Fati i Profetit
Luftëtarë të paepur në çdo kohë për atdheun, gdhendur Bindshëm nga dora e pamëshirshme e historisë tek skarton ...
Nga Arjan Th. Kallço
FATI I PROFETIT
(Ali Podrimjes)
Gjakovë, e urta Gjakovë
Një copë jetë prej jetës tënde të pavdekshme
Në dhe’ të huaj u shua.
Nuk është mallkim i kërkuar
Nga asmi në lutjetet e përbetuara
Diku në Francën e largët. As ndonjë
Magji që emri i tij në tokën e premtuar
Të vritej përgjithmonë, ose më keq
Të mbetej i harruar.
Është bekim i ardhur nga shekujt
E gjatë të luftrave të tua, si një zgjim
I ëndrrave të fjetura në ëndrra ardhëmrie.
Profeti e nis rrugën e vet aty ku ka lerë,
Ku tokën e lashtë e quan amë, e ndërsa
Lindja mbetet përgjithmonë e paprekur
Vdekja është e pabesë, të rrëmben papritur
Në çdo derë.
Kosovë, martirja Kosovë
Një copë shpirt prej shpirtit tënd të ndezur
Në dhe’ të huaj po ndrit. E panë tek endet
Në kullën Eifel si pishtar i pavdekësisë, prandaj
Mos mbaj zi për djalin trim plangprishës që
Tundimit të kthimit në atdhe nuk i dha dot shpresë.
22/07/2012
SHESHI "SPANJA"
Mbrëmjeve kur dielli e braktis
Këtë faqe të globit, një tjetër dritë
I turret tokës. Drita e zemrave të njerëzve
E fshehur brenda nesh për orë të tëra
Në pritje të shkëlqimit. Edhe Roma nuk
Ka asnjë kundërshtim, sepse me të tilla
Drita e ka të shkruar historinë.
Të tjera kohë, të tjerë njerëz. Ndërsa
Të parët nuk shihnin përtej madhështisë
Asnjë ndjenjë të denjë për lartësim, të dytët
Ecin mes gjurmëve të madhështisë të ngritur në kult.
Apo tek shkallët e mermerta tek ulen për pak kohë
Jetojnë si në ëndrra kohët e lashtësisë. Një gotë
Përpara dhe një dolli të heshtur për gjithë sakrificat
Spërkatur me gjak. Kur je mërzitur nga pushimi
I zhurmshëm mes shkalloreve, po të duash kërcen
Edhe pak më lart. Një hap më shumë drejt madhështisë
Së shekujve që gjumë nuk flenë dot rehat. E përsëri
Një tjetër dolli, ashtu pa emra në gojë, pa asnjë
Dekoratë, veç pllakave të fiksuara në qoshet e mureve
Dhe në çdo çast dëgjohet mbytur nga një ligjëratë.
Sikur të mos mjaftonin dy përhumbje, më lart
Një tarracë, sa më lart të ngrihesh, aq më shumë
I afrohesh majës, nga ku madhështia është liri
Nga ku qyteti shtrihet i parrokshëm deri vonë në mesnatë.
Një obelisk aty pranë e ka ndezur dritën e vet
Paçka se është iluzion botësh të panjohura, hyjnore
I thonë, por sado të krekoset mes kohëve moderne,
Prapëseprapë mbetet dhuratë.
SHESHI "POPULLI"
Kombinim marramendës dritash
Si projektorë të drejtuar enkas mbi të
Qëndrojnë si roje besnike rreth sheshit.
Nuk ka hapësirë ku nata të mos
Duket ditë, e verdhë që shpon mjegullën e
Dendur të kohës.
Tash është bosh dhe ora nuk ka shënuar
Çastin e shumëpritur të takimit. Aty duket se
Jehon thirrja, “le të mblidhemi”, si dikur të parët tanë
Të shohim sesi kemi ndryshuar veten
Dhe historinë tonë. Pas pak zhurmat e hapave
Dhe të zërave të qeshur do ta pushtojnë sheshin.
Nuk është bori alarmi, as përgatitje për beteja
Të reja me armët rrokur në dorë, vetëm një zakon
Sinjalesh të trashëguara nga brezat, që nëse
Sovranët nuk i shohin nga verbëria e pushtetit,
Dridhen gjithmonë kur kore zërash të etur për drejtësi,
Ngarendin ku janë e ku s’janë, shembin edhe lavdinë
E shkuar, bëhen një trup i vetëm me të sotmen, s’ka forcë
Ta ndalë ortekun që përmbys dynjanë.
Lapidari skalitur, në mes, një tjetër piedestal
I paepur s’tundet më nga vendi, edhe pse
Në jetën e vet ka ndryshuar pardon, kurrë
S’i ka harruar tërmetet. I lartë sa vetë
Triumfi i idealeve të mbyllura në libra, në syndyqet
E kujtimeve mbuluar me ca coha të rënuara e që tash
Vuajnë nën peshën e historisë. Një grusht të rinjsh
Ulur në këmbë të tij i bëjnë sfidë lavdisë
Perandorëve hipur mbi kalë me shikimin e ngulur
Tek sheshi përballë. Nuk dihet ende sot cilët janë
Sovranët, populli që i zgjedh dhe pret ditët e bardha
Apo vetë ai shpesh i tradhëtuar nga të ashtuquajturit,
Mosmirënjohësit Sovranë?
ALTARI I ATDHEUT
Tashmë mbi ty ka rënë hija e natës
Edhe qetësia e verës po derdhet
Në rrugë. Nuk ka më pritje tek
Stazioni i autobuzit, vetëm disa banorë
Të përkohshëm të Romës që i gëzohen
Fatit të bardhë dhe imazheve hijerënda të historisë
Ngadhënjimtare në çdo rrudhë. Ka kohë që
Mban të pafikur flakën jetëdhënëse,
Udhërefyese të kohrave pagjumë
Për çdo shteg të përshkuar drejt lirisë,
Për çdo shpirt të murosur në çdo gjurmë.
Brenda një listë e gjatë me emra heronjsh zgjatet e zgjatet,
Luftëtarë të paepur në çdo kohë për atdheun, gdhendur
Bindshëm nga dora e pamëshirshme e historisë tek skarton
Armiq dhe tradhëtarë të heshtur.
Kur lëngatat gjëmëmëdha bujtin pa trokitur, heronjtë
Janë aty të parët në mejdan me armët ngrehur, vetë frika
Ka frikë prej tyre, prandaj fshihet në shpirtrat e shpërbërë
Të ca njerëzve të paskrupujt që armët e tyre kurrë
Nuk i kanë shkrehur.
Sipër nesh një ballkon i vetmuar s’ka më zë, ç’mund të thotë
Porta e turpit që fashiti ëndrrat, nuk krikëllin më nga hapja,
Bashkë me të është kyçur edhe jehona e hidhur e thirrjeve
Për luftë, por që asnjëherë nuk gjeti përgjigje në zemrat.
Një tjetër histori në Altar po merr jetë,
Historia ndaj padrejtësive moderne mizore, edhe sikur
Thirrje për atdhe të mos ketë më, populli sërisht
Do të zbresë aty si përherë,
Në kërkim të heronjve të tjerë,
Në kërkim të dinjiteteve njerëzore.
Arjan Th. Kallço, Romë 9 Korrik 2012
Comments (0 posted)
Post your comment