Latest News
Lenore
Sa shpejt që zhduket përreth tyre ajo çka hëna ndriçon ! Sa shpejt ikën gjithçka larg !
Përkthyer nga Urim Nerguti
Lenore, në të gdhirë, zgjohet nga një ëndërr e dhimbshme, dhe ngrihet nga shtrati. Mos më ke tradhtuar, Wilhelm, apo ke vdekur ? Edhe sa do të vonohesh ti ? – Wilhelm kishte shkuar, me mbretin Frederic, në betejën e Pragës ; dhe qysh nga ajo kohë ai nuk kishte çuar asnjë lajm nëse ishte plagosur apo ndodhur gjë.
Mbreti dhe Perandoresha, të lodhur nga një grindje e gjatë, i kanë zbutur mëritë e tyre, dhe më në fund kanë vendosur paqen. Duke kënduar, me zhurmë instrumentash, të dyja ushtritë, të kurorëzuara me degë gjethesh të gjelbra, ktheheshin në atdhe dhe në shtëpitë e tyre.
Ngado, pothuaj ngado, nëpër udhë, kodra, të rinj dhe të vjetër, duke përzier himnet e tyre të gëzimit, vraponin përpara të ardhurve. Zoti qoftë lëvduar ! thirrnin fëmijët dhe gratë e martuara. Mirë se kanë ardhur ! thoshin disa të fejuara plot buzagaz. Por, mjerisht ! për Lenore, përshendetja dhe puthja e rikthimit ishin të humbura.
Ajo e pyeti vargun nga kreu në fund, dhe u njoh me të gjithë emrat. Por asnjë prej atyre që erdhën nuk i dha ndonjë lajm asaj. Kur e gjithë ushtria kaloi, ajo filloi të shkulë flokët e saj të zinj, dhe u hodh përtokë, e nxirë nga hidhërimi.
E ëma vrapoi pas saj. – Oh medet ! Zoti na mëshiroftë ! Ç’të ka ndodhur, fëmija im i gjorë ? Dhe ajo e shtrëngonte të bijën në krahët e saj. – Oj nënë, oj nëna ime ! I vdekur ! Ai është i vdekur ! Tani, lamtumirë botë, lamtumirë gjithçka ! Zoti është i pamëshirshëm. O mallkim, mallkuar qofsha, e mjera unë !
– Na shpëto, Zoti ynë, na shpëto ! Jini zemërgjërë. Bija ime, thuaj një lutje ; çka bën Zoti e bën mirë. O Zot, Zoti im, kini mëshirë për ne ! – Oj nënë, nëna ime ! Fjalë të kota ! Nëse Zoti bën mirë, kjo nuk është për mua. Kujt i duhet lutja ime ? Tani nuk kam më nevojë për të.
– Na ndihmo, o Zot, na ndihmo ! Ai që e di që ai është një at, di që ai i ndihmon bijtë e vet ; Fjala e Shenjtë do të zbusë hidhërimin tënd. – Oj nëna ime ! Ajo çka më përvëlon, nuk ka fjalë që e shuan ! Nuk ka fjalë që i kthen në jetë të vdekurit.
– Dëgjo, bija ime ! Ndoshta ky njeri gënjeshtar, në Hungarinë e largët, do ta ketë harruar besën e tij për ndonjë vashë tjetër ! Mos u mërzit, bija ime, lëshoje zemrën rrafsh ; ai nuk do të jetë i shpërblyer ; atëherë kur shpirti dhe trupi i tij do të ndahen, shkelja e fjalës së tij do të djegë atë në ferr.
– Oj nënë, nëna ime, ai ka vdekur ! Ai ka vdekur, ka humbur, nuk është më i gjallë ! Të vdes, të vdes, ky qenka fati im. Fiku ti, drita ime, fiku ti përgjithmonë ! Le të vdes dhe unë ! Le të vdes në terr dhe në tmerr ! Zoti nuk ka mëshirë ! O mallkim, qofsha mallkuar, e mjera unë !
– Na ndihmo, o Zot, na ndihmo ! Mos hyni në gjykim me bijën tuaj të gjorë. Ajo nuk e di çfarë i flet goja. Mos i shikoni mëkatet e saj. Medet ! bija ime, harroje dhimbjen tokësore, dhe mendo Zotin, shpëtimin tënd ! Ky i fejuar nuk do t’i mungojë shpirtit tënd.
