Latest News
* * *
Sa herë që ndërronte veshjen, ai nuk harronte të vendoste në xhepin e xhaketës apo të pantallonave shaminë e çmallimit, siç e quante. Këtë shami ai nuk e përdorte për asgjë tjetër, veç i merrte erë sa herë i shkonte mendja tek vajza, kur ndodhej larg familjes.
Agim Hamiti
Banesa e pastër me bahçen e sistemuar për qejf dhe nusja e buzëqeshur me vajzën e vogël në dorë e ngazëllenin shpirtin e ndjeshëm të Shpresimit, duke e çliruar dalëngadalë prej pikëllimit të rrënjosur thellë në qenien e tij. Me të njëjtën ndjenjë padurimi e priste ardhjen e bashkëshortit në shtëpi edhe Pranvera, e cila nuk e kishte parë ndonjëherë të nxehur Shpresimin dhe s’kishte dëgjuar fjalë të keqe prej gojës së tij.
Vetëm jetimi e di ç’do të thotë mungesë prindi. Meqenëse atë vetë e kishte munduar shumë jeta pa prindër, Shpresimi bënte çmos që familja e tij e re të mos ndiente asnjë mangësi në marrëdhëniet me burrin dhe babanë. Ai e quante mëkat për shpirtin e tij të lënduar, sikur të mbetej borxhli në dashuri karshi Pranverës dhe Manushaqes.
Nusja kishte përshtypjen se Shpresimi e tejkalonte masën e shprehjes së dashurisë karshi familjes. Kur ndodhte të thernin ndonjë dele në tufën ku ai shërbente, Shpresimi vetëm sa e prekte pjesën e tij të mishit të pjekur dhe nisej kastile nga stani për ta çuar në shtëpi. Atje rrinte vetëm një orë dhe kthehej përsëri natën tek vendi i punës, duke përshkuar një udhë të gjatë malore. Pranvera nuk e quante normale një sjellje të tillë dhe i bënte vërejtje:
— Si nuk të vjen rëndë prej shokëve të punës, xhanëm? Edhe ata familje kanë, por nuk besoj se veprojnë kështu.
— Ndoshta ke të drejtë, por unë nuk e kaloj dot poshtë mishin e pjekur, kur mendoj që ju këtu në fshat nuk e shikoni me sy. Duke ngrënë bashkë me ju, unë e shijoj çdo ushqim si mishin e pjekur, ndërsa mishi i pjekur më duket pa shije në mungesë tuaj.
Një ditë, duke biseduar me Shpresimin për klimën e maleve të Korçës, ku ata kullosnin bagëtitë gjatë verës, Pranvera i tha:
— Kam dëgjuar se e keni ngritur stanin pranë një burimi lajthish me ujë akull të ftohtë. Është e vërtetë?
—Po. Që të bindesh për këtë, unë do të sjell nga ai ujë për ta provuar.
Prej asaj dite, Shpresimi, sa herë vinte në shtëpi, e sillte pagurin e aluminit të mbushur me ujë të atij burimi, megjithë kundërshtimet e nuses.
*
Me rastin e pesëvjetorit të ditëlindjes së Manushaqes, Pranvera i kishte blerë asaj një fustan të bukur ngjyrë manushaqe. Shpresimi u gëzua shumë kur ia pa veshur vajzës dhe e mbuloi me të puthura. Pas disa muajsh, kur ky fustan nuk i bënte më Manushaqes, ai e porositi nusen të priste një copë prej tij dhe t’i qëndiste një shami dore të bukur. Pranvera ia plotësoi dëshirën.
Shpresimi e mbante këtë shami gjithmonë me vete. Sa herë që ndërronte veshjen, ai nuk harronte të vendoste në xhepin e xhaketës apo të pantallonave shaminë e çmallimit, siç e quante. Këtë shami ai nuk e përdorte për asgjë tjetër, veç i merrte erë sa herë i shkonte mendja tek vajza, kur ndodhej larg familjes. Edhe gjumi në stan e zinte më kollaj, kur e mbulonte fytyrën me atë shami.
Ndonëse Shpresimi ishte i sjellshëm e i respektueshëm me të gjithë njerëzit me të cilët e lidhte jeta, udha e dashurisë së tij të mirëfilltë niste nga nusja e përfundonte tek vajza, ose anasjelltas. Ngrohtësia e vatrës familjare ishte kryefjala e ushqimit të tij shpirtëror. Ai kishte përshtypjen se nuk do të vinte një ditë që të ndihej i ngopur me të.
— Paraqita kërkesë me shkrim pranë kryesisë së kooperativës bujqësore dhe këshillit popullor të fshatit, për të më lejuar të kaloj bari me ndonjë tufë të
Ndërmarrjes Bujqësore Ushtarake (NBU), i tha Shpresimi nuses i gëzuar. – Atje shpërblimi bëhet me rrogë, jo me ditë pune si në kooperativë, njihet e drejta e raportit mjekësor, e pushimeve vjetore, si dhe të japin lesh falas për gunat e shiut të domosdoshme gjatë dimrit. Krahasuar me punën në kooperativë, interesi është më i madh. Po ma miratuan kërkesën, gjendja jonë ekonomike do të ndryshojë për mirë, i premtoi ai entuziast Pranverës.
NBUtë ishin krijuar në pranverën e vitit 1967, si ekonomi ndihmëse për ushtrinë. Barinjtë e tufave të tyre ato i tërhiqnin prej kooperativave bujqësore më të afërta. Njëri prej tyre qe Shpresim Bogoni. Kryesia e kooperativës bujqësore dhe këshilli i fshatit ia miratuan kërkesën bariut të urtë e të zellshëm dhe ai filloi punën atje qysh atë pranverë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment