Latest News
Juan Rulfo - Nje Mit Letrar
Sot, Juan Rulfo njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj latinoamerikanë, si i pari që ka hapur hullinë e romanit latinoamerikan të "realizmit magjik".
Nga Urim Nerguti
Përkthyes
Të flasësh, për Juan Rulfon, do të thotë të zhvishesh nga të gjitha stërhollimet e tepërta të llojit njerëzor dhe të shkosh drejt e në thelb. Do të thotë të vësh gishtin në plagë, aty ku dhemb më shumë. Juan Rulfo, "një shkrimtar i lindur", sipas vetë shprehjes së një miku të tij të hershëm, futet ndër ata shkrimtarë që me vetëm pak fjalë arrijnë të japin një botë të tërë. Nuk ka rëndësi koha apo vendi ku zhvillohen ngjarjet e përcjella nga ai, sepse ato janë universale. Cilido lexues që merr në dorë tregimet e tij, do ta shohë dhe lexojë veten duke ecur mbi dheun e kuq të Meksikës, i kërrusur nga përvëlimi i diellit dhe pesha e mëkatit, i përhumbur në kujtimet e një jete të ashpër ku përzihen dhuna dhe vdekja, trishtimi dhe nënshtrimi ndaj fatit.
Sot, Juan Rulfo njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj latinoamerikanë, si i pari që ka hapur hullinë e romanit latinoamerikan të "realizmit magjik". Pothuaj të gjithë shkrimtarët latinoamerikanë, duke filluar që nga Carlos Fuentes, Jorge Luis Borges dhe deri tek nobelisti Gabriel Garcia Marquez e mbajnë Rulfon për mjeshtrin e tyre, për atë që ka ditur më tepër se të gjithë të tjerët të përcjellë deri në palcë të vërtetën e ashpër të Meksikës.
Nuk ka shumë ç’të flitet mbi jetën e tij, në mos që shumë shpejt ai u gjend jetim. I lindur më 1917 në njërin prej shteteve më të varfër të Meksikës, ai humbet të atin (vrarë nga trupat qeveritare më 1923, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes) dhe më 1927, të ëmën, vdekur nga një sëmundje. Më përpara, ai kishte humbur dhe gjyshin, varur në një shtyllë nga banditët. Kështu, ai detyrohet të endet nga jetimorja në jetimore derisa arrin të ndjekë studimet e larta për drejtësi. Zë një vend pune si arkivist në Ministrinë e Brendshme dhe fillon të botojë shkrimet e para. Tregimi i parë i botuar "Na e kanë dhënë tokën" shënon dhe fillimin e karrierës së tij letrare tepër të shkurtër. Fillimisht, ai nuk bie shumë në sy, por kur dy vjet pas botimit të përmbledhjes së tij El Llanos en flammes (botimi i pranishëm "Thuaju atyre të mos më vrasin"), ai boton romanin Pedro Paramo, 1955, atëherë e gjithë bota letrare e asaj kohe përshëndet emrin e një shkrimtari të madh. Dhe kjo do të jetë e tërë trashëgimia që ai na ka lënë : shtatëmbëdhjetë tregime (Thuaju atyre të mos më vrasin), një novelë (Gjeli i artë) dhe një roman (Pedro Paramo). Sipas ca dëshmive të njerëzve që i kanë ndenjur afër, ai ka shkruar dhe tregime të tjera por që i ka grisur më pas. Heshtja e tij do të vazhdojë për tridhjetë vjet, deri në shuarjen e tij më 1986. Duhet thënë që, më 1983, ai ka marrë çmimin "Princ i Asturias", në Spanjë (të njëjtin çmim që shkrimtari ynë, Ismail Kadare, ka marrë këtë vit).
Shtatëmbëdhjetë tregimet e paraqitur në këtë vëllim kanë si kornizë kohore vitet ’20, dhe si hapësinore Llanon, një tokë të shkretë, një bokërrimë ku nuk mbin asgjë përveç ca kaktuseve, si për ta përkeqësuar ende më shumë atmosferën tashmë mjaft të rënduar nga dhuna, vrasjet, incesti, përdhunimet, djegiet, plaçkitjet. Jemi në Meksikën e viteve të revolucionit cristeros, ku një pjesë e fshatarëve meksikanë ngrejnë krye kundër qeverisë federale e cila kishte vendosur ngritjen e një shteti laik. E shoqëria meksikane, tejet fetare dhe praktikuese, nuk mund ta duronte këtë. Dhe si në të gjithë revolucionet, edhe në atë meksikan sundon rrëmuja, anarkia, dhuna falas. Përmes këtyre tregimeve, para syve tanë parakalojnë etër që mbajnë mbi shpinë djemtë e tyre të plagosur për vdekje, fshatarë që mallkojnë tokën ku janë lindur, një vajzë të vogël që qan me lotë për lopën e saj të rrëmbyer nga lumi i stërkequr nga shirat, ndjekjen këmba-këmbës të atij që ka shuar një familje të tërë, Llanon tek digjet në pikun e kryengritjes, të birin bandit që sjell të atin mbi kalë, të sapo vrarë nga ai vetë, lutjen dhe përgjërimin e një plaku që do të pushkatohet për një vrasje të kryer tridhjetë e ca vjet më parë…
Stili i Rulfos është i veçantë, pa stërhollime, pa fjalë të tepërta, me rrëfime të qeta të tipit bisedor, njëlloj sikur dikush, në një natë dimri, ulur pranë vatrës, të na rrëfente tmerret që ai ka parë, por me një zë ku nuk ndihet as rrëmbimi, as zemërimi, por thjesht zëri i njëtrajtshëm i Historisë, e cila, në Meksikë, përkon aq shumë me idenë e fatalitetit. Nëse në rrëfimin e tij mund të vihet re njëfarë humori, ai është një humor i zi i cili jep nganjëherë disa nota tragjiko-komike, si për shembull në tregimin "La Cuesta de las Comadres", ku një plak i qetë shpon me gjilpërë thesi një cub fshati :
Po bëheshin ca kohë qe nuk kisha parë një vështrim aq të trishtë dhe kjo më ka dhembur. Kam përfituar nga kjo që t’ia heq gjilpërën nga kërthiza dhe t’ia ngul pak më lart, aty ku kam gjykuar se duhet të gjendej zemra. Po, po, aty ishte ajo…
Gjuha e Rulfos është një gjuhë e thjeshtë, e zhveshur, gojore. Aq mirë sa gjatë leximit, lexuesi hyn aq thellë në histori sa atij i duket se kjo histori vjen prej tij, si një zë i panjohur që ai do ta kishte pasur në kokë dhe që priste thjesht shkëndijën për t’u rizgjuar. Thellësisht e ngulur në metafizikën e dëshpërimit, gjuha e Rulfos është gjuha e gurit që piqet në diell, gjuha e erës që than dhe ato pak kocka që iu kanë mbetur pleqve të Luvinas, gjuha e vdekjes që jeton e ngërthyer mirë në jetën e njerëzve të tokës.
Vepra në dorë është një ndër ato vepra që ju ngelen në mendje për shumë e shumë kohë. Shumë shpejt, lexuesi shqiptar do të ketë në dorë dhe romanin e tij legjendar "Pedro Paramo", tashmë i përkthyer, ku Juan Rulfo, duke përsosur dhe më tej talentin e tij të lindur letrar, na ka dhuruar një nga veprat më madhore të shekullit të XX-të, vepër e cila ka ndikuar gjerësisht që Juan Rulfo të jetë sot një mit i vërtetë letrar.
Por, për të kapur më mirë universin rulfian dhe ndoshta ( ?) kyçin e veprës së tij, dhe për ta mbyllur këtë shkrim, le të shohim ç’thoshte vetë Rulfo mbi identitetin e tij :
« Jam aq i zymtë sa besoj se jam lindur në mesnatë. Më quajnë Juan Nepomuceno Carlos Perez Rulfo Vizcaino. Më kanë ngjeshur të gjithë emrat e gjyshërve të mi nga nëna dhe babai, njëlloj sikur të isha pjella e një regjimi bananesh… do të parapëlqeja një emër më të thjeshtë. Im atë quhej Juan Nepomuceno, gjyshi nga nëna Carlos Vizcaino, "Rulfon" e kam për shkak të Juan del Rulfo, një aventurier "karaib", domethënë ndër ata që ishin në shërbim të Jose Maria Calleja, alias "Karaibi", i cili pati një vajzë të quajtur Maria Rulfo Navarro që u martua me gjyshin tim nga babai Jose Maria Jimenez.
… Në familjen Perez-Rulfo – Rulfot, një familje e madhe në numër, sidomos nga ana e femrave, nuk ka pasur kurrë paqe : të gjithë vdisnin të rinj, të gjithë të vrarë pas shpine… Vetëm Davidi, i fundit, viktimë e pasionit të tij, qe vrarë nga një kalë. Im atë nuk u vra nga një i punësuar, ai nuk kishte të tillë… E vranë ndërsa po ikte… edhe xhaxhain tim e kanë vrarë, edhe shumë e shumë të tjerë… edhe gjyshin, të varur për gishtash të mëdhenj të duarve, të cilët iu këputën… të gjithë vdisnin të rinj në moshën 33 vjeç. Ajo ishte dhe është një zonë mjaft e dhunshme… »
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment