Intervistë me Poetin Jeton Kelmendi, Bruksel
Poeti Kelmendi është anëtar i disa klubeve ndërkombëtare të poetëve dhe bashkëpunon me disa revista letrare e kulturore, sidomos në gjuhët angleze, franceze dhe rumune. Qenësia e punës së tij në fushën e artit letrar është kujdesi që i kushton të shprehurit poetik, shtjellimit modern të tekstit dhe thellësisë së mesazhit.
Nga Dea J Klosi
Klosi News : Z. Kelmendi, a mund të na flisni pak për krijimtarinë tuaj letrare, me se përfaqësohet ajo dhe ku mund të gjendet ?
J. Kelmendi: Po, krijimtaria ime tanimë ka një shtrirje në disa tema, që mendoj se është shkruar edhe nga kritika, sidomos e huaj. Jam njeri që gjithnjë provoj të jem vetvetja në artin tim, prandaj edhe mendoj se kam krijuar një stil timin, në të cilin paraqes sentimentet artistike, me një qasje timen. Ndoshta nuk është edhe aq e natyrës të flas për krijimtarinë time, pasi që edhe nuk e pëlqej. Lirika është ajo që unë përpiqem ta bëj, kurse për librat e mijë nuk ka ndonjë problem se si për ti gjetur, pasi qe janë nëpër libraritë në Tiranë dhe Prishtinë, por edhe ne internet blihen ato.
Klosi News : Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Rilke, thotë kështu : « Për të shkruar qoftë dhe një varg të vetëm, duhet të kesh parë shumë qytete, shumë njerëz e plot gjëra. Duhet ta ndjesh si fluturojnë zogjtë. » Cili do të ishte përkufizimi juaj i poezisë ?
J. Kelmendi: Në fakt jo vetëm poezia, por arti në përgjithësi dhe fundja edhe vet jeta ka tjetër kuptim kur sheh shumë vende të ndryshme, pasi që të parit është edhe ide edhe çështje me rëndësi. Unë duhet ta pranoj se kam pasur fatin të jetoj në një vend të Evropës, por edhe puna më ka bërë të vizitoj dhe të shohë shumë qytete dhe vende të ndryshme. Nuk e dij se çka t’i shtoj asaj që ka thënë Rilke sipas citatit tuaj, por dua të them një mendim timin për njeriun që sheh vende dhe kultura të ndryshme, se ai ose ajo që sheh shumë është krejt më ndryshe në raport me tjerët, pasi që konceptin për gjerat në përgjithësi e ka shumë më me rezon.
Klosi News : Sot, ne jetojmë në epokën e Internetit, që i ka tronditur shumë zakonet tona të të lexuarit dhe shkruarit. Si e shihni Ju poezinë në lidhje me këtë mundësi të re shprehjeje ? A është bërë ajo më demokratike ? A ka fituar apo humbur në këtë histori ?
J. Kelmendi: Është e vërtet se jetojmë në kohën e internetit dhe teknologjia po shënon zhvillimet e saj rekorde, gjë kjo që reflekton edhe në leximin klasik, pra leximin prej librave. Duke qenë autor dhe njeri që përcjell me kujdes këto zhvillime, mendoj se nuk prish punë interneti, madje ka rëndësi të madhe sepse i jep mundësi lexuesit më të mëdha për të pasur qasje ne librat e shumtë. Kjo kuptohet te ai që vërtet e do leximin dhe me qe jemi tek poezia, unë mendoj se poezitë tona tani lexohen më shumë. Është e natyrshme që ka edhe abuzime me mundësinë e publikimit dhe natyrisht se një pjesë e lexuesve janë të hutuar kur u servilet një shund, por lexuesi i kultivuar besoj se e di mirë se çka duhet të lexojë dhe ketë e bën më së miri. Çështje tjetër me rëndësi është se edhe poezia si çdo art tjetër po bëhet më universale dhe kësi soj edhe po përkthehet edhe në gjuhë të ndryshme.
Klosi News : Dihet se gjatë gjithë jetës, ne zgjedhim gjithmonë, në heshtje apo me zë të lartë, një mësues, një rrymë ku e gjejmë veten më mirë. Nga vijnë ndikimet tuaja letrare dhe poetike ?
J. Kelmendi: Mbase nuk është e sinqertë të mos e pranojmë se terë jetën mësojmë dhe po ashtu përpiqemi të krijojmë diçka të re dhe të veçantë. Unë duke qenë se jetoj jashtë atdheut dhe se jam një shkrimtar që shumicën e kohës flas dhe lexoj në gjuhë angleze dhe frënge, natyrisht se edhe artin tim e kam të ndikuar nga kulturat anglofone dhe frankofone, por përpiqem që përherë të ruaj diçka origjinale, pra nga kultura jonë shqiptare. Mendoj se edhe kjo i jep fuqi artit kur krijohet një art universal dhe me natyrë të kapshme për lexuesin e huaj, gjithnjë duke spikatur me shpirtin shqiptar dhe duke gërshetuar këto dy komponente mendoj se e bëjmë më të mirë artin tonë. Thënë më shkurt, unë përpiqem ta shkruaj një poezi postmoderne europiane, e cila rrënjët i ka thellë në shpirtin dhe kulturën shqiptare.
Klosi News : Sot shihet njëfarë gjallërimi i veprimtarive poetike në Shqipëri. A mendoni Ju se poezia ka nevojë të kalojë përmes këtyre takimeve ? Po vlerësimi me çmime, në rang lokal, kombëtar apo ballkanik, a ju duket diçka pozitive për poezinë ? Shkurt, a ka poezia një mision të përcaktuar ?
J. Kelmendi: Poezia si vlerë reale dhe marifetet me çmime dhe aktivitetet në Shqipëri, Kosovë dhe gjetiu nuk kanë vijë të përbashkët. Janë të mira manifestimet poetike sepse stimulojnë autorët, por duhet të themi se asnjë manifestim, sikurse asnjë çmim nuk bëjnë poetë ata dhe ato që i marrin. Nga kjo që shohim, lirisht mund të thuhet se shumica e poetëve që laurohen me çmime janë autorë mesatarë e shpesh edhe mediokër, prandaj ai ose ajo që don të bëhet autor serioz duhet të mos dekurajohet nga këto dukuri të shëmtuara që i bëjnë drejtorët e disa institucioneve dhe njerëzit e pushtetit. Poezia ka mision fisnikërimin e shpirtit njerëzor dhe këta njerëz që marrin çmime me miqësi e kanë të kundërtin misionin, pra deformimin e shpirtit dhe keqpërdorimin e fjalës artistike. Unë si shkrimtar shqiptar kam pasur rastin të jem laureat i çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, madje poezitë e mia janë përkthyer në 25 gjuhë të botës dhe botuar në shumë vende, por vetëm një çmim kam marr në atdhe çmimin “Mitingu i poezisë” në Gjakovë vitin e kaluar, por kjo nuk me dekurajon aspak.
Klosi News : Dhe së fundi, cila është poezia juaj më e dashur, nga një autor shqiptar dhe nga një autor i huaj ?
J. Kelmendi: E kam te vështirë ta them se cilën poezi e kam më të dashur, qoftë nga poezia shqipe apo edhe ajo e huaj, sepse unë poezinë e ndaj në dy grupe: poezi të mira dhe poezi të dobëta. Pra tek e para jam shume i përkushtuar dhe poezinë e mirë e dua shumë, sa që ndjej sikur jetoj me të dhe për të, kurse poezinë e dobët përpiqem të mos e lexoj sepse ma prish shijen. Thënë shkurt, ka shumë poezi që i dua edhe në gjuhën shqipe edhe në anglisht e frëngjisht, ku unë lexoj dhe përkthej.
Klosi News. Ju falemnderit!
J. Kelmendi: Kënaqësia ime që biseduam.
BIOGRAFIA
Jeton Kelmendi, poet, dramaturg përkthyes letrar dhe publicist, u lind më 1978 në Pejë.
Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për Komunikim Masiv në Prishtinë, kurse studimet post-diplomike në ULB - Universitetin e Brukselit (Politikat ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë). Vite me radhë shkroi dhe botoi poezi, prozë, ese dhe tregime. Është bashkëpunëtor i shumë medieve, shqiptare e të huaja, ku trajton çështjet të ndryshme kulturore dhe politike, sidomos që kanë të bëjnë me raportet ndërkombëtare. Si emër Jeton Kelmendi u bë i njohur për lexuesin në Kosovë me përmbledhjen e parë me poezi “Shekulli i premtimeve”, të botuar më 1999. Në vijim botoi edhe një serë librash të tjera. Poezitë e tij u përkthyen në më shumë se 24 gjuhë të huaja, u botuan në disa antologji ndërkombëtare. Është njëri nder poetet më të përkthyer shqiptar. Ai është përfaqësues i denjë i poezisë moderne shqiptare është thënë nga kritika letrare. Kelmendi është anëtar i disa klubeve ndërkombëtare të poetëve dhe bashkëpunon me disa revista letrare e kulturore, sidomos në gjuhët angleze, franceze dhe rumune. Qenësia e punës së tij në fushën e artit letrar është kujdesi që i kushton të shprehurit poetik, shtjellimit modern të tekstit dhe thellësisë së mesazhit. Në krijimtarinë e tij veçohet sidomos lirika e dashurisë dhe vargu eliptik i ndërthurur me metafora dhe simbole artistike. Është veteran i luftës që bëri UÇK-ja më 1998 -1999. Aktualisht punon dhe jeton në Bruksel.
Tituj të veprave
Shekulli i Premtimeve, 1999, poezi
Përtej Heshtjes, 2002, poezi
Në qoftë mesditë, 2004, poezi
Më fal pak Atdhe, 2005, poezi
Ku shkojnë ardhjet, 2007, poezi
Zonja Fjalë, 2007, dramë
Erdhe për gjurmë të erës,2008, poezi
Koha kur të ketë kohë,2009, poezi
Rrugëtimi i mendimeve,2010, poezi
EU mission in Kosova after its independence, 2010, SHBA
Libra në gjuhë tjera
• Ce mult s-au rãrit scrisorile / Sa fortë janë rralluar letrat, antologji personale në gjuhën rumune, 2008,
• Breath / Fryma, botuar në Indi, 2009.
• Dame parol/drama; botuar në Francë, 2011
• COMME LE COMMENCEMENT EST SILENCIEUX /(Ku fillon heshtja), poezi; Paris, Francë, 2011
• ΠΟΥ ΠΑΝΕ ΟΙ ΕΡΧΟΜΟΙ/ (Ku shkojnë ardhjet), poezi, Greqi, 2010
• Wie wollen /(Si me dashtë), poezi, Gjermani, 2011
• Nasil sevmeli /(Si me dashtë) poezi, Turqi, 2011
• A Palavra Evitou o Silêncio/(Fjala kapërcen heshtjen) 2009, Brazil
• How to reach yourself/(Si ta takosh vetveten), poezi, SHBA, 2010
• Frau wort (Zonja Fjalë) Dramë Gjemani 2012
Mirënjohje ndërkombëtare dhe kombëtare
"Çmimi i madh ndërkombëtar Solenzara Paris"
Çmimi kombëtar Mitingu i Poezisë "Din Mehmeti" - Gjakovë 2011
Anëtar i Asociacionit të gazetarëve profesionit të Evropës, Bruksel
Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, Paris
Comments (0 posted)
Post your comment