Intervistë me Ilir Shytën
Është fat të takosh në gjysmë të jetës tënde një njeri, që mund të jetë dashuri, mësues, vlerë a ku di unë ndihmues utilitar. Është fat ta gjesh atë dhe të rrugëtosh përkrah tij ose në heshtje nën ndikimin e tij. Kjo mbetet një zgjedhje jomefistofeliane të kuptohemi... Unë personalisht preferoj Salvadore Kuazimondon!
Nga Dea Klosi
Klosi News: A mund të na flisni pak për krijimtarinë tuaj letrare, me se përfaqësohet ajo dhe ku mund të gjendet ?
Ilir Shyta: Krijimtaria ime jo vetëm letrare përmblidhet përmes dy vëllimsh poetike, një sprove letrare për Nolin dhe Kamy-në si dhe një studimi bibliografik për Lasgush Poradecin. Në fakt më duket tmerrisht togfjalësh i madh sentenca krijimtari letrare, por gjithsesi për të mos qenë modest, pasi koha e modestëve ka perënduar, pranoj që kam dy vëllime me poezi. Ato titullohen “...kur çmendej Dea!” dhe “Trill vjeshte”, botuar vite më parë. Për të mos i ikur pyetjes suaj se ku mund të gjenden, ju pohoj se janë botime të viteve 1997 e 1999 dhe besoj se tani ndodhen në biblioteka lexuesish a dashamirësish të poezisë sime. Nëpër librari, ndërkaq tregëtohet ende sprova letrare “E vëtreta bën keq në zemër!” dhe studimi “Lasgush Poradeci, bibliografi e arsyetuar”. Dua t’iu kujtoj juve dhe t’i përforcoj vetvetes bindjen, se tek-tuk vijoj të shkruaj poezi. Kam një cikël për vjeshtën, iniciuar nga konkursi poetik ndërkombëtar “Vjeshta”, që poeti Dhimitër Pojanaku, organizonte para do kohësh në Pogradec, konkurs që për arsye financiare ka ngrirë ekzistencën e tij...
Klosi News: Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Rilke, thotë kështu : «Për të shkruar qoftë dhe një varg të vetëm, duhet të kesh parë shumë qytete, shumë njerëz e plot gjëra. Duhet ta ndjesh si fluturojnë zogjtë. » Cili do të ishte përkufizimi juaj i poezisë ?
Ilir Shyta: Përkufizimi im për poezinë ndihmohet nga vargjet e Azem Shkrelit tek poezia e tij “Katër këshilla vetes”, kur ai vargëzon: “... mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë”. Ky do të ishte përkufizimi “im”. Ndërkaq, jam plotësisht dakort me Rilken dhe mendimin e tij për shkrimin e poezisë.
Klosi News: Sot, ne jetojmë në epokën e Internetit, që i ka tronditur shumë zakonet tona të të lexuarit dhe shkruarit. Si e shihni ju poezinë në lidhje me këtë mundësi të re shprehjeje ? A është bërë ajo më demokratike ? A ka fituar apo humbur në këtë histori ?
Ilir Shyta: Duam s’duam jetojmë epokën e internetit. Nën këtë këndvështrim libri dhe periodikët elektronikë po na “gjunjëzojnë”. Për të qenë i sinqertë mbetem partizan i botimit në letër, i aromës së faqeve të librave që na kanë rritur dhe vijojnë të na shoqërojnë në rrugëtimin tonë ekzistencial. Bashkëkohësia bën që ta pranojmë edhe këtë version të ri shprehësie. Besoj që të gjithë jemi të fituar nga shekulli i internetit... edhe pse dëshirat tona koha i fut në kornizë. Do ta quaj letërsi të qelqtë letërsinë që serviret nga webfaqet e internetit, letërsi që ngadalë po na prangon në këtë mijëvjeçar të ri.
Klosi News: Dihet se gjatë gjithë jetës, ne zgjedhim gjithmonë, në heshtje apo me zë të lartë, një mësues, një rrymë ku e gjejmë veten më mirë. Nga vijnë ndikimet tuaja letrare dhe poetike ?
Ilir Shyta: Është fat të takosh në gjysmë të jetës tënde një njeri, që mund të jetë dashuri, mësues, vlerë a ku di unë ndihmues utilitar. Është fat ta gjesh atë dhe të rrugëtosh përkrah tij ose në heshtje nën ndikimin e tij. Kjo mbetet një zgjedhje jomefistofeliane të kuptohemi... Unë personalisht preferoj Salvadore Kuazimondon!
Klosi News: Sot shihet njëfarë gjallërimi i veprimtarive poetike në Shqipëri. A mendoni Ju se poezia ka nevojë të kalojë përmes këtyre takimeve ? Po vlerësimi me çmime, në rang lokal, kombëtar apo ballkanik, a ju duket diçka pozitive për poezinë ? Shkurt, a ka poezia një mision të përcaktuar ?
Ilir Shyta: Në fakt ka takime dhe mirë që ka. Aty shkëmbehen vlera, ide, arritje, projekte, dështime..., por ato s’duhet të jenë shumë e për lumë. Kemi nevojë edhe për çmime letrare, lokale, kombëtare dhe ndërkombetare. Do ishte bukur të bëhemi pak donkishotë letrarë në këtë kohë, që realisht vret ashpër vlerat dhe ngrë lart pseudovlerat. Me vjen realisht keq që nuk vijon aktiviteti i Pojanakut. Ndërkohë po kujtoj nën tisë të avullt malli një aktivitet që unë e kam ideuar dhe drejtuar në Pogradec, “Nata poetike e liqenit të Ohrit”, një aktivitet që i ka mbetur sërish iventarit të mallit... Poezia, sigurisht, ka një mission të përcaktuar dhe të mirë përcaktuar do të thoja... Impresion i fundmë poetik për mua ka qenë Shkupi në vjeshtë, nën Rrap...
Klosi News: Dhe së fundi, cila është poezia juaj më e dashur, nga një autor shqiptar dhe nga një autor i huaj ?
Ilir Shyta: Poezi të dashura kam shumë. Metoniminë e përcjell duke lexuar vargjet e Kadaresë dhe duke lexuar vargjet e Eliotit!
Klosi News: Ju falemnderit!
Comments (0 posted)
Post your comment