Latest News
* * *
Ishte njëlloj si, secila prej tezeve, secila në krahun e vet, t’i kishte pëshpëritur në vesh : « Ç’pëlqen më tepër tek ne ? Normalitetin, sekretin, frikën, misterin ? »
Përkthyer nga Drita (Dea) Klosi
...
Serena ngjeu një campechana në çokollatë.
– Më ka thënë gjithashtu që të dukem në rrugë.
Ai e imitoi. Ngjyen bukën në çokollatë.
– Që të besojnë se jeni të gjalla.
Këto fjalë mezi i dolën nga gryka. Dona Serena e gëlltiti me një hop copën e brioshit të ngjyer në sheqer.
– Motra ime s’di të shprehet mirë. E gjora. Kur thotë « që të besojnë » se jemi të gjalla, këtë « të gjalla » e kupton si « shtëpia nuk është e pabanuar ». Dhe kaq.
Aleksi ngulmoi. Matura franceze është racionale dhe metodike.
– Në këtë rast, përse është kaq e rëndësishme që të hyj e të dal fshehtas, nga prapa, në vend që të kaloj nga dera kryesore ?
Plaka i hodhi një vështrim të shumëfishtë. Domethënë, e këqyri me qelqin e vet të stilit të vjetër, qelq prapa të cilit notonte vështrimi i saj miop, por prapa këtij të fundit nxirrte krye një tjetër, vështrimi i shpirtit, tha me vete djaloshi. Ky vështrim ishte aq i errët dhe i pazbërthyeshëm sa e nxiste që të zhytej, qoftë dhe për një çast, në shpirtin e kësaj gruaje.
– Enigmë, u përgjigj më në fund Serena, pasi kishte gëlltitur campechanan.
Aleksi përvijoi një buzëqeshje mirësjelljeje.
– Nëpër përralla, enigmat janë tre, dona Serena. Dhe ai që arrin t’i zgjidhë, ka një shpërblim.
– Do ta kesh dhe tëndin, tha zonja plakë me një buzëqeshje të pakëndshme.
Aleksi nuk fjeti mirë atë natë, edhe pse « hëngri lehtë ». I mjaftoi një ditë e tërë e kaluar në shtëpinë e Ribera de San Cosme, që imagjinata e tij pastaj të kapërcejë hapin, i cili të detyron të mendosh : Ku jam ? Me kë kam të bëj në këtë shtëpi ? Normalitetin, sekretin, frikën, misterin, lajthitje nga ana ime, arsye që i përvidhen arsyes sime ?
Ishte njëlloj si, secila prej tezeve, secila në krahun e vet, t’i kishte pëshpëritur në vesh : « Ç’pëlqen më tepër tek ne ? Normalitetin, sekretin, frikën, misterin ? »
Ai i mbylli sytë dhe në mendje i erdhi fjala spanjolle « pesadilla ». Mbi të gjitha, i dukej e shëmtuar. Cauchemar ishte një fjalë e bukur, nightmare gjithashtu. Pesadilla të kujtonte mostretjen, humorin e keq, sëmundjen… Një fjalë kobzezë.
– Ç’pëlqen më tepër tek ne ? Normalitetin, sekretin, frikën, misterin… ?
Aleksi mbylli sytë.
– Të ndodhë ç’të ndodhë.
Dhe shtoi, si në ëndërr :
– Të zgjedhësh, është një kurth.
...
(Carlos Fuentes)
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment