* * *
Në më shumë se gjysmën e perimetrit të tij kufizohej prej një pylli relativisht të ri, i cili i jepte livadhit pamjen e një stadiumi gjigant. Nga ana tjetër e livadhit, në simetri me qendrën e pyllit të ri, një grumbull pemësh të gjelbëruara përmbi një bregore të hijshme krijonin përshtypjen e një oazi.
Nga Agim Hamiti
Të nesërmen Shpresimi u nis për në mal, ku u bashkua me shokët në kullotën verore. Njëri prej ortakëve ishte rreth 35 vjeç, kurse tjetri pranë të pesëdhjetave. Të dy ishin të martuar e me fëmijë. Më i riu prej tyre, Fejziu, kishte një vajzë e një djalë; Pelari, katër vajza.
Shpresimi e kishte njohur edhe më parë Fejziun, mbasi kishin qenë të dy barinj të së njëjtës kooperativë bujqësore. Me personin tjetër takohej për herë të parë. Pelari kishte shtat të gjatë e të hollë dhe kokë të vogël me flokë të butë biondë të errët, pjesërisht të thinjur. Vogëlsia e kokës së tij binte edhe më tepër në sy, për shkak të qafës së gjatë e të hollë mbi të cilën qëndronte. Disa dhëmbë i kishin rënë dhe kur qeshte, të bënte për të qeshur. Kishte një zë të hollë prej femre dhe të folurit e shoqëronte përherë me gjestikulacione.
Në takimin e parë me të, në përgjithësi njerëzit nuk krijonin ndonjë përshtypje të mirë për Pelarin. Mirëpo natyra e matur e Shpresimit nuk ndikohej nga dukuri të tilla për formimin e konsideratës ndaj të tjerëve.
*
Meqenëse u kishte munguar bariu i tretë, ortakët e Shpresimit kishin qenë të detyruar të qëndronin të dy në stan për tri javë. Të nesërmen e vajtjes së Shpresimit, Pelari, si më i moshuar, u nis për në shtëpi. Fejziu dhe Shpresimi i nxorën delet së bashku në kullotë.
Stanin e kishin ngritur afërsisht në qendër të kullotës, rreth 600 m larg një pylli, i cili kufizonte anën verilindore të saj. Pjesa më e mirë e kullotës, sipas mendimit të Fejziut, ndodhej në anën juglindore, pikërisht atje për ku i kishin drejtuar bagëtitë atë mëngjes.
Në përgjithësi terreni dukej i përshtatshëm për kullotë delesh. Ai kishte një pjerrësi të ëmbël, dy burime me ujë të bollshëm dhe një ekspozim të plotë ndaj diellit, falë pozicionit të përshtatshëm. Shpresimit i pëlqente të bisedonte me persona që e donin profesionin dhe po e dëgjonte me kënaqësi Fejziun, tek po i përshkruante përparësitë e kullotës së tyre.
— Edhe sikur të më linin të zgjidhja, unë këtë pjesë kullote do të preferoja. Por edhe kjo e ka të keqen e saj. Stanin nuk e kemi më tepër se një çerek ore larg postës kufitare dhe bezdisemi ca nga komandanti i saj. Ai është tip grykësi, e ha shumë bulmetin dhe dy herë në ditë atje e ke, në stan. Nuk të shqitet, po s’ia shtrove me djathë të njomë, gjalpë, kos apo qumësht; çfarë t’i
teket. Hallall edhe kjo, se as ne nuk u harxhuam tekefundit. Delet e ndërmarrjes ushtarake janë dhe ai oficer i ushtrisë është. Por ka një ves, që mua më mërzit shumë: nuk i lejon për kiamet ushtarët t’i afrohen stanit. Po dëgjoi se ndonjëri prej tyre ka qenë në stan, merr masa disiplinore ndaj tij. Ja, para një jave transferoi dy ushtarë prej këtej, vetëm pse kaluan nga stani, se i kishte djegur etja. Pelari i kishte treguar që ata kishin ngrënë edhe përshesh me kos e djathë.
