Latest News
* * *
— Një Manushaqe të rrallë ta fali Zoti, ndërsa unë po të dhuroj një tufë manushaqe pylli, të cilat do të bëhen xheloze për bukurinë e adashes së tyre të vogël.
Nga Agim Hamiti
Ndërkohë që Shpresimi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, tezja ndërtoi për llogari të tij një dhomë e një kuzhinë rreth treqind metra larg nga banesa e saj. Për këtë iu desh që të shiste, me miratimin paraprak të Shpresimit, shtëpinë e braktisur në fshatin e tij të lindjes.
Kur u kthye prej shërbimit ushtarak, ai e gjeti gati strehën e tij, veças familjes së tezes. Shpresimi rifilloi profesionin e bariut, por tashmë me
bagëtitë e kooperativës bujqësore. Në maj të vitit 1961, ai u martua me një vajzë prej fshatit ku banonte.
Çifti i ri nuk kursehej në punë, për ta rregulluar sa më mirë jetesën në çerdhen e sapongritur. Përqark shtëpisë ata kishin një bahçe të mirëmbajtur. Shpresimi e punonte me kujdes dhe e mbante nën kulturë gjatë gjithë vitit. Kjo jo vetëm që krijonte një mjedis të këndshëm përreth banesës, por shërbente edhe si një burim të ardhurash për ekonominë e tyre modeste.
Barinjtë e tufave të kooperativës bujqësore i bënin me radhë ditët e pushimit. Ndërkohë që njëri prej tyre ndodhej pranë familjes, dy të tjerët duhej të qëndronin me bagëtitë në kullotë. Shpresimi e priste me padurim radhën e tij të ditëve të pushimit. Sa herë që shkonte në shtëpi gjatë periudhës së pranverës, ai i çonte një tufë manushaqe nuses. Kjo lule e tërhiqte shumë Shpresimin. Aroma, forma dhe ngjyra e saj i bënin përshtypje të veçantë. Duke i dhuruar tufën me lule, ai i thoshte së shoqes:
— Pranvera, ti mban emrin e kësaj stine të bukur që mua më magjeps me manushaqet. Sa herë të thërras ty në emër, më shkon mendja tek kjo lule e mrekullueshme.
*
Dhjetë muaj pas martesës, Pranvera ishte në prag të lindjes. Sapo kishte hyrë në muajin e nëntë të shtatzënisë, kur dhimbje të forta e detyruan të shtrohej para kohe në spital. Pas një sërë analizash, mjekët vendosën të bënin ndërhyrje kirurgjikale, për shkak të një infeksioni në mitër. Ata e siguruan çiftin e ri se fëmija do të dilte në jetë pa probleme. Por, pas operacionit të domosdoshëm, Pranvera nuk do të lindte më. Asnjëri prej tyre nuk ngurroi të pajtohej me vendimin e mjekëve.
Vajza lindi e shëndetshme, por mamaja e re u detyrua të qëndronte edhe tri javë pas operacionit nën mbikëqyrjen e mjekëve në spital. Veç faktit që ajo nuk
do të lindte fëmijë tjetër, nusja nuk pati asnjë pasojë shëndetësore.
— Ke menduar për emrin e vajzës, Pranvera? e pyeti Shpresimi, duke buzëqeshur.
— Pranverat sjellin manushaqe, Shpresim, iu përgjigj po me buzëqeshje ajo.
Ai e pranoi me kënaqësi propozimin inteligjent të nuses.
Sa herë që i dhuronte tufën me lule pas lindjes së vajzës, ai i thoshte i qeshur Pranverës:
— Një Manushaqe të rrallë ta fali Zoti, ndërsa unë po të dhuroj një tufë manushaqe pylli, të cilat do të bëhen xheloze për bukurinë e adashes së tyre të vogël.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment