Latest News
* * *
Ajo e soditi një copë herë të mirë pamjen trishtuese të të shoqit në gjumin e rastësishëm. Sytë e tij të ënjtur i lanë të kuptonte se ai kishte lotuar, para se ta zinte gjumi nga kapitja shpirtërore.
Nga Agim Hamiti
Prej të pesë fëmijëve të vdekur, çifti i trishtuar ruante vetëm një kujtim. Ata kishin mundur t’i bënin një fotografi fëmijës së pestë. Një fotograf ambulant, i cili po kalonte pranë shtëpisë së tyre me një aparat të vjetër në krahë, i kishte parë Erinën dhe Aliun duke luajtur me vajzën shtatë muajshe. Ai u kishte propozuar që të bënin një fotografi me fëmijën. Meqenëse në atë kohë prania e një fotografi në fshat ishte dukuri e rrallë, ata kishin pozuar me kënaqësi para aparatit me këmbalec, duke mbajtur vajzën midis kokave të tyre. Kjo ishte e vetmja dëshmi se ajo shtëpi kishte pasur mundësi të gjallonte edhe nga një brez i ri banorësh, të cilët do të garantonin vazhdimësinë e jetës në të.
Kur ndodhej në shtëpi, Aliu, duke pirë duhan, nuk ia ndante sytë fotografisë së varur në mur, derisa i rridhnin lot. E shqetësuar nga ky fakt, Erina e fshehu fotografinë në fund të sepetes së pajës, kundër dëshirës së të shoqit.
Një ngjarje e veçantë lidhur me këtë fotografi, i dha kthesë të papritur fatit të tyre të sterrosur.
*
Ishte dita e përvjetorit të dytë të lindjes së vajzës së fundit, e cila kishte vdekur dy javë para se të plotësonte muajin e njëmbëdhjetë. Atë ditë Aliu u kthye më herët nga puna në bujqësi. Erina kishte shkuar qysh të djeshmen tek e ëma e sëmurë. Duke qenë vetëm në shtëpi, ai gërmoi në sepeten e pajës të së shoqes dhe e gjeti fotografinë. Sikur të kishte dashur fati, ajo do të kishte qenë një ditë fatlume për ta dhe do të ishin duke festuar përvjetorin e lindjes së vajzës, por…
Në duart e dridhura ai mbante fotografinë e bijës së vdekur, duke e puthur e njomur me lot. I dërrmuar shpirtërisht, ngaqë të pesë fëmijëve mund t’iu kremtonin vetëm përvjetorë vdekjeje, Aliun e zuri gjumi me fotografinë mbi kraharor. Ai nuk e ndjeu fare Erinën kur hyri në shtëpi.
Ajo e soditi një copë herë të mirë pamjen trishtuese të të shoqit në gjumin e rastësishëm. Sytë e tij të ënjtur i lanë të kuptonte se ai kishte lotuar, para se ta zinte gjumi nga kapitja shpirtërore. Ishte hera e parë që Aliu e rishikonte fotografinë, qysh prej ditës që Erina e kishte fshehur në fund të sepetes, e cila ishte shndërruar në hambarin e dhimbjes familjare. Atje ajo ruante si kujtim nga një rrobë të secilit prej fëmijëve që i kishin vdekur.
*
Kjo sjellje e të shoqit e bindi Erinën se ai nuk e harronte dot dramën familjare. Rrjedha e kohës do ta mahiste e nuk do ta shëronte dot kurrë këtë plagë në shpirtin e tij. Në mbrëmje ajo i bëri të ditur burrit një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e familjes së tyre. Për të dëgjuar edhe një herë guitjet e një fëmije në vatrën e tyre mbetur shkretë, ajo do të sakrifikonte shëndetin e saj, duke iu nënshtruar një shtatzënie të re. Erina ia bëri të qartë Aliut se ky ishte një vendim i pakthyeshëm i saj, cilido që të ishte reagimi i tij:
— Unë e di që ti e ke të vështirë të pranosh rrezikimin e jetës sime, duke menduar: më mirë pa fëmijë e me grua gjallë, sesa të mbetem fillikat. Ndërsa
unë e ndiej aq shumë dëshpërimin tënd, saqë e kam vendosur përfundimisht: ose me burrë e me fëmijë, ose të mos jem fare. Kam besim se edhe Zoti do të na ndihmojë këtë radhë; mjaft na ka munduar. Po më kundërshtove, unë do të vdes prej dëshpërimit; në rast se do të më mbështetësh me gjithë shpirt, unë nuk do ta dorëzoj frymën, pa të dhuruar një fëmijë tjetër. Kam nevojë për ndihmën tënde, Ali. Jeta jonë nuk ka kuptim si dy qyqarë. Tekefundit ne kemi lindur fëmijë; unë jam djepthatë, por jo barkthatë. Pse të mos e kërkojmë edhe një herë ndihmën e Zotit?
