* * *
Asgjë. Gjithçka ishte e palëvizshme. Vetë barishtet dukeshin të ngurtësuara dhe pulëbardhat i iknin vendit ku vala kishte hedhur trupin. Asnjë mbeturinë anije. Hapësirë e pakufizuar, zbrazëti, shkretinë. Vetëm ai, unë, dhe deti që gjëmon nga larg…
Përkthyer nga Urim Nerguti
Ecja me kokën ulur, i zbrazur nga idetë dhe ndjesitë, i mbledhur në vetvete.
Një zhurmë e mbytur, e njëtrajtshme dhe e zemëruar më nxori nga ëndërrimi. Ngrita kokën dhe zbulova detin që gjëmonte nja pesëdhjetë hapa para meje. Këmbët e mia shkelnin rërën e dunave. Të trazuara nga përpëlitjet e fundit të shtrëngatës së natës, dallgët zbardhëllonin deri në horizont dhe vinin të vdisnin ngadalë mbi bregdetin e sheshtë. Eca me hap të lehtë përgjatë vijës që vala kishte lënë mbi rërën e verdhë, mbjellë me mbeturina algash, guackash dhe barishtesh, e që gjarpërimet e së cilave vizatonin figura të çuditshme fantastike. Ca pulëbardha me flatra të mprehura ia behnin nga errësira e shtrëngatës, fluturonin si flokë të mëdhenj dëbore në qiellin e zymtë dhe të dendur, dhe pastaj binin papritur, dukeshin të kërcenin nga kreshta në kreshtë dhe humbisnin përsëri, njëlloj si xixëllonja të argjendta, në mes të shkumës së bardhë. Pak më pas pashë që kishte ca ndër to që rrotulloheshin vazhdimisht rreth një guri të madh, të hedhur aty siç për të zbukuruar monotoninë e bregut të rrafshtë. Ca barishte të trasha rriteshin në tufa të parregullta në njërin krah të shkëmbit, dhe pak më tej, aty ku kërcenjtë e ngërthyer ndalnin rërën e dunave, një masë e errët, e shtrirë, e rrumbullakosur, me përmasa të dobëta, përvijohej i zi mbi sfondin e kthjelltë… E vështrova më me vëmendje… Asnjë dyshim, aty ishte një formë e palëvizshme, e shtrirë fare pranë shkëmbit… Konturet e saj bëheshin gjithnjë e më të qarta ndërsa i afrohesha…
Nuk isha më veçse nja tridhjetë hapa mezi…
Një trup njerëzor ; me gjasë trupi i një të mbyturi, i dalë mbi breg.
E kapërceva me shpejtësi hapësirën që më ndante ende.
Baroni !... Babai im !... U ndala, i shtangur, duke kuptuar përnjëherë që, qysh nga zgjimi i asaj dite, kisha qenë udhëzuar nga një forcë e mistershme… Dhe përgjatë ca çastesh, në shpirtin tim nuk pati asgjë përveç shushurimës së rregullt të detit dhe një terrori të heshtur përballë fatit që më kishte futur nën kthetrat e tij…
* * *
Ai ishte i shtrirë mbi shpinë, lehtësisht i anuar, krahun e majtë të hedhur pas kokës, të djathtin të përthyer nën trup. Bataku ngjitës ia shtrëngonte këmbët, të mbathura me çizme detari ; xhaketa e tij e shkurtër, ngjyrë blu, zbardhur nga kripa, nuk ishte e zbërthyer ; një shall i kuq ia shtrëngonte ngushtë qafën. Fytyra e tij e nxirë, e kthyer kah qielli, dukej të përqeshte lehtësisht, dhe buza e sipërme, e shtrembëruar nga ngërdheshja e vdekjes, zbulonte ca dhëmbë të vegjël dhe të rregullt : bebëzat e syve, të fikura dhe të shpëlara, dalloheshin mezi nga e bardha e syve gjysmë të mbyllur ; flokët, me shkumë nëpër to, ishin shpërndarë mbi rërë, duke nxjerrë të dukshëm ballin e përshkuar nga një vizë mavi ; hunda, e hollë dhe me majë, shquhej si një njollë allçie e bardhë mbi të kuqërremtën e faqeve të groposura.
Shtrëngata e kishte bërë punën e saj. Njeriu nuk do t’i shihte më kurrë brigjet e Amerikës. Ai i cili kishte fyer nënën time dhe prishur tërë ekzistencën e saj, im atë – po, im atë ! nuk dyshoja më – dergjej aty në këmbët e mia, në batak. Në të njëjtën kohë, provoja një kënaqësi të thellë, mëshirë, neveri dhe tmerr… një lloj tmerri të dyfishtë përballë asaj çka shihja dhe çka ishte kryer. Cytje të liga, kriminele, si ato që jua kam përmendur tashmë, më mbërthenin në qenien time dhe më zinin frymën… « Ja, thosha me vete, ja kujt ia detyroj ! »
Pa bërë asnjë lëvizje, vëzhgoja kufomën, duke përgjuar një ndriçim në bebëzat e tij të qelqta, një drithërimë mbi buzët e tij mavi… Asgjë. Gjithçka ishte e palëvizshme. Vetë barishtet dukeshin të ngurtësuara dhe pulëbardhat i iknin vendit ku vala kishte hedhur trupin. Asnjë mbeturinë anije. Hapësirë e pakufizuar, zbrazëti, shkretinë. Vetëm ai, unë, dhe deti që gjëmon nga larg…
Vështrova në krahun tjetër, prapa meje – i njëjti shkretim, asnjë shenjë jete, kodrina të marra dhe të vdekura. Nuk doja ta lija trupin në këtë batak, në mëshirën e peshqve dhe zogjve grabitqarë ; një zë i brendshëm më urdhëronte të shkoj të kërkoj njerëz – a thua se mund të gjeja në atë shkretinë ! – për ta mbartur të vdekurin nën një strehë… Papritur, një tmerr pa emër më kaplloi të tërin. M’u duk sikur kjo kufomë e dinte që do të vija, që ai e kishte organizuar vetë këtë takim të fundit, m’u bë sikur dëgjova një mërmëritje të dhurdhër dhe familjare… U largova ca hapa… hodha dhe një vështrim të fundit mbi babain tim… Diçka shndriste në një gisht të dorës së majtë… Unaza e nënës sime. Më kujtohet ende çka më kushtoi rikthimi përsëri, prekja e akullt e gishtave të palëvizshëm, shkulja e unazës, duke mbyllur sytë, dhe duke shtrënguar dhëmbët…
Më në fund, e hoqa. Hidhem përpara, të bie ku të bie, dhe diçka më përndjek dhe më kap…
(Ivan Turgeniev)
Comments (0 posted)
Post your comment