Home | Literature | Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE"

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE"

image
«Personalisht jam i bindur se qëllimit në jetë i arrihet më mirë në saje të dinakërisë, sesa me rreptësi. Për mendimin tim, ne duhet ta pajisim atë djalë me lejeqarkullimi. Duke punuar në zona kufitare, ai do ta ketë rrezikun nëpër këmbë.

 

 

 

Agim Hamiti

 

 

 

 

Personi i parë që pyetej nga dega e punëve të brendshme për pajisjen ose jo me lejeqarkullimi të të interesuarit, ishte punonjësi operativ, i cili mbulonte fshatin nga ishte bariu. Miratimi ose kundërshtimi i tij ishte vendimtar.

Të pasnesërmen e ditës që Shpresimi u paraqit në zyrën e këshillit popullor, Nihati, kryetari i këshillit, takoi operativ Petritin. Ky ishte nga Skrapari, por punonte në rrethin e Korçës. Këta të dy kishin marrëdhënie të ngushta mes tyre. Gratë i kishin kushërira të para dhe kjo miqësi farkëtohej prej detyrave respektive në hallkat kyçe të pushtetit ekzekutiv. Nihati me Petritin shkëmbenin vizita të rregullta familjare.

Pasi diskutuan së bashku probleme të ndryshme pune, Nihati i parashtroi çështjen e lejeqarkullimit të Shpresimit. Ai e vuri theksin në faktin që në zyrën e tij nuk kishte mbërritur endé as miratimi, as refuzimi i kësaj kërkese, sipas rregullit në fuqi.

— Çfarë njeriu është ky Shpresimi, e njeh mirë ti, Nihat? e pyeti operativi kryetarin e këshillit.

— Nuk më ka lidhur puna drejtpërdrejt me të, që të të flas me siguri. Përshtypjet e atyre që e njohin nga afër janë shumë të mira. Askush nuk më ka folur keq për atë djalë.

— Do të habiteshe, sikur të isha unë i pari të të flisja keq për të?

— Puna juaj nuk i përjashton surprizat, Petrit. Megjithatë, në këtë rast,

zhgënjimi im do të ishte i madh. Veç natyrës së tij të qetë e sjelljes së matur, është i rëndësishëm fakti që Shpresimi nuk ka të afërm në këtë fshat, me përjashtim të një tezeje. Natyrisht, kjo e detyron të jetë edhe më i kujdesshëm.

— Prej nga ka ardhur ai në fshatin tuaj?

— Nga Sheqerasi. Shkak për largimin e tij prej andej është bërë një fatkeqësi e rëndë familjare. Të dy prindërit i janë vrarë aksidentalisht prej një shpërthimi bombash të kohës së luftës, tek po punonin për zgjerimin e arës së tyre. Këto të dhëna i kam lexuar në materialin shkresor, që shoqëronte shpërnguljen e tij në fshatin tonë.

— Po babai i tij, ku ka lindur?

— Nuk di gjë për këtë. Të dhënat rreth prindërve nuk na interesojnë, gjersa ata nuk janë më gjallë.

— Të parët e tij kanë qenë nga një fshat i Skraparit, afër fshatit tonë. Tani unë do të të flas rreth tyre si mik familjar, jo si operativ. Gjyshi i këtij djali ka vrarë xhaxhain tim. Pastaj, për t’i shpëtuar gjakmarrjes, ai u shpërngul në rrethin e Korçës, pikërisht në Sheqeras, ku e pagoi me kokë atë që kishte bërë.