Mënyra sesi ia parashtroi Erina vendimin e saj e gjunjëzoi Aliun. Ai nuk u përpoq ta kundërshtonte, por as nuk e miratoi me zë vendimin e guximshëm të bashkëshortes. Ajo do të bënte një sakrificë të madhe, për një qëllim të madh. Megjithatë Erina dalloi hijen e një buzëqeshjeje të përmbajtur në fytyrën e burrit. Në thellësi të qenies së tij ishte ndezur drita e shpresës, e cila reflektoi edhe në fizionominë e zymtosur prej kohësh të Aliut. Kjo fliste më shumë se çdo premtim i tij i mundshëm. Me instiktiv e femrës, Erina e kuptoi se të shoqin do ta kishte mbështetje, për të realizuar ëndrrën e tyre të përbashkët.
4
Për shkak të përvojës rrëqethëse të pesë shtatzënive të mëparshme, çifti gjakngrirë e priste zemërdredhur lindjen e fëmijës së gjashtë. Ata nuk guxonin të gëzoheshin para kohe, mbasi edhe hidhërimi do të ishte më i madh në rast
përsëritjeje të fatkeqësisë. Aq më tepër që mjekët këtë herë ishin në kundërshtim të plotë me shtatzëninë e re të Erinës. Ankthi i tyre u shtua edhe më shumë kur gruaja shtatzënë mori të ftohur, dy muaj para se të lindte.
Megjithatë shtatzënia e gjashtë u dhuroi një djalë në kohë lufte, në verën e vitit 1940. Ai doli i saktë në jetë, megjithë shëndetin e tronditur të nënës. Të tronditura ishin edhe shpresat e prindërve për jetëgjatësinë e këtij fëmije të ardhur me siklet në jetë. A do të arrinte ai t’i mbijetonte telashet shëndetësore të foshnjërisë problematike që ua kishte lënë djepin thatë?
Djali i sapolindur ishte shpresa e tyre fundit për tu bërë me fëmijë. Madjé, një shpresë e paparashikuar. Për këtë arsye, i vunë emrin Shpresim.
*
Kishte të ngjarë që edhe fatin e tyre ndëshkues ta kishte zënë gjumi përkohësisht, ngaqë kishte djersitur shumë duke punuar me ngulm kundër çiftit të dëshpëruar. Ndonëse muajt po kalonin dhe Shpresimi po arrinte cakun kritik të foshnjërisë, gjendja e tij shëndetësore paraqitej normale. Fiziku i tij nuk ishte i një fëmije të shëndetshëm, por për prindërit e dridhmuar ishte inkurajues fakti që tek ai nuk po shfaqeshin shenjat e krizës shëndetësore të fëmijëve të mëparshëm.
Kur fëmija këmbëmbarë e kaloi motin e parë, prindërit e tij u çliruan disi prej ankthit torturues. Ata e festuan me gëzim të madh atë ditë, e cila shënonte një pikëkthese për të ardhmen e kërcënuar të familjes. Festuan gjithashtu edhe përvjetorë të tjerë ditëlindjeje të djalit të tyre të vetëm, duke fituar gradualisht qetësinë e humbur shpirtërore.
*
Dita e parë e shkollës së Shpresimit qe një festë e vërtetë familjare. Atë ditë prindërit e tij besuan se, më së fundi, e kishin lënë pas kohën e trishtuar të humbjes së njëpasnjëshme të fëmijëve. Tashmë djali i tyre, ndonëse trupimët, ishte rritur e forcuar fizikisht dhe nuk përbënte më një pré të lehtë për vdekjen makute, që nuk u ishte shqitur prej pragut të derës.
Me fillimin e shkollës, Erina dhe Aliu kishin përshtypjen se fati i djalit të tyre do të përzihej me të shumë bashkëmoshatarëve të tij dhe do të ndryshonte në përshtatje me klimën e re jashtë familjes që ishte kthyer në një vatër fatkeqësish. Kjo bëri që edhe nëna shëndetligë filloi ta merrte pak veten. Çdo ditë që e niste Shpresimin për në shkollë, apo e priste kur kthehej prej andej, Erina e shtrëngonte fort në krahë dhe mezi shkëputej prej tij. Ai ishte qëllimi dhe kuptimi i jetës së saj.
Kaluan dy vite shkollorë të qetë e premtues për shëndetin e mbarëvajtjen në mësime të djalit burim shprese. Një ditë korriku, pas përfundimit të klasës së dytë me fletëlavdërimi, fatkeqësia, përkohësisht e strukur, ra mbi kokat e tyre,
si dikur vetëtima mbi dy vëllezërit dhe motrën në arë. Fati tekanjoz ishte zgjuar prej gjumit dhe po i përvishej punës së mbrapshtë të mbetur në mes.
Trupi i nxehtë i Shpresimit që përpëlitej në ethe, lotët e Erinës që po rridhnin nëpër brazdat e hershme të thara përkohësisht, gjuri i ënjtur e dhëmballa e acaruar i jepnin nota të theksuara dhimbjeje e sikleti marshimit të tyre të ngutshëm drejt mjekut, drejt shpresës. Mirëpo drejt shpresës ecet edhe i lodhur, i dëshpëruar, apo i tronditur. Dhe ata ecnin, ecnin e gulçonin…
5
Pas një vizite të kujdesshme, mjeku u shpreh:
— Djali ka marrë të ftohur, por besoj se do ta kalojë pa pasoja.
Erina vuri kujën, ndërsa Aliu e humbi toruan dhe nuk po bënte asnjë përçapje për ta qetësuar gruan e tronditur.
Njëri prej familjarëve të shtëpisë ku pushonte mjeku, i shpjegoi atij me zë të
ulët fatkeqësinë e prindërve të Shpresimit. Profesioni dhe mosha e nxitën atë të bënte çmos për t’i qetësuar:
— Ju lutem, më kuptoni drejt. Fëmija nuk është në atë gjendje shëndetësore që mendoni ju. Ne, mjekët, nuk e kemi zakon që t’i zgjedhim fjalët, kur sqarojmë pacientët. Ndodh kështu, ngaqë kjo është puna jonë e përditshme. Qetësohuni, ju lutem. Djalit do të fillojë t’i zbresë temperatura, pasi të pijë këtë hape të tretur në ujë.
Ai nxori prej një kutie që kishte në çantë një tabletë dhe ia dha nënës së përlotur.
— Shkrije këtë në një gjysmë luge gjelle ujë dhe ia jepni djalit ta pijë tani. Ndërsa këtë shurupin do t’ia jepni tre herë në ditë, nga një lugë kafeje, pas të ngrënit. Djalin nuk do ta sillni më këtu, se mos ju ftohet rrugës. Unë do të vij vetë çdo ditë në shtëpinë tuaj, për ta ndjekur nga afër ecurinë e shëndetit të tij. Bir i kësaj krahine jam edhe unë; nuk e kam të vështirë të bëj një shëtitje dalëngadalë deri tek ju. Duhet të tregoheni të kujdesshëm të mos ju ftohet sërish djali, veçanërisht në rastet kur do të djersijë pas marrjes së ilaçeve. Ikni të qetë. Unë do të kujdesem për Shpresimin njësoj si për fëmijën tim.
Ai nuk pranoi të merrte shpërblim për shërbimin e kryer.
*
Mjeku shkoi rregullisht tek shtëpia e Aliut, sipas premtimit. Ai e bëri këtë dhjetë ditë rresht, derisa fëmija u përmirësua dukshëm.
— Tani qetësohuni përfundimisht. Djali është si kokrra e mollës. Largojeni të keqen nga mendja. Unë do të jem edhe disa ditë akoma këtu me pushime. Po lindi nevoja, mos ngurroni të më lajmëroni.
Ai u përshëndet miqësisht me Erinën dhe Aliun dhe rinisi shëtitje në drejtim të kundërt me atë të ardhjes.
Pas tri ditësh, Aliu shkoi përsëri tek mjeku. Këtë herë jo për shëndetin e fëmijës. Me rastin e përfundimit të pushimeve dhe të largimit të tij për në Tiranë, ai e ftoi atë për drekë. Megjithëse mjekut i vinte keq ta harxhonte familjen e vobektë, ai e pranoi me kënaqësi ftesën, për të mos i fyer.
Prej asaj dite, prindërit e Shpresimit e shpallën mik familjar mjekun që i shpëtoi jetën djalit të tyre të vetëm. Sa herë vinte në Korçë më vonë, ai nuk rrinte pa bërë një vizitë tek familja mirënjohëse. Ndërkohë u dha adresën e banimit në Tiranë, duke ua bërë të ditur se ishin të mirëpritur prej tij në çdo rast.
Fragment nga "ENIGMA E NJË BRENGE"
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment