Latest News
* * *
Një shpërthim shurdhues i preu fjalën në mes, duke mbuluar me hi e tym gjithçka përqark. Kur atje shkuan fshatarët që dëgjuan shpërthimin, i gjetën të dy prindërit e Shpresimit të aksidentuar rëndë. Aliu, krejt i dëmtuar fizikisht, kishte vdekur në çast...
Agim Hamiti
Kur Shpresimi plotësoi moshën dhjetë vjeç, prindërit e gëzuar i punuan me porosi një varëse floriri në Korçë. Nga njëra anë e saj ata kishin shënuar inicialet e birit të tyre SH. B., kurse nga ana tjetër e varëses, ato të mjekut shpëtimtar: V. T.. Më së fundi ata ishin bindur se Zoti ua kishte falur atë fëmijë në pikun e dëshpërimit, për të mos ua marrë para kohe.
Shpresimi, tashmë i ndërgjegjësuar, i priste me kënaqësi vizitat e mjekut. Dy vitet e fundit, kur vinte me pushime, ky merrte me vete një mbesë të vogël: vajzën e djalit të tij. Ajo ishte mjaft simpatike dhe e shkathët. Gjyshi e donte shumë Edlirën llafazane dhe nuk e ndante, kudo që shkonte. Ajo ishte pesë vjet më e vogël nga Shpresimi, por e kundërta e natyrës së tij të heshtur. Falë llafeve e gjesteve të saj joshës, Edlira merrte ledhatime prej të gjithëve.
Prindërit e Shpresimit kujdeseshin së tepërmi për t’i bërë qejfin Edlirës lozonjare, sa herë vinte mjeku për vizitë tek ata. Megjithë protestat e gjyshit, Erina nuk e linte asnjëherë pa dhuratë mbesën e vogël, kur largoheshin për në Tiranë, pas pushimeve verore. Nën shembullin e prindërve të tij, edhe Shpresimi përpiqej ta argëtonte Edlirën, kur loznin bashkë. Ai zhvillonte me të ato lloj lojërash që i pëlqenin asaj dhe e nxirrte gjithmonë fitimtare në garat e vrapimit.
Edlira simpatike u bë shkak që mjeku t’i shpeshtonte vizitat tek shtëpia e Shpresimit, ngaqë i pëlqente shumë të luante me të. Gjyshi nuk ia prishte kurrë qejfin Princeshës së Artë, siç e thërriste të mbesën për shkak të flokëve të bukur biondë. Sa më të gëzuar ta shikonte Edlirën, aq më shumë lumturohej e rinohej vetë.
Kjo ishte periudha më e qetë e më e gëzueshme për familjen e dridhmuar të Shpresimit. Pas atij dimri të gjatë e të ashpër, kjo pranverë e vogël po i përtërinte shpirtërisht Aliun dhe Erinën. Ishte hera e parë që ata e shikonin njëri-tjetrin të buzëqeshur qysh prej fillimit të vdekjeve në seri të fëmijëve.
*
Si bazë ekonomike të trashëguar nga i ati, Aliu kishte një arë dy hektarëshe dhe gjashtë dynymë kullotë në vazhdim të saj. Për të përballuar shpenzimet e jetës familjare, ai punonte gjithashtu me mëditje tek fshatarë të tjerë.
Në vjeshtën e vitit 1953, ai vendosi ta zgjeronte pak arën ekzistuese. Në anën lindore, ajo kufizohej prej një ferre të madhe në gjithë gjatësinë e saj. Më tej vazhdonte me një korije të sistemuar natyrshëm. Atë rrip toke Aliu mund ta
fitonte pa e cenuar sipërfaqen e shfrytëzueshme të kullotës.
Ferra ishte e dendur dhe punoi disa ditë me kosore për ta pastruar shumicën e saj. Një pjesë ishte e vështirë për ta prerë dhe ai vendosi ta digjte. Meqenëse brenda ferrës kishte edhe shkurre e barishte të njoma, Aliu po e ndihmonte zjarrin me shkarpa të thata që të merrte sa më mirë.
Ishte kohë dreke dhe Erina i solli ushqimin tek puna. Aliu vendosi ta digjte ferrën e pastaj të ulej për të ngrënë. E shoqja po rrinte pak më tej, në pritje. Nën kujdesin e tij të vazhdueshëm, flakët po shtoheshin dhe po e përpinin ferrën nga të gjitha anët. Papritur prej andej doli një lepur. Aliu e qëlloi me kosore, por nuk e goditi dot.
— Sa keq që nuk e vrave! i tha Erina. – Kur e zgjova nga gjumi Shpresimin pardje në mëngjes, u mërzit shumë se kishte qenë në ëndërr. «Pse më zgjove në këtë çast?» më tha. «Isha duke ngrënë mish. Mirë që nuk keni të më jepni mish në të vërtet, po në ëndërr pse s’më lini të ha?»
— Nuk qe rrësk, o grua, unë e…
Një shpërthim shurdhues i preu fjalën në mes, duke mbuluar me hi e tym gjithçka përqark. Kur atje shkuan fshatarët që dëgjuan shpërthimin, i gjetën të dy prindërit e Shpresimit të aksidentuar rëndë. Aliu, krejt i dëmtuar fizikisht, kishte vdekur në çast, kurse Erinën e çuan urgjentisht në spital, me fare pak shpresa shpëtimi.
Nga kontrolli i ushtruar tek vendi i ngjarjes, ekspertiza konstatoi se aksidenti i rëndë kishte qenë pasojë e shpërthimit nga zjarri të dy bombave të fshehura në ferrë gjatë kohës së luftës.
7
— Shpresim, eja të shkojmë bashkë në drejtori, se na kërkojnë, i tha mësuesi kujdestar i klasës së tij.
Ndonëse kishte filluar klasën e shtatë, Shpresimin nuk e kishin thirrur ndonjëherë në drejtori. Ai kishte qenë gjithmonë nxënës i urtë e i zellshëm, kishte shkuar mjaft mirë me shokët dhe në dëftesat e çdo viti shkollor kolona e sjelljes mbante shënimin shembullor.
Shpresimi u nis të shkonte në drejtori me mësuesin, pa e pyetur pse e kërkonin. Ai u habit kur atje gjeti një bashkëfshatar, i cili banonte pranë shtëpisë së tyre.
Drejtori filloi ta sqaronte:
— Ky fqinji juaj ka ardhur të na njoftojë se e ke nënën të sëmurë, Shpresim. Është mirë të shkosh në shtëpi bashkë me të, se je djalë i vetëm e i jep zemër nënës, duke i qëndruar pranë.
Drejtori e mbylli ligjëratën me një psherëtimë të lehtë, duke e shikuar Shpresimin me një keqardhje të dukshme. Kur u mbyll dera pas krahëve të atyre që dolën, ai i tha mësuesit kujdestar:
— Ç’fat i pamëshirshëm! Babai i copëtuar, nëna në agoni, ndërsa Shpresimi, i mbetur pa asnjë mbështetje, duhet t’i bëjë ballë i vetëm gjithë kësaj fatkeqësie. E mban dot skeleti i njomë i një fëmije gjithë këtë barrë dhimbjeje?
— Sikur fati të ishte i arsyeshëm, bota do të kishte pamje tjetër, iu përgjigj mësuesi fytyrëvrenjtur.
*
Lajmi i kobshëm i fatkeqësisë së dyfishtë e traumatizoi djaloshin jetim. Përmasat e kësaj mynxyre ishin dërrmuese për ato shpatulla të njoma. Trupi i tij i imët u duk sikur u tkurr edhe më, një masë mbrojtëse natyrore për të mos lejuar thithjen e mëtejshme të hidhërimit prej organizmit në formim e sipër të një adoleshenti.
Shpresimi, i zbehtë si fildishi, qëndronte pranë krevatit të nënës në spital, në heshtje të plotë. Erina dergjej në koma. Djali i saj i vetëm nuk arriti t’i shikonte të hapur, qoftë edhe për një çast, ata sy të shtrenjtë, shikimi i ëmbël i të cilëve i sillte ngrohtësi të veçantë shpirtërore e i jepte forcë; as të dëgjonte qoftë edhe një tingull nga ato buzë të thara agonie, që e kishin mbyllur gjithmonë ligjëratën me këto fjalë zemre: të keqen, o i vetmi i nënës! Ëmbëlsinë e kësaj shprehjeje të pazëvendësueshme Shpresimi nuk e krahasonte me asgjë tjetër në jetë. Ajo përcillte atë ngrohtësi ndjenjash superiore, e cila është monopol natyror i nënës.
*
Ditën e katërt të agonisë së Erinës shkoi për vizitë në spital mjeku nga Tirana, miku bamirës i familjes. Ai arriti ta përmendte deri diku Shpresimin nga përhumbja që po përjetonte prej disa ditësh, si pasojë e goditjes psikologjike të pësuar. Mjeku ishte i vetmi person me të cilin Shpresimi donte të fliste në ato çaste hidhërimi të thellë. Atij i kujtohej se një ditë e ëma, duke i treguar një fotografi të zmadhuar të doktor Terollit të vendosur në korridor, i kishte thënë:
Mos e harro kurrë këtë njeri, biri im! Për familjen tonë, ai është i dërguar i Zotit në Tokë. Pa ndihmën e tij të paçmuar, ne, largqoftë, nuk do të të kishim ty. Atëherë s’kishte ç’na duhej jeta trung i thatë.
Shpresimit i dukej se, duke biseduar me mjekun shpëtimtar pranë krevatit të agonisë së nënës, shpirti i saj që po përpëlitej midis jetës dhe vdekjes, do ta ndiente që ai nuk e kishte harruar porosinë e shtrenjtë. Prandaj, jo vetëm që u përgjigjej pa ngurrim pyetjeve të mjekut, por bëhej edhe nismëtar bisedash ndonjëherë, krejt ndryshe nga ç’sillej me të tjerët.
Mjeku u shqetësua më shumë për gjendjen shëndetësore të Shpresimit të tronditur në themelet e qenies së tij, sesa për nënën që i kishte orët të numëruara. Ai i dha një kurë vitaminash për fuqi dhe e porositi t’i respektonte të tre vaktet e ngrënies, cilado që të ishte cilësia e ushqimit.
Ditën e pestë pas shtrimit në spital, Erina dha shpirt. Doktor Terolli qëndroi edhe dy ditë të tjera pranë Shpresimit dhe, pasi i la jetimit një shumë të hollash me rastin e ngushëllimit të vdekjes së të dy prindërve, u nis për në Tiranë. Ai i premtoi se do të vinte përsëri, kur t’i krijohej mundësia.
Pas largimit të mjekut, Shpresimi e ndjeu më tepër acarin e vetmisë në dëshpërim.
8
Pasi i varrosi të dy prindërit, jetimit 13 vjeçar iu bë e pamundur jetesa i vetëm në shtëpinë e boshatisur, ku ai kishte jetuar e vuajtur së bashku me prindërit. Gjithashtu ai nuk dëshironte të shkonte më tek ara, ndanë së cilës prindërit e tij të dridhmuar kishin gjetur vdekjen masakruese.
Nëna e Shpresimit kishte pasur një motër të martuar në një fshat tjetër të Korçës. Ajo nuk i ishte ndarë Erinës në spital, deri ditën që ndërroi jetë. Motra ishte kujdesur gjithashtu për varrimin e dy bashkëshortëve fatkeqë, si dhe për respektimin e normave zakonore në mort nga ana e nipit adoleshent.
Nën ndikimin e kujtimeve lënduese që përjetonte në shtëpi, në arë, tek varrezat dhe kudo që kishte qenë me prindërit, Shpresimi u detyrua të shpërngulej në fshatin ku jetonte tezja e tij. Ajo kishte burrin dhe dy vajza më të rritura nga Shpresimi. I shoqi ishte i njerëzishëm dhe i dhimbsej jetimi i mbetur fillikat. Madjé, ai ishte shprehur i pari për ta strehuar në gjirin e familjes së tij nipin e gruas.
Shpresimi, i qetë nga natyra dhe shpirtlënduar prej fatkeqësisë, sillej si një vëlla i mirë me dy kushërirat më të rritura. Ato i qëndronin pranë në kohën e lirë dhe përpiqeshin t’ia mërgonin pikëllimin e thellë që konturonte tiparet e tij njomëzake.
Tezja u interesua dhe i dha me qira arën dhe kullotën të braktisura nga i nipi. Delet e tij ajo i bashkoi me të tyret, pasi u bëri nga një prerje të vogël në vesh për t’i dalluar. Shpresimi filloi punë si bari me bagëtitë e oborreve personale të fshatarëve. Bashkë me to, ai kulloste edhe bagëtitë e tij e të tezes. Shpresimi ishte i shkathët e i kujdesshëm në ruajtjen e bagëtive, fjalëpakët e i dëgjuar. Këto cilësi të vyera të tij dhe drama familjare e pësuar bënin që ai të shpërblehej diçka më mirë nga sa i takonte vendit të punës.
Duke menduar për të ardhmen e nipit jetim, tezja ia ruante mënjanë Shpresimit të hollat që fitonte nga puna. Këto dhe të ardhurat nga qiraja e tokës dhe e kullotës përbënin perspektivën ekonomike për krijimin e familjes së tij të re në të ardhmen. Shpresimi shpenzonte vetëm për ushqim e veshmbathje; harxhime të tjera nuk bënte.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment