Kënga e Çerdhulkës
Tani një shenjë e zezë mbi fusha sa vjen e zvogëlohet, ashtu si, nëpër mjellazë të mbrëmjes, silueta e ngutur e famullitarit, nga shtëpia e të përhënurit në kishë.
Nga Romeo Çollaku
Kënga e Çerdhulkës
Këng’ e saj u qe namatisje e vërtetë; trupa të lehtë, të çliruar nga barra e rëndë e jetës.
Se ku shkonin lodhja, mërzitë dhe dëshprimi, njeri dot s’e rrëfen.
Tani një shenjë e zezë mbi fusha sa vjen e zvogëlohet,
ashtu si, nëpër mjellazë të mbrëmjes, silueta e ngutur e famullitarit, nga shtëpia e të përhënurit në kishë.
Murg nën Bajame
Afshit të drekës, tek po ngjiste
shtegun drejt manastirit
dhe kohë e shkuar, kohë bujare
erëmonin rozmarinat,
bëri të çlodhej një copë herë
nën hijen e një peme,
që, gjersa nuk i shëmbëllente,
s’ish qiparis i zymtë,
dhe ré, në rrugën e përditshme,
s’e kishte vënë më parë.
Ikonën e një shenjtëreshe
sikur të kish kundruall,
a -atë që mote i shmangej-
të vetes gjysmën tjetër,
iu drithërua ajthi krejt
mes ngasjes së dalldisur
gjithë përkushtim t’i puthte lulet,
t’i ledhatonte trungun,
një grusht argjilë të paarrirë:
vegime Shën Antoni.
Porse në mendje porositë
e jetës së përunjur
vringthi u kthyen me vërshimë
dallge mbi bash të thyer,
dhe nxori shpejt nga gjoksi kryqin,
e nderi kundër saj.
Me lutje përzuri dëshirat,
që, si nën gur të ftohtë,
iu mblodhën kutullaç poshtë parzmit,
u strukën, u tulatën.
Comments (0 posted)
Post your comment