Home | Literature | * * *

* * *

image
Kjo gjendje erdhi duke u rënduar. Tërheqjet e forta të litarit, kërcënimet e goditjet u shtuan me kalimin e mundimshëm të orëve dhe ditëve, por objektivi që synohej nëpërmjet torturës së gjumit nuk po arrihej dot.

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

— Në këtë birucë ka qenë dikur një tjetër agjent i UDBsë, Koçi Xoxe, i tha Shkëlzenit përgjegjësi i dhomave të izolimit në hetuesinë speciale në Tiranë, duke mbyllur derën e rëndë pas krahëve të tij.
Zhvillimi i ngjarjeve të fundit i shëmbëllente me një ëndërr të keqe Shkëlzenit. Nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend se mund t’i ndodhte diçka e tillë në Shqipërinë amë. Edhe një njerkë e keqe do të kishte qenë pak më dashamirëse sesa kjo amë, për të cilën ai kishte pasur shumë mall ta njihte. Zhgënjimi i pësuar i rëndonte në shpirt më tepër se plagët e hetuesisë. Ai kishte lënë Kosovën për t’i shpëtuar ndjekjes së UDBsë, ndërsa Shqipëria po e akuzonte si agjent jugosllav! I vinte zor kur mendonte se sjellja e hetuesit shqiptar ishte shumë më e vrazhdë sesa ajo e majorit Dragan. Këtë krahasim ai nuk e bënte me zë prej turpit, por si fakt nuk e mohonte dot.
Në korridorin e birucave të hetuesisë speciale shërbenin vetëm oficerë, jo policë. Shkëlzenin e kishte kapur dremia, kur dera e birucës së tij u hap me zhurmë. Ishte hetuesi i MP të Brendshme, që kishte pasur në Rroshbull, së
bashku me një oficer tjetër.
— Prej këtij çasti do të fillojmë torturën e gjumit, e njoftoi hetuesi. – Mos mendo se hetuesia speciale është për të majmur ty me ushqim special. Ky shoku do të të shpjegojë se ç’është konkretisht kjo torturë.
Oficeri tjetër nxori prej një qeske një litar perloni të mbështjellë. E shtjelloi dhe njërin skaj e lidhi fort tek beli i Shkëlzenit, ndërsa skajin tjetër e kaloi nëpër sportelin e vogël të derës së qelisë. Ndërsa po provonte nëse e kishte lidhur mirë litarin tek mesi i Shkëlzenit, oficeri nisi shpjegimin e asaj që do të ndodhte:
— Tortura e gjumit zgjat nëntë ditë e nëntë net. Gjatë gjithë këtij intervali kohor, ti nuk ke të drejtë as të shtrihesh, as të flesh. Duhet të qëndrosh ulur në mes të dhomës së izolimit, me sytë tek sporteli. Nuk ke të drejtë të bësh asnjë lloj lëvizjeje. Po nuk i respektove këto rregulla vullnetarisht, do t’i bindesh detyrimisht litarit, të cilin do ta mbajë të tendosur një person që do të qëndrojë në korridor. Nëse me kalimin e ditëve nuk do t’i bindesh më as litarit, do të merren masa më të rrepta ndëshkimore. Dua të të kujtoj se në çdo çast ke të drejtë të kërkosh takim me hetuesin, me kusht që të pranosh fajësinë. Në këtë rast, tortura ndërpritet.
Oficeri mbylli derën e birucës nga jashtë dhe filloi vetë shërbimin i pari në zbatim të torturës së gjumit, duke mbajtur të tendosur litarin, i cili dilte në korridor prej sportelit të vogël ku të burgosurve u ndizej cigarja një herë në orë.
*
Fillimisht Shkëlzenit iu duk si lojë kalamajsh qëndrimi i tij ndenjur në mes të qelisë me litarin lidhur për mesi dhe me sytë tek fytyra e oficerit në korridor. Kjo skenë e bënte më shumë për të qeshur, sesa e shqetësonte.
Dita e parë kaloi pa probleme deri në orët e pasmesnatës. Në çastin që Shkëlzenit i mbylleshin sytë prej monotonisë së qëndrimit pa lëvizur dhe nga lodhja nervore, oficeri tërhiqte litarin me forcë për t’i shkundur përgjumjen. Ai përmendej befas dhe përpiqej të zotëronte veten.
Gjithsesi, dy ditët e para nuk qenë problematike. Ditën e tretë e në vazhdim Shkëlzeni i ndjeu plotësisht pasojat çoroditëse të torturës së gjumit. I merreshin mendtë, oreksi iu pakësua ndjeshëm, sytë me shikim të turbull iu skuqën, ndërkohë që çdo tundje e litarit e lëndonte. Mezi çohej në këmbë, për të shkuar në banjë, ndërsa ekuilibrin nuk e ruante dot, pa u mbështetur pas murit. Veshët i gumëzhinin dhe fjalët nuk i dëgjonte të sakta kur i flisnin.
Ditën e katërt Shkëlzenin e zinte gjumi në të gjitha pozicionet. Tundjet e shpeshta të litarit vetëm sa i krijonin dhimbje, të cilat i shoqëronte me një rënkim të mbytur. Por ai u mësua të flinte edhe në këtë gjendje torturuese. Që litari ta bënte më mirë efektin, oficeri i shërbimit e tërhiqte me gjithë forcën e krahut. Trupi i djaloshit lëkundej, ai rënkonte, por nuk dilte dot më prej kapitjes së përgjithshme fizike. Koka, e përkulur para, qëndronte me mjekrën
të mbështetur në kraharor. Shkëlzeni nuk kishte më fuqi t’i hapte sytë. Të shumtën e kohës mbetej shtrirë, megjithë tundjet e shpeshta të litarit.
Ditën e shtatë nuk qëndronte dot më në këmbë. Për të shkuar në banjë, Shkëlzeni përpiqej të çohej i mbështetur pas murit, por i merreshin mendtë, gjunjët nuk e mbanin më dhe nuk hidhte dot asnjë hap. Vajtje-ardhjet nga banja i bënte këmbadoras. Kur nga pafuqia mbetej në këtë pozicion pa lëvizur, oficeri i shërbimit e godiste me shkelm. Djaloshi shembej në tokë dhe ringritja në pozicionin këmbadoras ishte një torturë më vete.
Kjo gjendje erdhi duke u rënduar. Tërheqjet e forta të litarit, kërcënimet e goditjet u shtuan me kalimin e mundimshëm të orëve dhe ditëve, por objektivi që synohej nëpërmjet torturës së gjumit nuk po arrihej dot. Shkëlzeni po shkatërrohej fizikisht, pamja dhe shëndeti i tij ishin në rënie të plotë, por ai nuk e hapi gojën të kërkonte takim me hetuesin deri në fund të torturës së gjumit.
Por hetuesi, duke u skërmitur, i kishte thënë se ky ishte vetëm hapi i parë drejt asaj që … kishte kërkuar Shkëlzeni.
*
Kriza hetimore e profesor Skënderit nuk ishte më pak dramatike nga ajo e ish-studentit të tij. Për shkak të një stuhie dhune fizike katërditore pas ndarjes me hetuesin, ai u detyrua të kërkonte përsëri takim urgjent me të. Torturat e katër ditëve të fundit kishin bërë një efekt po aq shkatërrues në organizmin e tij sa të gjitha ditët e mëparshme së bashku. Ndërsa mjeku vazhdonte fashimet, i arrestuari pështynte gjak.
— E, i pandehur, pse më ke kërkuar? A mos ke qejf të lozësh symbyllas me hetuesin tënd?
— Symbyllazi po luaj me maskat memece të natës, të cilat nuk po ndiejnë të ngopur me gjakun tim. Përgatiteni dosjen të trashë sa të doni vetë. Jam gati të nënshkruaj ç’të dëshironi, për të shpëtuar prej kësaj skëterre që ju e quani hetuesi speciale.
— Ajo është speciale për armiqtë e Shqipërisë, që u kundërvihen interesave të saj. Nejse, gjersa të është mbushur mendja më së fundi t’i rrëfesh mëkatet, po pranoj të të dëgjoj. Më mirë vonë, sesa kurrë. Le të futemi në temë. Cila ishte parulla e ndërlidhjes me rrjetin agjenturor jugosllav që vepron në Shqipëri?
— Unë nuk njoh as parulla e as rrjet agjenturor. I përpiloni këto gjëra si t’ju vijë për mbarë dhe m’i jepni t’i nënshkruaj; nuk qëndroj dot më këtu.
— Pse, ç’na pandeh ti ne, serbomëdhenj? Unë i shërbej këtu vetëm së vërtetës, nuk jam falsifikator i saj. Ato veprime të shëmtuara ndodhin në botën e kalbur kapitalisto-revizioniste, por jo tek ne. Unë dua të di parullën e vërtetë, që të kanë mësuar padronët e Beogradit, përndryshe po largohem dhe për dhjetë ditë nuk do të jem në Tiranë.
— Më ndihmoni të formuloj një parullë, ju lutem. Nuk e kam idenë fare për to. Dua të mbarojmë punë sa më parë.
—Të njëjtën gjë dua edhe unë, por në rrugë të ndershme, pa falsifikime. Kjo varet vetëm nga ti. Mos bëj sikur e ke harruar parullën, se ajo do të ishte çelësi i ndërlidhjes me bashkëpunëtorët e tu antishqiptarë. Meqenëse, falë orientimeve të partisë, ne hetuesve na karakterizon humanizmi, po përpiqem të të ndihmoj pak, pa dashur të të sugjeroj formulimin e ndonjë parulle tjetër, veç origjinales së UDBsë. E ke pirë cigaren në jetën e lirë?
— Po.
— Ja, p.sh., edhe me ndezjen e një cigareje mund të lidhet parulla, për të qenë sa më e thjeshtë në komunikim dhe për të siguruar një kontakt fizik të drejtpërdrejtë me personin e rekomanduar.
— Shprehja ―a ta ndez, o mixhë‖ shkon? e pyeti profesori, duke u rrudhur në fytyrë prej dhimbjeve.
— Ti je intelektual serioz, Skënder, mos luaj rolin e naivit. Kjo është pikërisht parulla e vërtetë. Ajo lidhet me një prej zakoneve të lashta të popullit tonë: shkëmbimin reciprok të duhanit, për të vazhduar më tej me njohjen nga afër. Tani më thuaj kundërparullën dhe mbarojmë punë me hetuesinë, pothuajse. Për të mbushur dosjen penale me detyrat që ju ka rekomanduar UDBja, të ndihmoj edhe unë pak, se e kemi mësuar përmendsh përmbajtjen e misioneve të agjentëve jugosllavë që kemi arrestuar e dënuar.
— Ndize, o mixhë, është përgjigjja e natyrshme në këto raste, foli si me vete të tij profesori në siklet.
— Po shyqyr që tu zgjidh gjuha, o Skënder, pavarësisht se po e nxjerr si rastësisht të vërtetën në dritë. E cila do të ishte tjetër kundërparulla më e natyrshme e servirur prej UDBsë në një rast si ky? Parulla dhe kundërparulla bëjnë konturimin e qartë të dosjes penale për veprimtari agjenturore. Duke vazhduar po me këtë vullnet edhe në seancat e ardhshme hetimore, do të të plotësohet me siguri dëshira për të dalë sa më parë në gjyq.

 

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamitit

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00