* * *
Në shtëpinë e moçme gjyshi ruante akoma relikte të trashëguara, apo të siguruara vetë, si pjesëmarrës betejash. Atje gjendeshin jataganë, shpata, mburoja, armë zjarri të vjetra me mbushje nga gryka, gjerdanë fishekësh etj...
Nga Agim Hamiti
Prej dhjetë ditësh, grupi operativ i rrethit të Korçës kishte nisur punën në terren, kur pesë persona, të ardhur prej një krahine të largët të jugut, arritën të arratiseshin, duke e kaluar brezin kufitar afër stanit të Shpresimit dhe shokëve të tij. Njëri prej pesë të arratisurve kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak vetëm pak muaj më parë në postën kufitare, komandanti i së cilës ishte bulmetngrënës i shquar. Për të mos rënë në sy gjatë udhëtimit, ata ishin veshur me rrobat ushtarake të zborit.
Kjo ngjarje bëri jehonë si në Korçë edhe në rrethin prej nga ishin shtetasit e arratisur. Kundërmasat qeveritare qenë të menjëhershme. U shkarkuan nga detyra kryetarët e DPB të të dy rretheve dhe u internuan familjet e pesë personave të arratisur. Internimi i tyre u organizua si një dënim shembullor. U zgjodh një ditë me shi të rrëmbyeshëm, nën të cilin ecnin shtruar-shtruar si për paradë pesë kamionët e zbuluar, që transportonin familjarët e të arratisurve dhe orenditë e tyre shtëpiake.
*
Dy javë pas kësaj ngjarjeje, kryetari i ri i DPB të Korçës organizoi një mbledhje të zgjeruar me oficerët dhe ushtarët e postave kufitare. Takimi u zhvillua pranë postës ku u shkel brezi kufitar. U ftuan të merrnin pjesë edhe barinjtë e tufave që i kishin kullotat në zonat përqark.
Pasi bëri një ekspozé të përgjithshme të ashpërsimit të luftës së klasave në mbarë vendin, kryetari i degës u përqendrua në çështjen thelbësore:
— Armiku i brendshëm kërkon t’i shpëtojë luftës së klasave nëpërmjet arratisjes jashtë shtetit. Ju të gjithë duhet ta dini se çdo shtetas, i cili arrin të arratiset, është një armik i jashtëm më shumë për socializmin që po ndërtojmë. Me të kaluar kufirin, ai vihet në shërbim të imperializmit, për të dëmtuar kauzën tonë të madhe. Prandaj është detyra jonë e përbashkët që t’ia bëjmë sheshin shkëmb elementit armik. Për këtë është e domosdoshme vigjilenca revolucionare e të gjithëve. Barinjtë e tufave të dhenve, të cilët i kanë kullotat deri pranë klonit, duhet të tregohen më vigjilentë ndaj shkelësve të kufirit sesa ndaj ujqërve. Ne kemi plot bagëti dhe ato vijnë duke u shtuar, si të gjitha arritjet tona ekonomiko-shoqërore. Por edhe armiqtë tanë po shtohen në numër.
«Ajo që ndodhi ditët e fundit në zonën tuaj kufitare ishte një akt i rëndë. Prandaj duhen nxjerrë mësimet e duhura prej asaj ngjarjeje. Kjo ka qenë dhe vazhdon të mbetet një ndër zonat më të dhunuara prej shkelësve të kufirit. Komandanti i postës kufitare tre muaj ka që është zëvendësuar. Edhe punëtori operativ nuk ka shumë që është ndryshuar. Tani nuk na mbetet tjetër, veç të kërkojmë zëvendësimin e barinjve të tufave të dhenve. Ne do ta bëjmë edhe këtë, po nuk pamë konkretisht reagimet tuaja pozitive. Në këtë këndvështrim
do të bëhet në të ardhmen vlerësimi i punës së barinjve të zonave kufitare. Deklaratat e nënshkruara, kur keni marrë lejeqarkullimet, nuk janë formalitete boshe por një detyrim ligjor. Nuk do t’ju lëvizë njeri nga ky vend pune pse mund t’ju humbasin disa bagëti, por indiferentizmin ndaj shkelësve të kufirit do ta paguani edhe me ndjekje penale, siç është theksuar edhe në deklaratë.
«Sot e tutje, ne do të mbajmë një qëndrim shumë të rreptë ndaj shkelësve të kufirit. Çdo shqiptar gjakprishur, që do të guxojë t’i drejtohet brezit kufitar, atje do t’i lërë kockat. Do ta shikoni me sytë tuaj këtë. Partia me bukë e ata me gurë, nuk ecet më kështu. Pa të fillojmë edhe ne një herë të godasim me gurë, të shikojmë pastaj se kush do të fitojë. Si thua ti, Pelar, kush do të fitojë? e mbylli fjalën me humor kryetari i DPB.
— Partia, shoku kryetar, partia, e kush tjetër? Mos ardhtë ajo ditë që…
Era e malit i rrëmbeu atë çast kasketën e dokut Pelarit, duke e detyruar të ndërpriste fjalën e të kërkonte ndjesë.
— Të marrtë kokën herën tjetër! ia priti ai, duke u dhënë rast të pranishmëve të qeshnin pak për servilosje, që të çliroheshin pjesërisht prej trysnisë që kryetari i degës kishte ushtruar deri atë çast.
Vitet e fëmijërisë Shkëlzeni i kishte kaluar pranë gjyshit dhe gjyshes në Dibër të Madhe. Kur ai ishte dhjetë vjeç, i ati u vendos me banim të përhershëm familjarisht në Prishtinë. Megjithatë një muaj të pushimeve verore Shkëlzeni e kalonte për çdo vit tek gjyshi.
Piktori i ri ruante kujtime të pashlyeshme nga vitet e ëmbël të fëmijërisë. Gjyshi i tij, pjesëmarrës aktiv i përpjekjeve me armë të shqiptarëve për liri gjatë dy dekadave të para të shekullit, i kishte folur me pasion nipit kureshtar për ngjarje të spikatura heroizmi të popullit shqiptar në rrugën e vështirë të historisë së tij të dhimbshme.
Në shtëpinë e moçme gjyshi ruante akoma relikte të trashëguara, apo të siguruara vetë, si pjesëmarrës betejash. Atje gjendeshin jataganë, shpata, mburoja, armë zjarri të vjetra me mbushje nga gryka, gjerdanë fishekësh etj.. Ai kishte përgatitur në katin përdhes një dhomë enkas për të ekspozuar armët e
ftohta dhe të zjarrit, me të cilat të parët e tij dhe ai vetë kishin luftuar për sigurimin e mbijetesës.
Kur ndodhej në shtëpinë e gjyshit, Shkëlzeni shkonte herë pas here tek dhoma muze. Ai nuk lodhej së sodituri ato armë, të cilat dëshmonin se jeta e të parëve të tij në ata troje nuk kishte qenë e lehtë.
*
Një ditë gjyshi e kishte gjetur të nipin tek po sodiste i hutuar mozaikun e armëve antike. Shkëlzeni nuk e kishte ndier fare hyrjen e tij. Gjyshi po vëzhgonte përqendrimin e madh të nipit adoleshent në kuptimin e armëve të ekspozuara. Për një çast Shkëlzeni iu afrua faqes së murit, që shërbente si vitrinë, dhe kapi majën e këllëfit të larë në argjend të një jatagani. Pa dashje, e lëvizi nga vendi dhe ai u rrëzua me tërsëllimë mbi shtresën prej çimentoje të dhomës. I trembur nga zhurma e jataganit të rrëzuar, Shkëlzeni u kthye me vërtik për të dalë prej andej; por u ndodh ballë për ballë me gjyshin. Djali uli kokën i turpëruar.
— Ç’bën kështu, nipçe? Shqiptari nuk e braktis armën as në fushë të betejës e jo më në qilarin e gjyshit! Merr jataganin e rrëzuar, nxirre prej këllëfit dhe përgatitu të bësh duel me mua, se më ke koritur armët.
Shkëlzeni, i skuqur në fytyrë, e ngriti nga toka jataganin e rrëzuar, por nuk arriti dot ta nxirrte prej këllëfit. Për këtë e ndihmoi vetë gjyshi, i cili i tregoi sesi mbahej në pozicion luftimi kjo armë e ftohtë. Atëherë Shkëlzeni ishte 11 vjeç dhe nuk e përdorte dot me një dorë jataganin.
