Latest News
Hije
Rrezja e hënës përcillej ngadalë, ngrihej, rrumbullakohej nga lart… Një grua e bardhë, e palëvizshme dhe e tejdukshme si bryma, mbahej përpara meje.
Ivan Turgeniev
...
Shumë vite më parë, rrufeja e kishte goditur këtë lis, duke ia thyer majën e cila u tha me shpejtësi ; por trungu kishte mbetur i fuqishëm, i gjelbër dhe i fortë ; pema mund të jetonte ende dhe ca shekuj. Duke iu qasur pranë, një re e lehtë mbuloi hënën… Bënte terr në gjethnajë.
Në fillim, nuk vura re asgjë të veçantë… Por duke i hedhur një sy anash, zemra m’u tkurr me forcë: forma e bardhë ishte aty, e palëvizshme pranë shkurreve, ndërmjet lisit dhe pyllit. Flokët m’u ngritën përpjetë, por e mblodha zemrën dhe u eca përpara.
Ishte pikërisht vizitorja ime e natës. Kur qeshë fare pranë saj, hëna ndriçoi përsëri. Dukej se vegimi ishte thurur me një brymë të qumësht dhe të tejdukshme. Përmes fytyrës së saj, shquaja një degë që era e tundte lehtë. Vetëm sytë dhe flokët e saj formonin njolla të zeza, dhe një unazë e madhe prej ari rrëzëllinte në një gisht të dy duarve të saj të bashkuara.
U ndala dhe desha të flas, por tingujt m’u lidhën në grykë, ndonëse, të them të vërtetën, nuk provova më frikë. Sytë e saj më shikonin me ngulm; nuk shprehnin as gëzim as trishtim, por një lloj vëmendje të vdekur. Prita që të hapë gojën, por ajo më këqyrte papushim me vështrimin e saj pa jetë. Më kapi frika përsëri.
« Ja ku jam ! » thirra më në fund mundimshëm.
Tingulli i zërit tim m’u duk tejet i mbytur.
« Të dua, pëshpëriti gruaja.
- Më do ? përsërita unë në kulmin e habisë.
- Ji i imi, tha ajo me zë të ulët.
- Të jem i yti ?... Por ti je një hije… Ti nuk ke madje as trup… »
Një ndjesi e çuditshme më mbërtheu.
« Çfarë je ti pra ? thashë unë… Një tym ? Ajër ?... Një avull ?... Që të jem i yti ?... Më thuaj më parë kush je. A ke jetuar mbi tokë ? Nga vjen ?
- Ji i imi. Nuk do të bëj asnjë të keqe. Më thuaj vetëm dy fjalë : « Më përqafo »…
E vështrova… « Ç’thotë ajo ? » pyeta veten… « Ç’do të thotë e tërë kjo ? Si do të bëjë ajo të më përqafojë ? A duhet ta provoj ? »
« Ashtu qoftë, shpalla unë me zë të lartë, aq fort saqë vetë unë u habita (a thua se një dorë e mistershme më kishte shtyrë nga prapa)… Më përqafo ! »
Ende nuk i kisha shqiptuar mirë këto fjalë dhe gruaja hije, tërë trupin të shkundur nga një e qeshur e brendshme, bëri një lëvizje të beftë drejt meje dhe hapi krahët… Desha të shmangem… Tepër vonë : tashmë isha e saj. Krahët e saj më pushtuan, trupi im u shkëput nga dheu dhe ne fluturuam ngadalë, butësisht, përsipër barit të lagësht…
...
Përkthyer nga frëngjishtja
URIM NERGUTI
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment