Home | Literature | * * *

* * *

image
 Ai nuk lakmonte dhe aq pasurinë, por më tepër atë çfarë përfaqësonte kjo pasuri : jo vetëm suksesi në sytë e të tjerëve, por edhe një mundësi për t’u ndjerë i paprekshëm. Të kesh para, kjo nuk është vetëm të mund të blesh : kjo nënkupton të jesh jashtë cënimit nga realiteti. Paraja si mbrojtje, jo për kënaqësinë. 
 
 
 
 
 
Nga Paul Auster
 
 
 
 
 
...
 
 
 
Gjatë tërë jetës së tij, im atë ka punuar rëndë. Nëntë vjeç, ai gjente tashmë punën e parë. Tetëmbëdhjetë vjeç, bashkë me njërin prej vëllezërve të tij, ai ngrinte një lloj biznesi ndreqjeje radiosh. Me përjashtim të çastit të shkurtër kur ka qenë marrë në punë si Asistent në Laboratorin e Thomas Edison (për t’u hequr nga puna qysh të nesërmen, kur Edisoni mori vesh se ai ishte çifut), im atë ka qenë gjithmonë punëdhënësi i vetes së vet. Ishte një punëdhënës tejet i vështirë, shumë më kërkues sesa po të kishte qenë një i huaj.
 
Me kalimin e kohës, punishtja e radios është bërë një dyqan i vogël pajisjesh elektrike, që pastaj është shndërruar në një dyqan të madh mobiljesh. Nisur nga këtu, ai ka filluar të merret me shtëpia (për shembull duke blerë një shtëpi për të vendosur aty të ëmën), derisa kjo veprimtari, duke i marrë një kohë më të madhe se dyqani, u bë një biznes më vete. Ortakëria me dy prej vëllezërve të tij vazhdonte nga një ndërmarrje në tjetrën.
 
Ai ngrihej herët çdo mëngjes, kthehej natën vonë, dhe ndërmjet të dyjave, punë, vetëm punë. Punë ishte emri i vendit që ai banonte, e ku ai ishte një nga atdhetarët më të flaktë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai gjente kënaqësi aty. Nëse punonte kaq egërsisht, kjo është ngaqë donte të fitonte sa më shumë para të mundshme. Puna e tij ishte mjeti për t’ia arritur qëllimeve – një mjet për t’u pasuruar. Por edhe me të arritur këtë qëllim, ai nuk do të kishte qenë më i kënaqur. Siç ka shkruar Marksi në rininë e tij : "Nëse paraja është lidhja që më bashkon me jetën njerëzore, që e lidh shoqërinë me mua dhe që më lidh mua me natyrën dhe njeriun, a nuk është paraja lidhja e të gjitha lidhjeve ? A nuk mund t’i lidhë ajo dhe t’i zgjidhë të gjitha lidhjet ? A nuk është ajo kështu, vegla e ndarjes universale ?"
 
Tërë jetën e tij, ai ka ëndërruar të bëhet milioner, njeriu më i pasur në botë. Ai nuk lakmonte dhe aq pasurinë, por më tepër atë çfarë përfaqësonte kjo pasuri : jo vetëm suksesi në sytë e të tjerëve, por edhe një mundësi për t’u ndjerë i paprekshëm. Të kesh para, kjo nuk është vetëm të mund të blesh : kjo nënkupton të jesh jashtë cënimit nga realiteti. Paraja si mbrojtje, jo për kënaqësinë. Ngaqë në fëmijërinë e tij kishte qenë i skamur, dhe pra i cënueshëm nga trillet e ekzistencës, ideja e pasurisë ishte bërë për të sinonim i arratisjes : t’i arratisej së keqes, vuajtjes, të mos ishte më një viktimë. Ai nuk synonte të blinte lumturinë, por thjesht mungesën e fatkeqësisë. Paraja ishte kurora, sendërtimi i dëshirave të tij më të thella, më të vështira për t’u shprehur. Ai nuk donte ta shpenzonte, por ta zotëronte, ta dinte që ishte aty. Më pak eliksir sesa antidot : shishka e vogël për t’u marrë me vete në fund të një xhepi nëse shkojmë në xhungël – në rast se do të pickoheshim nga një gjarpër helmues.
 
...
 
 
Përkthyer nga Dea J Klosi 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0