Home | Literature | Dy varre që akuzojnë

Dy varre që akuzojnë

image
— Më kujtohen mirë edhe emrat e tyre : Fatmir Merdari e Afrim Pahia.
— Pikërisht. Ata e dhanë jetën në moshë të re, në luftë kundër diktaturës agjenturore shqiptare. 
 
 
 
 
 
 
Agim Hamiti
 
 
 
 
 
 
 
―Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin;
e ardhmja u ngre statujën.‖
Victor Hugo
 
 
 
Ndryshe nga ç’priste, Diksi ndeshi në një indiferencë të qëllimshme të autoriteteve belge për njohjen e të drejtës së azilit politik. Atij nuk i refuzohej dot kjo e drejtë, për shkak të provave të pakundërshtueshme që kishte paraqitur për motivimin e strehimit politik, prandaj u zgjodh varianti i zvarritjes së qëllimshme administrative lidhur me përgjigjen përfundimtare.
Natyrisht, kjo nuk ishte thjesht dëshirë belge, por rekomandim i dikujt tjetër, për të arritur në një zgjidhje me marrëveshje verbale, pa dosje azilanti. Mosbindja e Diksit në këtë pikë të rëndësishme i bezdiste të dy palët. Por, gjithsesi, autoritetet belge ishin të detyruara të respektonin legjislacionin përkatës.
Personi i ngarkuar për trajtimin e dosjes së Diksit jo rrallë ndihej më në siklet sesa vetë azilkërkuesi. Ai ishte kuadri i dytë i Komisariatit të Refugjatëve që trajtonte atë dosje, mbasi i pari dha dorëheqjen. Intelektual i hollë dhe profesionist i përgatitur mirë, ai bënte çmos ta bindte Diksin se zgjidhja me marrëveshje ishte më e përshtatshmja, mbasi e drejta ekziston, por fuqia e saj zbehet në rrethana të caktuara. Ai habitej sinqerisht nga insistimi i Diksit për zgjidhje pa kompromis të kërkesës së azilit.
Belgët njihen në nivel evropian si mjeshtër të kompromisit. Madjé në BE qarkullon një thënie e tillë: Ku ka mosmarrëveshje, të thirret një belg për të ofruar zgjidhje [natyrisht, me përjashtim të pseudopolitikanëve shqiptarë që preferojnë moszgjidhjen, për të peshkuar në ujë të turbullt si gjithmonë]. Vetë ekzistenca e Belgjikës është një vazhdimësi kompromisesh midis dy komuniteteve kryesorë që përbëjnë popullsinë e saj. Ndonëse belgët mbajnë rekordin botëror të kohëzgjatjes për krijimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve, normaliteti i jetës së përditshme ka qenë përherë shembullor, falë institucioneve të konsoliduara dhe edukatës së lartë qytetare.
I brumosur me një mentalitet të tillë konstruktiv, personi që shqyrtonte çështjen e Diksit habitej me këmbënguljen e këtij për të refuzuar një kompromis që belgu vetë e cilësonte chouette (më se i mirë). Jo rrallë, ai kishte theksuar se kompromis do të thotë lëshime reciproke.
Ishte hera e pestë dhe e fundit që ai po e thërriste Diksin gjatë shtatë vjetësh, për të mbyllur shqyrtimin e një dosjeje që shumëkujt nuk i interesonte të ekzistonte. Si specialist i mirëfilltë dhe person inteligjent, ai e kishte kuptuar mirë përmbajtjen e dosjes dhe kishte nxjerrë konkluzionet përkatëse si profesionist dhe si njeri. Në realitet ai kishte arritur të njihej mirë me Diksin,
117
ngandonjëherë edhe më në thellësi nga sa i kërkonte vendi i punës. Kjo ndodhte kur merrnin kafe jashtë zyrës, ku zhvillohej intervista pa përkthyes, por brenda pallatit të xhamtë, apo duke zbritur me ashensor për ta shoqëruar të intervistuarin deri tek porta, sipas rregullit. Ai ia kishte bërë të qartë Diksit, se nuk vendoste dot vetë mbi dosjen e tij, ndryshe nga ç’ndodhte me shqyrtimin e dosjeve të tjera. Si zvarritja e stërzgjatur edhe kthimi i përgjigjes, nuk ishin kompetencë e mirëfilltë e tij.
Mirëpo ditën e fundit që do të ndaheshin, siç dukej ishte vënë më së fundi pika mbi ―i‖. Ai manifestonte një humor dukshëm më të mirë se herët e tjera dhe i la të kuptonte Diksit, se gjithçka ishte mbyllur. Veçse kishte dëshirë të sqaronte diçka që ai mendonte se nuk kishte arritur ta kuptonte mirë. Thjesht për kureshtje, jo në kuadrin profesional. Duke pirë kafe bashkë (kafeja e fundit midis tyre), i tha :
— Ka të ngjarë që njohja me dosjen tuaj të mbetet një nga kujtimet e rrallë të profesionit tim. Sa herë që do të shqyrtoj në të ardhmen kërkesa për azil të paraqitura prej shtetasve shqiptarë, do të më kujtoheni ju. Por kam diçka të paqartë në qëndrimin tuaj. Megjithëse ju e kuptoni që nuk ndikoni dot në zhvillimin e ngjarjeve politike në Shqipëri, përsëri refuzuat një zgjidhje të kërkesës së azilit shumë më të favorshme, sesa një përgjigje pozitive nga ana jonë. Si e justifikoni këtë në ndërgjegjen tuaj, ndërkohë që keni vuajtur shumë në jetë dhe jeni një person i moshuar me fëmijë të vegjël në vend të huaj ?
Diksi buzëqeshi prej gjuhës dashamirëse me të cilën po i fliste bashkëbiseduesi dhe iu përgjigj :
— Midis provave shkresore që ju kam paraqitur për të vërtetuar ngjarjet e librit tim, kanë qenë dhe identitetet e dy kuadrove të shërbimit sekret shqiptar, të vrarë gjatë atyre ngjarjeve dhe të varrosur në Tiranë. Besoj se ju kujtohet.
— Më kujtohen mirë edhe emrat e tyre : Fatmir Merdari e Afrim Pahia.
— Pikërisht. Ata e dhanë jetën në moshë të re, në luftë kundër diktaturës agjenturore shqiptare. Unë ju kam shtruar qysh në fillim, në mënyrë të përsëritur, këtë kërkesë : të zhvarrosen ata dy trima dhe të bëhet ekzaminimi i skeleteve. Në qoftë se nuk do të rezultojë se Fatmiri është goditur në afërsi me dy plumba nga pas krahëve, ndërsa Afrimi ka gjetur vdekjen si pasojë e një frakture të rëndë pas përplasjes së kokës kundër murit në tentativë vetëvrasjeje, unë pranoj që ju të mos i merrni në konsideratë provat e tjera dokumentare për vërtetësinë e ngjarjeve të librit dhe ta refuzoni kërkesën time për azil politik. Por në rast se do të vërtetohet e kundërta, ju duhet të nxirrni konkluzionet e duhura, duke mbajtur parasysh këtë fakt sa të rëndësishëm aq edhe domethënës : kur kanë ndodhur këto dy ngjarje tragjike (prill-maj 1984) unë isha një i burgosur politik qysh prej vitit 1978 dhe kisha për të vuajtur edhe disa vjet burg akoma. Vërtetimet përkatëse i keni në dosje. Atëherë natyrshëm lind pyetja : në qoftë se ngjarjet e librit tim nuk do të ishin të vërteta, nga e mësova unë datën dhe mënyrën e vdekjes së këtyre kuadrove të DSJsë, ndërkohë që ndodhesha në burg e punoja me tre turne në minierë prej disa vitesh ? Ju siguroj se as familjet e
118
atyre trimave nuk dinë gjë nga e vërteta e vdekjes së njerëzve të tyre, mbasi diktatura, megjithëse i vrau vetë, i varrosi me ceremoni solemne dhe i dekoroi si të rënë në krye të detyrës, për të mbuluar të vërtetën. Unë ju kam kërkuar gjithashtu që, para ekzaminimit, skeleteve t’iu bëhet analiza e ADNsë në universitetin e Lëvenit, sepse prej neokomunistëve shqiptarë dhe yshtësve të tyre pritet çdo lloj pabesie.
— Të paktën në këtë rast, jo, – vërejti shqyrtuesi i dosjes. – Nuk është nevoja as për zhvarrim e as për ekspertizë shkencore. Unë kam shkuar dy herë në Tiranë për verifikimin e identitetit të personazheve të librit tuaj dhe të disa ngjarjeve të veçanta të tij. Atje pashë edhe dosjet e vdekjes së Fatmir Merdarit dhe Afrim Pahisë, të kompletuara me të dhënat përkatëse, si dhe me fotografitë e tyre pas plagosjes dhe në momentin e vdekjes. Por kam përshtypjen se ju nuk i jeni përgjigjur akoma pyetjes që ju drejtova unë, jo si shqyrtues i dosjes suaj, por si kureshtar.
— Keni të drejtë, veçse dëshiroja t’i kthjelloja edhe një herë këto rrethana, me qëllim që përgjigjja ime të bëhej sa më transparente për ju. Gjersa në kryeqytetin shqiptar ekzistojnë dy varre trimash, që akuzojnë e do të vazhdojnë të akuzojnë për prapaskenat e politikës së të mëdhenjve në dëm të atdheut të tyre, për të cilin ata dhanë jetën në moshën 35 vjeçare, unë nuk kam kurrsesi të drejtë morale për kompromis, për hir të mirëqenies personale apo familjare. Nuk ka rëndësi fakti nëse me qëndrimin tim unë nuk ndikoj dot për mirë në zhvillimet politiko-shoqërore në Shqipëri. Problemet e ndërgjegjes nuk kushtëzohen materialisht.
— Ju kuptova. Tani fjalët e mia të fundit : brenda dy javësh do t’ju vijë me postë rekomande përgjigjja përfundimtare e kërkesës për azil ; besoj pozitive. Do të jeni nën mbrojtjen e organeve tona. Ju uroj një jetë më të qetë se deri sot.
— Faleminderit.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00