– Oj nënë, e ç’është shpëtimi ? Oj nënë, e ç’është ferri ? – Eshtë ai, është ai shpëtimi im, dhe pa Wilhelm gjithçka është ferr. Fiku ti, drita ime, fiku ti përgjithmonë ! Le të vdes dhe unë ! Le të vdes në terr dhe në tmerr ! Pa të, nuk mund të rri mbi tokë : nuk mund të jem e lumtur pa të.
Kështu dëshpërimi ia humbet mendjen asaj dhe ia copëton venat e trupit ; kështu ajo guxon, kryelartë, të zihet me dorën e Zotit. Ajo çjerr gjoksin e vet ; përdredh krahët, deri në të hyrë të diellit, deri në orën kur kupa e qiellit mbulohet me yjet e saj të artë.
Dhe përjashta, mbani vesh ! Trok, trok, trok : më duket galopi i një kali ; nga ai zbret një kalorës, dhe në oborr dëgjohet zhurma e hapave të tij. Dëgjoni ! dëgjoni ! Ai i bie ngadalë ziles. Kling, kling, kling, dhe përmes derës vijnë të qarta këto fjalë :
Hej, hej ! Hape vogëlushja ime. Po fle, e dashur, apo je zgjuar ? Ç’ke menduar për mua ? Po qan apo buzëqesh ? – Për fat të keq, Wilhelm ! Ti ! Kaq vonë, natën ! Kam qarë dhe të kam pritur ! Për fat të keq ! Kam vuajtur shumë. Nga po vjen tani me këtë kalë ?
– Ne i hypim shalës vetëm në mesnatë. Po vij këtu nga fundi i Bohemisë, dhe dua të të marr me vete. – Oh ! Wilhelm, futu shpejt brenda. Era po fryn në murriz. Eja në krahët e mi, i dashuri im i zemrës, eja të të ngroh.
– Lëre erën të fryjë në murriz. Lëre të fryjë, vogëlushja ime ! Kali i zi po rrah tokën. Mamuzi po ushton. Nuk guxoj të rri këtu. Eja, vishu, zbrit poshtë, dhe hidhu prapa meje mbi vithet e kalit. Sot na duhet të bëjmë rrugë të gjatë, për të shkuar në shtratin tonë të martesës.
– Oh ! E qysh mund ta bëjë unë gjithë këtë rrugë, për të shkuar në shtratin tonë ? Dhe dëgjo ! Këmbana po gjëmon akoma ; ajo ka rënë tani ora njëmbëdhjetë. – Shiko këtu, shiko ! Hëna shndrit e pastër. Ne, dhe të vdekurit, ne ecim shpejt. Do të të shpie, ta jap fjalën, do të të shpie sot në shtratin tonë të martesës.
– Por më thuaj : ku është dhoma jote ? Ku ? Qysh është shtrati yt i martesës ? – Larg, mjaft larg prej këtu : i qetë, i ftohtë dhe i vogël : gjashtë dërrasa, dhe dy të vogla. – A ka vend për mua aty ? – Për ty dhe për mua. Eja, vishu, zbrit poshtë dhe hyp prapa meje. Të ftuarit në dasëm po na presin. Dhoma jonë është e hapur.
Tashmë e dashura është veshur. Ka zbritur poshtë dhe është hedhur lehtësisht mbi kalë. Ajo e shtrëngon kalorësin me duart e saj të bardha : dhe shpejt, shpejt : hop, hop, hop, ja që ata nisen me zhurmë të madhe në galop, aq sa kali dhe kalorësi filluan të dihasin, dhe gurët nxirrnin xixa nën hapat e tyre.
Majtas, djathtas, sa shpejt kaloni para syve të tyre livadhet, pyjet, fushat ! Urat kërcisnin si rrufe, kur ato kalonin. – E dashura ime, ke frikë ?... Hëna shndrit e pastër… hyaaa ! Të vdekurit shkojnë shpejt… a ke frikë e dashura ime nga të vdekurit ? – Oh ! jo… por lëri rehat të vdekurit.
Çfarë janë këto këngë, këto zhurma që ushtojnë ? Ç’kërkon qyqja këtu ? – Mbani vesh ! kjo është këmbana e vdekjes. Mbani vesh ! kjo është kënga e të vdekurve : NA LINI TA VARROSIM KETE TRUP. Dhe vargu funebër afrohej, duke mbartur mbi supe arkivolin me qefinin e tij të varrimit. Kënga ishte e ngjashme me zhurmën e bretkosave nëpër moçalishte.
