Home | Literature | Një Endërr

Një Endërr

image
Silueta, trajtat, çehrja e tij e verdhë në të zeshkët, e tërë kjo m’u duk aq familjare saqë nuk munda të mos ndalem përpara tij dhe të mendohesha kush ishte, ku e kisha parë tashmë. Ngaqë e kishte ndjerë vështrimin tim mbi të, ai ngriti sytë e tij të errët dhe depërtues… Desh thirra…
Ky njeri ishte babai tjetër, ai që kërkoja në ëndërr !


Përkthyer nga Urim Nerguti 
 
 
 



Ju kam thënë tashmë që më ndodhte të flija nën ndikimin e ëndërrimeve të turbullta. Flisja shumë, në përgjithësi, dhe ëndrrat luanin një rol të ndjeshëm në ekzistencën time : shihja pothuaj çdo natë. Nuk i harroja asnjëherë, iu mvishja një kuptim të fshehtë dhe profetik, përpiqesha t’i shpjegoj. Kishte të tilla që riktheheshin papushim, dhe kjo më befasonte gjithmonë. Sidomos njëra më turbullonte më shumë se të tjerat. Ecja përgjatë një rrugice të ngushtë dhe të shtruar keq, të rrethuar nga të dyja anët me shtëpi të vjetra, me çati me majë. Isha në kërkim të babait, që nuk kishte vdekur dhe fshihej në njërën prej këtyre ndërtesave të çuditshme. Depërtoja nën një hajat të ulët dhe të errët, kapërceja një kurt të vogël të zënë me dërrasa dhe kërcunj, dhe hyja më në fund në një lloj kthine të ndriçuar dobët nga dy dritare të vogla rrumbullake. Babai mbahej aty në këmbë në mes të kthinës, i veshur me një robdishamb, dhe tymoste llullën. Por ai nuk ngjante fare me babain tim të vërtetë : ishte i gjatë, i hequr, zeshkan, me një hundë shqiponjë, sy të errët dhe depërtues, i moshuar rreth dyzet vjeç. Ai më qortonte që e kisha gjetur dhe unë, nga ana ime, nuk isha aspak i lumtur nga takimi : nuk provoja tjetër veçse një ndjenjë befasie, madje shastisje. Burri më kthente krahët dhe fillonte të mërmëriste diçka, duke i rënë kthinës lart e poshtë me hapa të vegjël… Pastaj ai largohej pak nga pak, pa u ndalur së mërmërituri dhe duke hedhur vështrime prapa, përsipër supit… Muret e kthinës hapeshin dhe treteshin në një mjegull… I tmerruar nga ideja që po e humbisja babain përsëri, vrapoja pas tij, por nuk e shihja më, megjithëse ia dëgjoja ende mërmërimën e nxehur, një mërmërimë qejfprishur… Zgjohesha me zemër të shtrënguar, dhe nuk arrija të flija më… Tërë ditën tjetër, mendoja për këtë ëndërr dhe sigurisht që nuk i gjeja asnjë shpjegim të kënaqshëm.

Në muajin qershor, qyteti ynë i vogël njihte gjithmonë një lloj gjallërie : anije të shumta vinin të ndaleshin në port, dhe në rrugë qarkullonin fytyra të reja. Shëtisja me dëshirë përgjatë portit, përballë restoranteve dhe hoteleve, duke vëzhguar me imtësi fytyrat e detarëve dhe të miqve të përtej-detit, të ulur nën hijen e perdeve duke pirë me gllënjka të vogla birrën që ua shërbenin në tasa kallaji.
Gjatë njërës prej këtyre shëtitjeve, një burrë, i ulur në verandën e një kafeneje, më tërhoqi mjaft vëmendjen. Ai mbahej palëvizur në karriken e tij, krahët të kryqëzuar mbi gjoks, mbështjellë në një lloj pelerine të zezë, në kokë një kapele kashte. Ca cullufe flokësh të rrallë dhe të dredhur i binin poshtë mbi ballë, pothuaj deri tek hunda ; buzët mblidheshin rreth bishtit të një llulle të shkurtër. Silueta, trajtat, çehrja e tij e verdhë në të zeshkët, e tërë kjo m’u duk aq familjare saqë nuk munda të mos ndalem përpara tij dhe të mendohesha kush ishte, ku e kisha parë tashmë. Ngaqë e kishte ndjerë vështrimin tim mbi të, ai ngriti sytë e tij të errët dhe depërtues… Desh thirra…
Ky njeri ishte babai tjetër, ai që kërkoja në ëndërr !
Nuk mund të gabohesha, sepse ngjashmëria ishte vërtetë e madhe. Vetë pelerina e tij më kujtonte për nga ngjyra dhe rrudhat e saj robdishambin në të cilin më ishte shfaqur.
« Mos jam gjë në ëndërr ? » pyeta veten… Jo… Eshtë ditë, turma e kalimtarëve gumëzhit përreth meje, dielli ndriçon lart në qiellin blu… Dhe kjo qenie nuk është një lugat, por një njeri si unë.
Pashë një stol bosh, u ula, porosita një tas birrë dhe ca gazeta dhe zura të vëzhgoj.



(IVAN TURGENIEV)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0