Latest News
* * *
Tek po përpiqej, me shpirt ndër dhëmbë, të mos ta ngadalësonte hapin në atë udhëtim të sforcuar, prej të cilit varej fati i djalit të vetëm, ai filloi të kalonte nëpërmend jetën e tij plot andralla. Një buzëqeshje e hidhur u shfaq në cepat e buzëve të zbardhur nga shkuma e frymëmarrjes së zorshme.
Nga Agim Hamiti
E Përpjeta e Sizifit. Kështu e quanin të burgosurit politikë të Spaçit udhën e fortë malore që i çonte prej kampit në minierë. Sizifi mbetet një figurë mitologjike dhe e përpjeta e tij e imagjinuar. Sizifët e Spaçit ishin njerëz të flijuar padrejtësisht nga diktatura dhe e përpjeta e tyre – tokësore. Kjo ishte punuar shkallë-shkallë, ndryshe nuk mund të ecej dot në të prej pjerrësisë marramendëse. Qëndrueshmëria e çdo shkalline sigurohej prej një pllake betoni 110 cm të gjatë dhe 35 cm të gjerë, mbështetur në dy a hekuri të ngulura në tokë në secilën anë.
Gjatë dimrit shkallinat mbusheshin me dëborë dhe mezi dalloheshin. Ecja vështirësohej së tepërmi dhe shumë Sizifë spaçianë kishin thyer dorën, këmbën, gjurin, apo u ishin ngulur barominat në brinjë gjatë rrëzimit. Një armik i gjymtuar ishte më pak i rrezikshëm për ata që i kishin dënuar pa shkak.
Pas njëzet minutash ecjeje prej kampit për në minierë, E Përpjeta e Sizifit dilte në një qafë kodre, kapërcimi i së cilës ua zhdukte sysh kampin të burgosurve. Në fund të shpatit të kësaj kodre një shkurrajë e dendur prej 100 m² i bënte sfidë gjithë pjesës tjetër të territorit brenda rrethimit, i cili ishte plotësisht i zhveshur, për tu kontrolluar lehtë nga rojet.
Të burgosurit e hershëm atë vend e thërrisnin Varri i Kosovarit. Kur ndonjëri prej fatkeqëve të ardhur rishtas në Spaç i pyeste ata pse quhej kështu ajo copë tokë e pyllëzuar, përgjigjja e tyre më shumë intrigonte sesa sqaronte:
— Dikur atje është varrosur një i ri nga Kosova, të cilin e masakruan me sëpatë. Megjithëse varreza në fshatin Shëpal kishte muaj që priste të vdekurit midis të burgosurve politikë të Spaçit, atij kosovari iu mohua kjo e drejtë. E varrosën fshehtas, natën. Dy bashkëvuajtës, të citët u interesuan tinës që djaloshit kosovar të mos i humbiste varri, u izoluan në burgun e Burrelit. Nuk duhej të dihej ku ishte varri i tij, me qëllim që me kohë të zhdukej. Ne vendosëm ta thërrisnim atë vend Varri i Kosovarit. Kaq mund të bënim në kujtim të tij. Ndërkohë kështu fiksonim në kujtesë edhe vendndodhjen e eshtrave të atij djali të ri, të talentuar e të pafajshëm.
I befasuar nga përgjigjja, i interesuari mendonte:
«Mirë që e paskan masakruar me sëpatë, po pa varr pse duhej të mbetej?»
1
Ndërkohë që po kujdesej për djalin e përpirë nga ethet, Erinës i mbetën sytë në dritare. Po priste me ankth kthimin e të shoqit nga puna. Donte ta ndante shqetësimin me të dhe të vendosnin së bashku si do të vepronin më tej me djalin e sëmurë.
Sapo e pa të hynte në oborr, Erina e la kompresën me ujë të ftohtë mbi ballin e nxehtë të të birit dhe u nis të dilte jashtë. Nga nxitimi përplasi dorën pas kabashit me ujë, i cili u copëtua me tërsëllimë mbi shtresën e çimentos.
«Ah, m’u thaftë dora, e theva dhe kabashin e vetëm!» rënkoi nga dëshpërimi, pa e ndalur vrapin për tek dera e jashtme.
— Eja shpejt, Ali! Shpresimin e kemi shumë të sëmurë. Që nga mesdita, shkriu prej etheve.
— Ç’thua moj! foli ai i tronditur. – Po unë e lashë mirë.
Erina rendi të mblidhte copat e qelqit dhe të pastronte çimenton, pa i dëgjuar deri në fund fjalët e burrit.
Aliut iu prenë gjunjët. E harroi dhimbjen e dhëmballës, që e kishte torturuar gjithë ditën në fushë, dhe mezi i hodhi ata pak hapa deri tek qoshja e oborrit ku linin veglat bujqësore. Fshiu djersën me një shami dore që mbante mbi kokë për tu mbrojtur nga dielli i fortë dhe, i pushtuar prej ankthit, hyri brenda. Iu afrua me gjunjë të dridhur krevatit të drunjtë, ku dergjej i biri, dhe mbështeti pëllëmbën e dorës mbi ballin e ndezur shpuzë. I shkuan mornica. Dora iu ngroh në çast, ndërsa prej buzëve të thara të fëmijës dilte një rënkim i mbytur. Termometër nuk kishin.
— Tek familja ku punoja unë sot, ka ardhur një mjek i moshuar nga Tirana me pushime. Ta çojmë djalin atje, sa më parë. Ai do të pranojë ta vizitojë, besoj. Lag një çarçaf me ujë të ftohtë dhe mbështille Shpresimin e zhveshur me të. Po të ecim shpejt, atje do të arrijmë pas tre çerek ore.
Erina e përgatiti djalin dhe u nisën menjëherë për udhë.
— Shpresimin do ta mbaj unë në krahë, i tha Aliu, duke ia marrë fëmijën nga duart. – Ti përpiqu të nxitosh hapin sa të mundesh. Në gjendjen që është djali, çdo minutë e fituar ka rëndësinë e saj.
*
Ishin ditët e fundit të korrikut dhe bënte vapë, ndonëse kishte kaluar ora pesë e pasdites. Megjithëse i lodhur nga puna në arë, Aliu, i merakosur për shëndetin e djalit, ecte shpejt. Tek po përshkonin një të tatëpjetë për të shkurtuar rrugën, ai u pengua në një rrënjë shkurreje të prerë dhe u rrëzua. Erina bërtiti e shqetësuar, ndërsa i shoqi arriti t’i mbështeste të dy gjunjët në tokë dhe ta mbante djalin pa i rrëshqitur nga duart. Ai ndjeu një dhembje therëse në gjurin e majtë, të cilin e kishte përplasur pas një guri gjatë rënies. Nuk i tregoi së shoqes, për të mos ta shqetësuar, por e parandjeu se nuk do ta
ruante dot deri në fund ritmin e përshpejtuar të të ecurit.
Pamja e dëshpëruar e gruas së përlotur e të rraskapitur nga tronditja e lodhja, gjendja e rëndë shëndetësore e djalit me mbijetesë të dyshimtë të etheve dhe dhimbjet e dhëmballës e të gjurit e zhytën Aliun në një brengosje të thellë. Tek po përpiqej, me shpirt ndër dhëmbë, të mos ta ngadalësonte hapin në atë udhëtim të sforcuar, prej të cilit varej fati i djalit të vetëm, ai filloi të kalonte nëpërmend jetën e tij plot andralla. Një buzëqeshje e hidhur u shfaq në cepat e buzëve të zbardhur nga shkuma e frymëmarrjes së zorshme.
«Dihet se shumica e njerëzve vuajnë në këtë botë, në forma të ndryshme, tha me vete. – Të pakët janë ata që e gëzojnë vërtet jetën. Por nganjëherë duket sikur fati e vë me bast për të sterrosur jetë të veçanta. A do të ketë, vallë, më të dhimbshme nga jeta ime?
2
Kishte qenë vetëm gjashtë vjeç, kur babai i tij ishte larguar nga rrethi i Skraparit në atë të Korçës, për shkaqe hasmërie. Ishin dy vëllezër binjakë dhe një motër tre vjet më e madhe nga ata. Pas dy vjetësh që ishin vendosur në rrethin e Korçës, gjakmarrësit ua vranë babanë. Vëllezërit binjakë nuk i kishin mbushur të njëmbëdhjetë vjetët, kur u vdiq nëna nga sëmundja e tifos.
Katër vjet më vonë, tre jetimët ishin duke punuar në arë, kur i goditi rrufeja. Motra dhe vëllai vdiqën në vend. Aliu qëndroi dy muaj i shtruar në spital. Ai e kishte mbijetuar goditjen qiellore i traumatizuar fizikisht e shpirtërisht.
Jeta, e ngjyrosur me grinë e errët të dëshpërimit dhe vuajtjes, 15 vjeçarit të mbetur fillikat i ngjante si një udhëtim i vështirë, të cilin ai duhej ta vazhdonte krahas të tjerëve, meqenëse ndodhej në të. Edhe vajza, me të cilën u martua, ishte rritur pa baba. Erina kishte qenë shëndetligë, por e shkathët dhe punëtore e papërtuar. Gjatë tetë vjetëve jetesë bashkëshortore, ata kishin lindur pesë fëmijë. Asnjëri prej tyre nuk kishte arritur ta plotësonte i gjallë vitin.
Kjo fatkeqësi, e përsëritur pesë herë, i kishte tronditur në themel shpresat e çiftit të pafat, se edhe ata mund të kishin fëmijë një ditë. Aq më tepër që Erina e kishte përballuar me vështirësi shtatzëninë e fundit. Për këtë arsye, mjekët e kishin këshilluar të hiqte përfundimisht dorë në të ardhmen nga përpjekja për të lindur, ndryshe do të rrezikonte seriozisht jetën e saj.
Ky ndëshkim i pamëshirshëm i fatit i kishte ngrirë shpresat në zemrat e tyre të plagosura. Pas kësaj, të dy bashkëshortët e dëshpëruar vendosën të pajtoheshin me fatin e tyre dorështrënguar, i cili ua kishte hequr prej duarve të dridhura pesë herë me radhë të drejtën për të qenë prindër.
*
Prej atij çasti, shtëpinë e pushtoi një zymtësi e trishtim në rritje. Mjedisi familjar u bë i akullt, megjithë përkujdesjet e të dyve për ta mbajtur gjallë. Humbja e shpresës solli kapitullimin shpirtëror, krizën e mungesës të së ardhmes. Edhe e tanishmja më e begatë, kur i mungon qartazi e ardhmja, shndërrohet në ankth e ftohtësi për shpirtin e njeriut.
Kur Aliu dhe Erina mbeteshin të vetëm përballë njëri-tjetrit në mbrëmje, e kishin të vështirë të bisedonin shpenguar. Megjithëse nisnin biseda që nuk kishin lidhje me hallin që i kishte zënë, heshtja që pllakoste pas disa çastesh tregonte se mendjet e tyre humbisni në të njëjtin vend. Pikërisht atje ku ata nuk donin ta çonin atë. Një nga trillet e mendjes njerëzore është sfida që i bën zemrës, duke i kujtuar më shpesh bash atë që ajo përpiqet të harrojë.
Pajtimi me djepin thatë bëri një çifti i dëshpëruar ta ndiente të plotë peshën e fatkeqësisë familjare. Për çudi, Erina dukej më kurajoze nga i shoqi. Duke qenë shëndetligë, ajo kishte vuajtur shumë prej shtatzënive të njëpasnjëshme. Bile mjekët e kishin këshilluar të çlirohej para kohe nga shtatzënia e fundit, mbasi i rrezikohej jeta. E nxitur prej instinktit të nënës, i përforcuar ky edhe nga dëshira e pashuar për ta provuar edhe një herë fatin koprrac, Erina i ishte nënshtruar me vetëdije të plotë rrezikut. Për këtë, ajo u kishte nënshkruar edhe
një deklaratë mjekëve. Dyluftimet e ashpra me fatin e lehtësonin në një farë mase shpirtin e saj të plagosur. Kur njeriu bën gjithë përpjekjet e mundshme për të shmangur një fatkeqësi, triumfi i kësaj të fundit, duke qenë një fatalitet, sjell diçka zbutëse në shpirtin e tij.
Aliu e përjetoi krejt ndryshe këtë ndëshkim të fatit. Ai u dobësua së tepërmi dhe një hije e zymtë i pushtoi fytyrën, ku rrudhat pasonin njëra-tjetrën. Thinjat shtoheshin çdo muaj në flokët e tij të zes. Gjatë ditës në punë, ai ngujohej në një heshtje të thellë. Vetëm në mbrëmje, kur ndodhej përballë Erinës, Aliu sforcohej të bisedonte me të, tek përpiqeshin të ngushëllonin njëri-tjetrin me asgjë. Aliu kishte përshtypjen se fati cinik i vrojtonte buzagaz nga çatia e dhomës pa tavan dhe argëtohej me fatkeqësinë e tyre. Për të mos ia bërë qejfin kësaj fuqie misterioze, që po i luftonte sikur të ishte një qenie e ndërgjegjshme, edhe ai buzëqeshte me pahir, duke hedhur shikimin nëpër të çarat midis tjegullave.
Aliu punonte deri në mbrëmje, që të kthehej sa më vonë e sa më i lodhur në shtëpi. Vetëm gjumi ishte armëpushim i natyrshëm në luftën me fatin e egër. Kur ndodhte që dy bashkëshortët djepthatë të takonin ndonjë çift tjetër të moshës së tyre, apo që ishin martuar në të njëjtin vit me të, u lëndohej zemra kur shikonin fëmijët e atyre. Erina vinte ré me keqardhje shqetësimin e dukshëm të Aliut, i cili, me të shkëmbyer përshëndetjet e rastit, nxitonte të largohej.
Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE" i Agim Hamitit
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment