në SHBA do të humbasin çdo shpresë për çështjen
110
shqiptare; ndoshta edhe më tepër se kaq… Boshllëku që krijon mungesa jote na rëndon të gjithëve dhe na i nxin horizontin. Mendoj se duhet ta ndajmë bashkë fatin, siç e nisëm.
Me dhëmbë të shtrënguar prej sikletit, Meli përplasi përtokë sfungjerin që shtrëngonte në dorë, nxori bllokun e shënimeve dhe diçka shkroi në një fletë.
— Para se të nisemi, më duhet të lë këtë letër, – murmuriti ai.
— Ku ?
— Të shohim.
Vetura ndiqte itinerarin që diktonte Meli. Ata ndaluan para shtëpisë së Rozanës dhe… Melit. Ky pa veturën e së shoqes të parkuar pranë trotuarit. U afrua me kujdes dhe e ngeci fletën tek xhami i përparmë në drejtim të timonit, me shkrimin nga brenda.
— Më fal, Roza ! psherëtiu dhe shikimi iu mjegullua.
Ai hyri në veturë dyllë i verdhë në fytyrë.
Një heshtje varri sundoi deri në aeroport.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment