Home | Literature | * * *

* * *

image
— Vërtet i urtë dukesh, po kush mund të thotë se pasardhësit e asaj dere të nderuar, e cila është mbyllur përgjithmonë, nuk do të kishin qenë shumë më të dobishëm sesa ti?

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

— Më së fundi, ja ku u rregullua dhe kjo punë, Shpresim, i tha Nihati, kur ai u paraqit në zyrë. – Leja e jote ishte firmosur ndër të parat, sipas datës që lexohet mbi të. Mirëpo e kishin nisur gabimisht në adresën e këshillit popullor të një fshati tjetër. Këto ditë ka qenë fushatë e shpërndarjes së këtyre dokumenteve dhe ndodhin gabime të tilla. Me porosinë time, shoku Petrit, punonjësi operativ i zonës sonë, u interesua posaçërisht për lejeqarkullimin tënd dhe e gjeti. Veçse, konform rregullit të sivjetshëm, duhet të firmosësh një deklaratë të përpiluar nga dega e punëve të brendshme të rrethit, para se ta marrësh dokumentin.

Nihati nxori prej sirtarit të tavolinës lejeqarkullimin dhe një fletë letre të shtypur.

— Na, lexoje deklaratën dhe firmose, i tha.

Shpresimit i tërhoqi vëmendjen ky paragraf i tekstit të deklaratës:

Punonjësit civilë në brezin kufitar nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj shkelësve të mundshëm. Partia na mëson, se indiferenti është më i rrezikshëm se armiku. Në rast se vërtetohet që një punonjës ka dyshuar për shkelje kufiri dhe ka heshtur, ai do të ndiqet penalisht si bashkëfajtor me shkelësin.

Megjithatë Shpresimi e nënshkroi tekstin e deklaratës pa hezituar. Kur po matej të dilte, Nihati i tha:

— Ndoshta të lëndoj plagë të së shkuarës me kureshtjen time, Shpresim, por a mund të më thuash se nga ka qenë me origjinë babai yt?

— Nga Skrapari.

— E kishte sjellë ndonjëherë rasti të të tregonte arsyen e largimit të gjyshit prej Skraparit?

— Babai nuk e kishte për zemër ta kujtonte të kaluarën e tij. Megjithatë e kisha dëgjuar në një rast të thoshte se kishte mbetur jetim prej hasmërisë. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja e largimit prej Skraparit.

— Tani ti je banor i këtij fshati dhe unë, si kryetar këshilli, nuk duhet të ngre supet, sikur ndonjë autoritet i pushtetit në rreth të më pyes për të kaluarën tënde. Prandaj u interesova. Nejse, të shkuara e të harruara!

Në kohën që Shpresimi po dilte nga oborri i këshillit, Nihati po e ndiqte me

sy prej dritares së zyrës, duke murmuritur:

— Vërtet i urtë dukesh, po kush mund të thotë se pasardhësit e asaj dere të nderuar, e cila është mbyllur përgjithmonë, nuk do të kishin qenë shumë më të dobishëm sesa ti?

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0