Home | Literature | * * *

* * *

image
— Në qoftë se ti, në saje të këmbënguljes në punë, do të triumfosh një ditë në pikturë, kjo ngjarje e hidhur do të të shërbejë si një dëshmi krenarie në rrugën e vështirë të suksesit në art. Ata që ta bënë këtë padrejtësi, pa dashje të kanë bërë edhe një shërbim të madh. 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

Pas një zhgënjimi tronditës, të pësuar në vitin e fundit të Akademisë së Arteve të Bukura, Shkëlzen Grami vendosi t’i kalonte pushimet e verës të vitit 1967 në një mjedis sa më të qetë, larg zhurmës e rrëmujës. Për këtë qëllim mendoi të shkonte tek gjyshi, në Dibër të Madhe. Shtëpia e lartë dykatëshe e punuar me mur guri, në mes të një kopshti me mollë e drurë të tjerë frutorë disa llojesh, mbetej gjithmonë joshëse për shijet e tij. Freskia e këndshme e pemëve të gjelbëruara ishte një oaz çlodhës, ku gjente shpesh prehje imagjinata prej artisti e Shkëlzenit. Sa herë që ndiente vapë, kudo që të ishte, ai mbyllte sytë dhe e shikonte veten në hijet e errëta të atij kopshti.
Në atë shtëpi kishin lindur babai i Shkëlzenit me tre vëllezërit dhe dy motrat e tij. Të gjithë ishin të martuar e me fëmijë dhe të larguar prej Dibrës, me përjashtim të vëllait të vogël, i cili vazhdonte të jetonte atje, së bashku me
prindërit e moshuar.
Babai i Shkëlzenit ishte i madhi i fëmijëve. Ai jetonte familjarisht në Prishtinë. Po atje jetonin edhe dy vëllezërit e tjerë, të cilët vinin pas tij në moshë.
*
Shkëlzeni ishte shquar për prirjet e tij në pikturë qysh gjatë viteve të para të shkollës. Për këtë arsye i ati ishte interesuar që ai të vazhdonte studimet në këtë degë të arteve të bukura. Pas një konkursi mbarëfederativ në përfundim të shkollës së mesme, Shkëlzeni fitoi të drejtën e studimeve të larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd.
Talenti i tij ra shpejt në sy të pedagogëve dhe shokëve të shkollës. Çdo vit që kalonte ishte një hap më tej në afirmimin e tij si artist i penelit. Shkëlzeni kishte marrë pjesë në çelje ekspozitash me shokë të tjerë studentë. Punimet e tij kishin tërhequr përherë vëmendjen e amatorëve të pikturës.
Në vitin 1967, qeveria amerikane u kishte premtuar bursë falas për specializim të mëtejshëm në SHBA dy studentëve më të mirë në degën e pikturës të asaj akademie. Fituesit do të shpalleshin pas një konkurrimi të posaçëm të kandidatëve të përzgjedhur në bazë të rezultateve vjetore.
Shkëlzeni konkurroi me bindjen se do të zinte vendin e parë, mbasi të tilla i kishte pasur gjithmonë rezultatet krahasuar me shokët e kursit. Edhe studentët e tjerë, të cilët do të konkurronin përkrah tij, e pranonin vetë se do të luftonin për vendin e dytë, mbasi, sipas mendimit të tyre, vendit të parë i dihej zoti.
Në të vërtet Shkëlzeni u kualifikua i treti. Vendimi i jurisë ishte përfundimtar dhe protestat e studentit të zhgënjyer Grami shërbyen vetëm për shfrimin e dufit të tij.
Në pikun e dëshpërimit, ai u kthye pranë familjes në Prishtinë. Babai, intelektual me përvojë, u mundua ta qetësonte:
— Nuk është vendimtar në jetë, aq sa mendon ti, fitimi apo humbja e një konkursi. Jeta e një artisti është një konkurs në vijim. Përpiqu të mos thyhesh shpirtërisht qysh me zhgënjimin e parë. Brishtësia shpirtërore nuk premton mundësi për të çarë vështirësitë në jetë. Vendimtare është të ndihesh i aftë e të punosh pareshtur në të ardhmen, për të ngritur cilësinë artistike të punimeve në pikturë. Me vullnet të fortë e punë këmbëngulëse, suksesi do të vijë natyrshëm. Depresioni është aleat i dështimit.
— Më vjen keq kur mendoj se gjithçka ka qenë e llogaritur qysh më parë, baba. Ky nuk qe aspak rezultat i një konkurrimi rivalësh në pozita të barabarta, por një skualifikim me paramendim. Në gjithë rastet e mëparshëm, kur është bërë vlerësimi i punimeve tona në Akademi, unë kam zënë vendin e parë. Vetëm këtë herë unë nuk u klasifikova as i dyti. Kjo, për arsyen e kuptueshme, se edhe me vendin e dytë unë fitoja të drejtën e specializimit pasuniversitar në SHBA. Ky është një turp për ata që e përgatitën këtë akt të shëmtuar dhe një fatkeqësi për mua.
I ati e besonte se indinjata e Shkëlzenit ishte e bazuar. Ai e kishte ndjekur nga afër ecurinë premtuese të djalit në pikturë. Megjithatë atij i interesonte më tepër e ardhmja:
— Në qoftë se ti, në saje të këmbënguljes në punë, do të triumfosh një ditë në pikturë, kjo ngjarje e hidhur do të të shërbejë si një dëshmi krenarie në rrugën e vështirë të suksesit në art. Ata që ta bënë këtë padrejtësi, pa dashje të kanë bërë edhe një shërbim të madh. Të ofruan një sprovë për kalitjen e vullnetit në art e në jetë. Njeriu vullnetdobët, qoftë edhe i talentuar, nuk e arrin dot suksesin e synuar në art, ngaqë mposhtet prej padrejtësisë shoqërore, e cila është e pranishme kudo, në përmasa të ndryshme. Përkundrazi, njeriu i talentuar e me vullnet të fortë di t’i transformojë në vlera krijuese vështirësitë e kapërcyera, duke impulsuar suksesin.
«Përpiqu ta harrosh këtë ngjarje dhe përvishiu punës, për t’i sfiduar me vepra e jo me llafe ata që nuk ta deshën të mirën. Ti tashmë përfundove studimet e larta në një fushë magjepsëse të artit. Puno i përqendruar që, pas disa muajsh, të organizosh çeljen e një ekspozite vetjake, ku të pëlcasin sytë keqdashësit. Ky do të ishte një sukses i dyfishtë për ty dhe përgjigjja më kuptimplote që mund t’iu jepje atyre, të cilët i ngritën një pengesë tinëzare të ardhmes tënde artistike. Unë mendoj të shkosh tek gjyshi, në Dibër, për të kaluar pushimet verore. Atje do të qetësohesh. Kur ta ndiesh veten të çlodhur e të çliruar nga mërzitja, duhet të fillosh punën. A ka zgjidhje më të arsyeshme e më të dobishme për situatën trishtuese që po përjeton?

Shpresimi kishte sjellë nga shtëpia zarzavate, një kilogram oriz, po aq makarona, kripë e vaj, si ushqim për kohën që do të qëndronte në mal me bagëtitë. Bukën e gatuanin vetë në stan. Racionin mujor për barinjtë dhe qentë e stanit ndërmarrja e jepte miell.
Pasi u kthye në stan, Shpresimi pastroi pëllumbin e vrarë, ndezi zjarrin dhe çoi mbi të një kusi me ujë. Pastaj i vuri samarin mushkës, ngarkoi dy bidonë tunxhi dhe shkoi në burim për të mbushur ujë. Kur u kthye, kusia me ujë kishte valuar. Hoqi ujin e tepërt dhe hodhi një masë orizi brenda, për të përgatitur pilaf. Pëllumbin e poqi, duke përdorur në vend të hellit një shufër thane të drejtë. Ngrohu ujë tjetër dhe me të lau enët e lëna njëra mbi tjetrën prej ortakëve. Në një kupë druri zuri kos. E mbështolli kupën në një rrobë leshi dhe e vendosi në një vend të veçantë. Gjithashtu gatoi dhe poqi një bukë.
Si mbaroi këto punë, mori sëpatën dhe shkoi në pyll. Prej andej u kthye me disa drurë të drejtë në krahë. Për transportimin e gjithë drurëve të përgatitur, Shpresimi bëri edhe tri rrugë të tjera nga pylli në stan. Kur solli drurët e fundit, tufa e dhenve ishte grumbulluar për të vapuar. Shkoi atje me enët e qumështit dhe filluan të milnin dhentë me Fejziun. Pastaj u kthyen të dy në stan.
Fejziu po kullonte qumështin, ndërkohë që Shpresimi nisi një punë, e cila e çuditi ortakun e tij. Me drurët e drejtë që kishte sjellë nga pylli, ai filloi të përgatiste dy shtretër për të fjetur. Deri atëherë, të dy barinjtë e tjerë e kalonin natën përtokë, të mbështjellë me gunë. Shpresimi e shfrytëzoi me nikoqirllëk hapësirën brenda kasolles, duke i vendosur shtretërit në një pozicion që nuk e pengonin qarkullimin e lirë në të.
Pas pushimit të vapës, Fejziu vendosi të dilte përsëri vetëm në kullotë me dhentë. Ai e porositi Shpresimin:
— Ti vazhdo punën e nisur në stan. Kur të fillojë të erret, eja të kujdesemi bashkë për bagëtitë.
Përmbi shtretërit e drunjtë, Shpresimi vendosi një shtresë të trashë fieri të lidhur me tel të hollë pas drurëve. Ai përgatiti gjithashtu disa çengela prej teli të trashë, të cilët i ngeci nëpër drurët e çatisë së kasolles. Në ta vari kusitë dhe kupat e drurit, duke mos lënë asnjë enë përtokë, ku mund të shkonin insektet e pranishëm në mjedisin malor.
Jeta e vështirë pa prindër e kishte mësuar Shpresimin të ishte i papërtuar, pa pritur shërbime prej të tjerëve. Fejziut iu duk stani krejt tjetër, kur u shtri mbi shtratin e butë me aromë gjethe pemësh e fieri.

 


Fragment nga "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamitit


 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0