— S’ka gajle, i tha gjyshi. – Edhe luftëtarët e mëdhenj, në kulmin e betejës, me të dy duart e përdornin jataganin, si ti, dhe bënin kërdinë mbi armikun.
Ai zgjodhi një jatagan tjetër për vete dhe u vendos përballë të nipit. Gjyshi ia përsëriti disa herë veprimet sulmuese dhe mbrojtëse që duheshin kryer gjatë një dyluftimi, pastaj kaloi në ushtrimin praktik. Ndërkaq Shkëlzeni ishte çliruar disi prej emocioneve dhe, gjithë seriozitet në pamje, e kishte përqendruar vëmendjen mbi kundërshtarin. Pas shkëmbimit të goditjeve të para, ai u ngazëllye dhe filloi të përshpejtonte ritmin e tyre. Çakërrqejf prej mobilizimit luftarak të nipit, gjyshi mbrohej me jataganin e tij. Vringëllimi i armëve gjatë përplasjes i krijonte përshtypjes e një dyluftimi të vërtetë Shkëlzenit. Me sytë të mbyllur përgjysmë prej kontraktimit të fytyrës dhe buzën e poshtme të kafshuar, ai përpiqej të bënte lëvizje sa më të shpejta, për ta kapur në befasi gjyshin.
Pas disa minutash, Shkëlzeni djersiu dhe gjyshi pranoi humbjen.
— Të lumtë, o trim i gjyshit! Ti do të bëhesh një luftëtar i madh dhe koleksionit tonë të armëve do t’i shtohen një ditë edhe të tuat.
Pas këtij dueli, Shkëlzeni fitoi të drejtën që t’i sodiste e t’i prekte pa ndrojtje armët e gjyshit, sa herë të dëshironte.
*
Një ditë tjetër Shkëlzeni kishte shkuar në dhomën muze me laps e fletore. Për dy orë rresht, ai kishte vizatuar shumicën e armëve në fletë të veçanta. Kur ia tregoi gjyshit, ky u entuziazmua nga cilësia e vizatimeve.
— Unë do të t’i blej këto punime të bukura dhe do t’i vendos poshtë armëve përkatëse, i premtoi të nipit. – Vizitorët, që do të shkojnë atje në të ardhmen, do të shikojnë edhe vizatimet e tua të mrekullueshme. Le ta marrin vesh se porta e Gramajve nuk nxjerr vetëm luftëtarë, por edhe talente.
Ai i dha një shumë të hollash Shkëlzenit dhe i vendosi vizatimet pranë armëve të ekspozuara.
Pas asaj dite, ai e nxiste gjithmonë nipin që të mos hiqte dorë prej vizatimit.
— Bëj të pamundurën që djali të vazhdojë shkollën për pikturë, e porositi babanë e Shkëlzenit.
Gjatë viteve të shkollës së mesme, Shkëlzeni rrinte vetëm një javë tek shtëpia e gjyshit, gjatë pushimeve verore. Me fillimin e studimeve të larta në Akademinë e Arteve të Bukura, ai i rralloi vizitat në Dibër. Madjé, ai tashmë shkonte si mysafir edhe tek shtëpia e të atit në Prishtinë. Rrethi i ri shoqëror dhe interesat e çastit e të së ardhmes i hapnin horizonte të reja.
Me propozimin e dy shokëve të punës, Shpresimi u caktua si kujdestar i stanit. Pelari dhe Fejziu nuk donin ta humbitnin përfitimin që u solli ai me mënyrën e organizimit të jetesës në mal. Kjo ishte një kënaqësi e përbashkët, prandaj Shpresimi e pranoi propozimin e tyre. Ata nuk do të qëndronin atje një apo dy javë, por, të paktën, deri nga fundi i shtatorit.
Klima në mal gjatë muajve të verës ishte një dhuratë e çmuar e natyrës. Pak kujdes në mënyrën e të ushqyerit dhe të të fjeturit do të ndikonte mjaft në qetësinë dhe shëndetin e tyre larg familjes.
Fragment nga "ENIGMA E NJË BRENGE"
Comments (0 posted)
Post your comment