— Po pse i tregoi Pelari, gjersa e njihte tipin e tij?
—Mirë e ke ti, po Pelarit nuk i mban dot gjë barku. Ka ngrënë plëndës pule, siç thotë populli për ata që e kanë gurmazin kosh. Atij nuk i rrihet dot pa e thënë atë që di edhe pa e pyetur fare, pa le më kur e pyesin. Unë e kam njohur me kohë, tani e solli puna ta njohësh edhe ti. Pelari është natyrë e veçantë. Para dy ditësh, tek po kullosnim delet, erdhi dhe e takoi një person, të cilin unë nuk e njihja. Ndenjën goxha kohë bashkë. Kur u kthye përsëri tek bagëtitë, më tha se ai tjetri kishte qenë operativi i zonës prej nga do të na vinte bariu i tretë. Ec merre vesh, se ç’bisedonte Pelari me të!
— Kushedi. Unë gjithë kohën bari dhensh kam qenë dhe vetëm si fytyrë e njoh operativin e zonës sonë. Nuk më ka lidhur ndonjëherë puna me të.
Duke biseduar, ata kishin arritur me tufën tek vendi që Fejziu e quante ajka e kullotës. Ai ishte një livadh i bukur disahektarësh me bar endé të njomë. Në më shumë se gjysmën e perimetrit të tij kufizohej prej një pylli relativisht të ri, i cili i jepte livadhit pamjen e një stadiumi gjigant. Nga ana tjetër e livadhit, në simetri me qendrën e pyllit të ri, një grumbull pemësh të gjelbëruara përmbi një bregore të hijshme krijonin përshtypjen e një oazi. Shpresimi, i mrekulluar nga bukuria e asaj tende të blertë, nuk po i shqiste sytë prej andej. Fejziu e vuri ré këtë e i tha:
— Në mes të atij grumbulli pemësh rrjedh një burim me ujë akull të ftohtë, i cili derdhet në livadh. Edhe hijet atje janë shumë të freskëta.
Në fakt, kur ata të dy shkuan tek bregorja e blertë, Shpresimi e veshi xhaketën e dokut që mbante në dorë deri atëherë, ngaqë dielli ishte ngritur lart. Pastaj shkoi tek burimi dhe piu disa gllënjka prej uji të ftohtë. Fejziu u ul mbi një gur dhe po i binte fyellit. Shpresimi po e dëgjonte melodinë baritore në këmbë, i mbështetur pas një peme.
Kur u nisën për të shkuar pranë dhenve të shpërndara nëpër livadh, në njërën prej pemëve të kurorës së blertë u ul një skifter me një pëllumb të egër, i cili po përpëlitej në kthetrat e tij. Fejziu e goditi skifterin me gur. Ai fluturoi i trembur dhe e lëshoi pëllumbin e plagosur. Ky u rrëzua duke u përpëlitur para këmbëve të Fejziut, i cili nuk ngurroi ta godiste me shkopin e kërrabës që mbante në dorë.
— Oh, gjynah, e vrave! thirri me keqardhje Shpresimi.
— Ç’gjynah, more! Ti na paske ardhur me këmbë të mbarë. Ra nga qielli para syve tanë gjahu me të cilin do të festojmë ardhjen tënde këtu. Tani shko në stan dhe na i gatuaj për drekë, se dhentë i ruaj unë. Pas dy orësh, ato do të
grumbullohen për të vapuar. Me këtë rast, na bëj edhe punët e përditshme të stanit. Unë e Pelari nuk mërzitemi duke ruajtur dhentë, por ato punë nuk na i zë dora fare.
— Nuk është shenjë e mirë festimi i ardhjes sime këtu me mish pëllumbi. Ai është simbol paqeje dhe, duke e vrarë, i hapet rrugë luftës, tha buzagaz Shpresimi duke marrë shpendin e vrarë që i zgjati Fejziu.
Fragment nga "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamitit
Comments (0 posted)
Post your comment