Pas mesnate, ju do ta varrosni këtë trup me zhurmë këmbanash, këngësh, vajesh ! Tani po çoj në shtëpi nusen time të re. Me ne, me ne, në festë ! Eja këtu, famullitar ! Eja me korin, dhe më bëj shërbimet e martesës. Eja, prift, dhe bëj bekimin, përpara se të shtrihemi në shtrat.
Zhurmat, këngët kanë pushuar… Arkivoli është zhdukur. Duke iu bindur zërit të tij, vargu i ndjek ato. Shpejt, shpejt ! Ai yshte vargun e dasmorëve, që ai e prekte pothuaj me këpucët e tij prej druri, dhe gjithmonë e më të shpejtë, hop, hop, hop, ato vazhdonin galopin e tyre plot zhurmë, aq sa kali dhe kalorësi dihasnin rëndë, dhe gurët lëshonin xixa nën hapat e tyre.
Sa bukur iknin ato majtas, djathtas, nëpër brinja, pyje e zabele ! Sa bukur iknin ato majtas, djathtas, nëpër fshatra e qytete ! – A ke frikë e dashura ime e shtrenjtë ?... Hëna e plotë shndrit atje lart !... hyaaa ! Të vdekurit shkojnë shpejt… e dashura ime, a ke ti frikë ? – Oh ! jo. Por lëri në paqe ato, të vdekurit.
– Shiko atje ! shiko atje ! Pranë trekëmbëshit, e sheh ti të vallëzojë përreth rrotës, që mezi duket nën kthjelltësinë e hënës, këtë lukuni lugatësh ? Hej, ju ! Ejani këtu ! Ejani dhe më ndiqni. Ju do të na kërceni vallen e dasmës, kur ne të jemi për tu futur në shtrat.
Dhe kjo lukuni, shpejt, shpejt, shpejt, u vu pas për ti ndjekur ato, duke u çirrur si furtuna që vërshëllen përmes gjetheve të vyshkura ; e gjithnjë e më të shpejtë, hop, hop, hop, ato vazhdonin galopin e tyre plot zhurmë, aq sa kali dhe kalorësi dihasnin rëndë, dhe gurët lëshonin xixa nën hapat e tyre.
Sa shpejt që zhduket përreth tyre ajo çka hëna ndriçon ! Sa shpejt ikën gjithçka larg ! Përsipër tyre, përreth tyre, sa shpejt ikin, qielli dhe yjet ! – Ke frikë e dashura ime ?... Hëna shndrit e kthjellët... Hyaaa ! Të vdekurit shkojnë shpejt… Ke frikë e dashura ime ? Ke frikë nga të vdekurit ? Eh medet ! Lëri të qetë të vdekurit.
– Kali im i zi ! Kali im i zi ! Më duket tashmë që gjeli më thërret ; rëra së shpejti do ketë rrjedhur. Kali im i zi ! Kali im i zi ! E ndjej freskinë e mëngjesit. Kali im i zi, nxito ! Mbaroi ! Rruga jonë mbaroi ! Ja shtrati martesor që hapet ! të vdekurit shkojnë shpejt. Ne kemi, ne kemi mbërritur.
Befas ai hidhet si rrufe kundër një grile të hekurt ; me një goditje të shkopit të tij të lehtë, ai thyen derën dhe llozat. Ikja e tyre gjëmuese është me krahë. Ato vrapojnë përsipër varreve. Të gjithë gurët e varreve shndrisin përreth tyre të ndriçuar nga hëna.
Dhe shiko, shiko ! Befas, shikoni çfarë mrekullie e tmerrshme ! Pelerina e kalorësit, copë e çikë, bie si eshkë e djegur. Një kafkë, pa mish e pa flokë, një kafkë lakuriq, ja koka e tij ! Trupi i tij është një skelet, me një poç rëre dhe një kosë.
Kali i zi ngrihet fare drejt në dy këmbët e pasme. Ai lëshon një hingëllimë të egër, vrimat e hundës së tij lëshojnë zjarr, e pastaj ai fundoset dhe zhduket nën kalorësin. Klithma, klithma zbresin nga thellësia e qiellit, rënkime ngjiten nga gropat e varreve. Zemra e drithëruar e Lenore rrihte ndërmjet jetës dhe vdekjes.
Tani shpirtërat hedhin valle nën dritën e hënës, të mbajtur dorë për dore dhe duke u rrotulluar : ky është rrethi i hijeve, dhe ato këndojnë këto fjalë : Durim ! Durim, edhe kur zemra thyhet ! Mos u grind me Zotin në qiell. Ti je çliruar nga trupi yt : Zoti qoftë i mëshirshëm për shpirtin tënd.
(Gottfried August Bürger)
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment