Latest News
Përkthyesi Ardian Klosi ndërron jetë!
“Largimi i parakohshëm nga kjo jetë e shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju - familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë,
Në orët e para të së premtes është gjendur i vetëvarur në banesën e tij në Tiranë publicisti i njohur, Ardian Klosi. Ende nuk dihen shkaqet e vetëvarjes së publicistit Ardian Klosi, ndërkohë që bëhet e ditur se ai kishte tentuar dhe më parë vetëvrasjen. Ardian Klosi prej disa kohësh kishte shfaqur shenja depresioni dhe gjendje të rënduar psikologjike. Policia e Tiranës shkoi menjëherë në vendgjarje për të kryer procedurat dhe hetimet e nevojshme.
Z. Klosi do të mbahet mend për kontributin e tij në shoqërinë civile dhe publicistikë.
Topi: Humbëm njeriun e guximshëm
Presidenti i Repubilës Bamir Topi në mesazhin e tij i shpreh ngushëllimet familjes së publicistit të njohur, Ardian Klosi.
“Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të Ardianit!”, i drejtohet ai familjes së publicistit të shquar.
“Largimi i parakohshëm nga kjo jetë e shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju - familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm që marrin përsipër të kryejnë misione altruiste në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, shprehet Presidenti në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Kreu i shtetit ka shprehur edhe vlerësimin e tij personal dhe institucional për përkushtimin njerëzor e profesional, veprën artistike dhe jetën aktive shoqërore të një prej njerëzve më të njohur të publicistikës shqiptare.
DRITË E SHUAR
April 26, 2012 by Xha Xhai
Vetëm dy-tre orë ka, që më lajmëruan për vdekjen e mikut tim të dashur, Ardian Klosit. Distanca oqeanike që më ndan nga Tirana ma bën dhimbjen edhe më të hidhur, mosbesimin edhe më real dhe refuzimin të vetmin reagim sado pak të arsyeshëm.
Dan Klosi, duke ikur kështu, më braktis dyfish – sepse e kisha shok të vjetër, që në vitet e gjimnazit e të universitetit, gati-gati duke u rritur bashkë me të dhe i pritur në familjen e tij si të isha i shtëpisë; por edhe si koleg dhe bashkudhëtar të paçmuar, në rrugën e letrave dhe të kulturës.
Ishte nga ata njerëz që vijnë gjithnjë të paktë dhe që kërkojnë vëmendje e kujdes, si çdo pasuri tjetër kombëtare; vëmendje dhe kujdes që jo gjithnjë ia dhamë. Me përpjekje të palodhura dhe energji të habitshme, ia doli që të krijojë një hapësirë të vetën, në kulturën shqiptare, për të cilën të gjithë do t’i jemi mirënjohës: si publicist, si shkrimtar, si kritik letrar, si përkthyes, si botues, si njeri i kulturës, si protagonist betejash të shoqërisë civile. Nuk e zëvendësojmë dot, veç mund ta kujtojmë tani me pikëllim.
Herën e fundit e kam takuar në Tiranë, në vjeshtë të vitit që shkoi; ishte i lënduar nga disa brenga në familje, por megjithatë planet për të ardhmen i kishte të shumta: përkthime, botime, një panair të ri libri në Pranverë.
Nuk dua të përmend këtu shkakun e vdekjes – vdekja vjen e njëjtë, pavarësisht nga çfarë na e afron. Mbushem me maraz të parrëfyer, kur mendoj që mund të kishim bërë diçka më tepër, që unë vetë mund të kisha bërë diçka më tepër, për ta parandaluar kobin – por as për këtë nuk duhet folur.
Përkundrazi, dua ta kujtoj Dan Klosin siç e mbaj mend nga vitet e dikurshme, me libra të ndaluar, ironi, melankoli, këngë të Beatles-ve, shirita magnetofoni dhe një garanci se jo gjithçka në Tiranën tonë të atëhershme, të viteve të këqija 1980, kishte degraduar.
Jetoj larg Shqipërisë, që tani m’u bë edhe më e largët, sikur natës që kemi në mes t’i shtohej edhe një orë ose fundja edhe vetëm një minutë. Me Dan Klosin më lidhnin kujtimet e pashlyeshme të një periudhe tjetër, krejt heroike deri edhe në meskinitetet e veta; por edhe plane për të ardhmen, të shumta dhe aq motivuese, të paktën për mua.
Më dhemb dhimbja e vajzave të tij dhe e motrave, me të cilat më lidh gjithashtu miqësi e vjetër. Nuk e përfytyroj dot si mund të përballohet ikja kaq e papritur dhe e padrejtë, nga jeta jote, e një njeriu kaq të rrallë dhe të mrekullueshëm, që ndriçonte me mendjen dhe zemrën.
Requiesce in pace, mik i dashur.
Njeriun që e vrau Shqipnia e Keqe
Salih Kabashi, 27 Prill 2012
Jo, jo miqtë e mi! Ardian Klosi nuk e ka vrarë veten. Ardian Klosin e ka vra Shqipëria e Keqe.
Atë e vranë shqiptarët e ligj.
E vranë ngadalë, përditë, sistematikisht dhe me sistem.
E vrau klima tmerrësisht e pafavorshme për mendimin e lire, për studimin e thellë e të paanshëm…
Ardianin e vrau politika e shëmtuar shqiptare.
Ardianin e vranë karrieristët dhe injorantët.
Mirupafshim... faleminderit!
Edvin Parruca
Dikur, te revista “Përpjekja” e Fatos Lubonjës, Ardian Klosi reflektonte në një artikull mbi kuptimin e fjalës ‘intelektual’ edhe pas shumë mëdyshjesh, i jepte karar që një përcaktim i mirë për intelektualin do ishte shkalla e dobisë së tij për shoqërinë, duke përdorur termin ‘dobiprurës’.
Sot ne, njerëzit e këtij vendit tonë të vogël e me plot halle, kemi një dobiprurës më pak dhe rrallë e kisha parë një mërzi kaq kolektive për vdekjen e një njeriu. Ndoshta edhe ngaqë në këtë pjesën tonë të globit figurat publike nuk para e vrasin veten (ndonëse njerëzit e thjeshtë e bëjnë në masë).
E në vend që të vazhdojmë të përsërisim pyetjen ‘pse’ në përpjekje për të kënaqur kuriozitetin tonë, le t’i themi Klosit faleminderit për aq dobi sa na solli ne të gjithëve, si dobiprurës që ishte.
Faleminderit për kontributin në studimet e debatet mbi gjuhën shqipe, për përkthimet në shqip të dhjetëra librave letrarë e studimorë, për përçimin në gjermanisht të një pjese të letrave shqipe.
Faleminderit për angazhimin në hallet tona të përbashkëta, për përpjekjen në mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, për mbrojtjen e ndërtesës së Piramidës, për kundërshtimin e importit të plehrave, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të këtij vendi.
Faleminderit për shembullin e intelektualit të pajoshur nga pushteti, që gjithsesi nuk pushoi së foluri në mbrojtje të ideve të tij se si demokracia do duhej të ishte, se si arsimi do duhej të ishte, se si politika do duhej të ishte. Faleminderit që nuk u lodhe së bëri këtë gjë prej 20 e kusur vjetësh, që në Refleksionet e Akademisë së Arteve, kur u lejuam të flisnim, në mesin e viteve ’90 kur u rikthye frika e të folurit e deri në këto vitet e fundit kur të gjithë flasim papushim për gjithçka.
Kaq, shumë madje po flasim, po ngaqë si qenie s’e durojmë dot heshtjen dhe ti na le krejt pa fjalë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment