Home | Literature | * * *

* * *

image
Shteti fqinj verior, i gatshëm si gjithmonë për të nxitur terrorin e kuq në Shqipëri, nënshkroi me regjimin e Tiranës një marrëveshje ekstradimi për shtetasit shqiptarë të arratisur, që do të kërkonin strehim politik atje. Për çdo shqiptar të ekstraduar me dhunë, fqinji keqdashës do të përfitonte 100 ton mineral kromi bruto falas. 
 
 
 
 
Nga Agim Hamiti
 
 
 
 
 
 
 
 
Gjatë muajve të verës pjesa kryesore e kullotës së bagëtive të NBUve ndodhej në zona kufitare, deri pranë klonit. Për këtë arsye, barinjtë e këtyre tufave pajiseshin me lejeqarkullimi të posaçme nga dega e punëve të brendshme të rretheve përkatës. Gjithashtu ata instruktoheshin për vigjilencë revolucionare ndaj shkelësve të mundshëm të kufirit. Ky ishte një kusht bazë i organeve kompetente të pushtetit që lëshonin lejeqarkullimet.
Në fillim të verës 1967, barinjtë e tufës ku punonte Shpresimi paraqitën së bashku kërkesat për këto leje pranë seksionit përkatës të DPB të Korçës. Lëshimi i lejeqarkullimeve prej organit kompetent ishte më tepër një veprim rutinë, mbasi filtri biografik përdorej me vëmendje qysh në përzgjedhjen e barinjve, që do të shërbenin në këto tufa. Barinjtë me cen në biografi nuk e përfitonin këtë privilegj.
Shokët e punës të Shpresimit ishin prej dy fshatrave të tjerë të Korçës. Atyre u shkuan lejeqarkullimet në kryesinë e këshillit të fshatit përkatës, dhjetë ditë pasi kishin bërë kërkesën. Shpresimit jo. Ai bëri kërkesë të dytë, por edhe ajo mbeti pa përgjigje; as miratim, as refuzim.
Lëvizja e tufës së bagëtive prej kullotës pranverore në atë verore u bë, ndërkohë që Shpresimi nuk ishte pajisur endé me dokumentin e domosdoshëm.
Ndërsa dy ortakët e tij u nisën në mal me bagëtitë, ai u paraqit në zyrën e kryetarit të këshillit dhe e vuri në dijeni për çështjen që e shqetësonte:
— Dy shokët e mi kanë mbetur vetëm me bagëtitë në mal, për shkak se mua nuk më ka ardhur akoma lejeqarkullimi për në zonat kufitare. A mendoni se mund të zgjasë shumë kjo parregullsi, shoku kryetar?
— Nuk besoj. Unë do të interesohem pranë personave përgjegjës dhe do ta zgjidh problemin. Eja pas tri ditësh të marrësh përgjigje.
11
Sipas të dhënave operative që mbërrinin në Drejtorinë e Përgjithshme të Kufirit, numri i shkelësve ishte shtuar ndjeshëm qysh prej verës së vitit 1966. Kjo dukuri shqetësuese ishte bërë objekt diskutimi disa herë në Byronë Politike, e cila i dërgonte direktiva të qarta MP të Brendshme për marrjen e masave ekstreme për izolimin e shqiptarëve në atdheun-burg.
Mirëpo, megjithë masat e marra në vazhdimësi, gjendja mbetej problematike. Ishin shkarkuar nga detyra shumë komandantë postash kufitare. Bile disa pre tyre u ishin nënshtruar ndjekjeve penale për neglizhencë në detyrë. Ishin zëvendësuar disa punonjës operativë të zonave të ndryshme kufitare, të cilët nuk kishin arritur objektivat e parashikuara për zbulimin dhe parandalimin e shkelësve të kufirit. Partia i kishte pajisur organet e saj të dhunës me mjetet e domosdoshme juridike, për ta eliminuar këtë kategori armiqsh qysh në vezë: nenet e agjitacion-propagandës dhe të përgatitjes për arratisje nuk kërkonin asnjë provë materiale, për të ndëshkuar armiqtë e supozuar. Atëherë, pse ngurronin këta punonjës operativë t’i shfrytëzonin mundësitë e ofruara për të dënuar çdo shtetas mbi të cilin binte hija e dyshimit? Partia nuk mund të tregohej më zemërgjerë se kaq!
Sipas direktivave të fundit, pas Letrës së Hapur të KQPPSHsë, të gjithë punonjësit civilë të zonave kufitare, para se të pajiseshin me lejeqarkullimi, duhej të nënshkruanin një deklaratë, nëpërmjet së cilës zotoheshin se në radhë të parë do të ishin roje vigjilente të kufirit e pastaj të bagëtive, apo të shërbimeve të tjera. Në përzgjedhjen e personave, që mund të punonin në kufi, duhej të kishin përparësi informatorët e rregullt të punonjësve operativë.
Personat që ndihmonin në zbulimin, kapjen ose asgjësimin e shkelësve të kufirit, shpërbleheshin në forma të ndryshme, deri në dekorim prej Kuvendit Popullor. Ushtarët e shërbimit të detyrueshëm shpërbleheshin me leje të zgjatura pranë familjes e me dekorata, kur kapnin ose asgjësonin fizikisht shtetas që tentonin të arratiseshin.
Ndërkohë nivelet më të larta të pushtetit ekzekutiv morën masa rigoroze për blindimin e skllavërisë shqiptare. Iu dha çmimi i Republikës i shkallës së parë inxhinierit që bëri të mundur prodhimin e telit me gjemba në Shqipëri, simbolit të egërsisë njerëzore. Kloni përshkoi tejembanë perimetrin e cunguar të kufirit shtetëror, edhe në ato zona ku terreni ishte i vështirë. Në zonat më delikate ai u dyfishua, duke e shndërruar Shqipërinë në një shtet-burg. Ishte pikërisht periudha kur Perëndimi jetonte kulmin e mirëqenies e të bollëkut, e cila do të hynte në analet e historisë së tyre si kohë e artë.
MP të Brendshme dërgoi një përfaqësues të vetin pranë çdo dege të punëve të brendshme të rretheve kufitare. Ky person, i pajisur me cilësinë e shefit të sigurimit të posaçëm të kufirit, duhej të organizonte grupin operativ të punës, i cili do të vepronte drejtpërdrejt në terren për zbatimin me përpikëri të udhëzimeve të pushtetit qendror. Përkrah të dërguarit të MP të Brendshme, në këtë grup do të bënin pjesë edhe nënkryetari i DPB të rrethit përkatës, punonjësit operativë të zonave kufitare dhe komandantët e postave të kufirit.
Shteti fqinj verior, i gatshëm si gjithmonë për të nxitur terrorin e kuq në Shqipëri, nënshkroi me regjimin e Tiranës një marrëveshje ekstradimi për shtetasit shqiptarë të arratisur, që do të kërkonin strehim politik atje. Për çdo shqiptar të ekstraduar me dhunë, fqinji keqdashës do të përfitonte 100 ton mineral kromi bruto falas. Por, natyrisht, fitimi më i madh i baballarëve të PKSHsë do të ishte vetëshkatërrimi i brendshëm i shoqërisë shqiptare, që po brente vetveten prej një çerek shekulli.
Megjithë këto masa që erdhën duke u intensifikuar e perfeksionuar vazhdimisht, gjatë tremujorit të dytë të vitit 1967 numri i shtetasve që arritën të arratiseshin ishte i barabartë me atë të viteve ’64–’65 të marrë së bashku. Me urdhër qeveritar, forcat e mbrojtjes së kufirit filluan të hapnin zjarr pa paralajmërim mbi shkelësit e kufirit.
 
 
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00