«Si ngjarje e një kohe të kaluar, ajo meritonte të harrohej, ndoshta. Mirëpo një gjë e tillë nuk është e lehtë, po të mendosh që dy djemtë e xhaxhait ranë dëshmorë në vitet e luftë dhe sot ajo derë është mbyllur përgjithmonë. As unë e askush prej fisit tim, nuk ka ndërmend të ripërtërijë gjakmarrjen, gjersa haka është larë sipas zakonit dhe sot asnjëra palë nuk i ka borxh tjetrës. Mirëpo nuk ma do shpirti t’i bëj mirë pasardhësit të një gjakësi të fisit tim. Po të veproj ndryshe, më duket sikur mohoj gjakun e atyre të dyve, të cilët nuk na lanë asnjë pasardhës. Kjo është arsyeja e vërtetë, për të cilën unë e kam zvarritur pajisjen e Shpresim Bogonit me lejeqarkullimi.

Petriti ndezi një cigare tjetër me bishtin e së parës.

12

Kryetari i këshillit i kishte dëgjuar me vëmendje shpjegimet e operativit. Ai po e ndiente veten ngushtë që i kishte zgjuar ato kujtime të hidhura mikut të tij, për hir të një hiçi. Dy dëshmorë, pa asnjë mashkull që ta kishte mbijetuar luftën, përbënin një argument të pakrahasueshëm me sjelljen korrekte të pinjollit të vetëm të një familjeje gjakëse. Pa dashje, ai i kishte hequr dregëzën plagës fisnore të Petritit, i cili po thithte thellë cigaren me një pamje të menduar. Për të kompensuar atë që ndodhi krejt rastësisht, Nihati duhej t’i gjente situatës një zgjidhje mikluese për sedrën profesionale të operativit të Sigurimit.

— Para së gjithash të kërkoj ndjesë për shqetësimin që të shkaktova, miku im Petrit, e filloi ligjëratën e tij Nihati. – Po ta kisha ditur si qëndronte puna, unë nuk do të ta kisha përmendur emrin e atij personi edhe sikur nga ajo lejeqarkullimi të varej fati i familjes së atij dhe i tufës së deleve. Së dyti, të falënderoj përzemërsisht për mirëbesimin e treguar, duke më folur me gjuhën e mikut për këtë problem. Me të njëjtën ndjenjë mirëbesimi do të të flas edhe unë.

«Jam i mendimit se çështja e lejeqarkullimit të atij djali duhet shikuar me një sy më të mprehtë dhe më largpamës. Meqenëse jam më i moshuar, do të më lejosh të bëj edhe ndonjë sugjerim dashamirës. Natyrisht, mua nuk më shqetëson fare fakti pse mbeti një bari pa lejeqarkullimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për një person të padëshirueshëm. Këtë çështje dua ta trajtoj duke pasur parasysh vetëm interesat shpirtërore e morale të fisit tuaj, pa e llogaritur atë tjetrin.

«Personalisht jam i bindur se qëllimit në jetë i arrihet më mirë në saje të dinakërisë, sesa me rreptësi. Për mendimin tim, ne duhet ta pajisim atë djalë me lejeqarkullimi. Duke punuar në zona kufitare, ai do ta ketë rrezikun nëpër këmbë. Në kuadrin e masave rigoroze që po merren kundër shkelësve të kufirit me vendim nga lart, ne do t’i bënim pa dashje një shërbim të çmuar atij, duke e mbajtur larg zonave kufitare. Kjo do të thotë ta ruajmë prej rrezikut. Atje ai

nuk do të jetë vetëm. Me ndihmën barinjve të tjerë, të cilët do të jenë ortakë pune me të, ne mund ta kemi gjysmë të gatshme mundësinë e dënimit të Bogonit. Ti e di mirë që, sipas orientimeve nga lart të ditëve të fundit, do të bëhen shembuj ndëshkimi publik në nivele të ndryshme. Në një çast të volitshëm, a nuk do të ishte një kurban i përshtatshëm Shpresimi, ndërkohë që ti je operativ i zonës dhe unë kryetar i këshillit popullor të fshatit?

Nihati e mbylli ligjëratën me një shkelje syri kuptimplote.

Të nesërmen,operativ Petriti e solli dorazi lejeqarkullimin e Shpresimit në zyrë të këshillit.

 

 

 

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", Agim Hamitit

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00