Home | Literature | * * *

* * *

image © Photo: John Ince
Ai ndiente emocione të paprovuara më parë, kur një punim i nisur nga nipi merrte trajtë të plotë. Të privohej gjyshi nga e drejta për të qenë i pranishëm në atë fluks pune krijuese, do të ishte një dënim për të. Mirëpo ai nuk u nënshtrohej kollaj dënimeve të tilla.




 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 


Me copa pllakash guri të zgjedhura posaçërisht dhe me baltë, Shpresimi ndërtoi një furrë të vogël, për të pjekur bukën e përditshme në kushte më të përshtatshme. Si vatër përdori një dërrasë guri të trashë e të lëmuar. Në këtë furrë, e mjaftueshme vetëm për një tepsi, ai filloi të piqte tava të ndryshme me perimet që sillte shoku i punës, i cili kthehej nga leja e radhës, apo me të përbrendshmet e ndonjë deleje që u takonte si racion mujor i mishit. Bulmeti, i cili kishte qenë i vetmi ushqim për Pelarin dhe Fejziun, dalëngadalë po dilte në plan të dytë. Atyre as u kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se mund të hanin syltjash apo byrek me lakra e me gjizë në mal. Për ata të dy, këto ngjanin si
ditë feste.
Ndryshimin cilësor të të ushqyerit të barinjve e vuri ré edhe komandanti i postës kufitare, i cili i kishte dendësuar vizitat në stan. Sa herë që e gjente Shpresimin duke gatuar, ai nuk largohej pa e shijuar gjellën që po përgatitej.
— Sipas organikës, ju jeni tre barinj, kurse në fakt vetëm dy gjendeni gjithmonë në stan. I treti ndodhet në shtëpi me lejen e radhës. Prania ime midis jush nuk është e tepërt, se zëvendësoj bariun e tretë. Zëre se ndodheni të tre këtu, i thoshte duke qeshur Shpresimit komandanti i postës kufitare.
Ky nuk ia prishte qejfin asnjëherë, por, duke i folur me takt, ia bënte të qartë se do të ishte gjithmonë i mirëpritur, sikur të mos i pengonte ushtarët të dukeshin nganjëherë tek stani.
— Tekefundit ti je oficer me rrogë dhe për çdo fund jave shkon pranë familjes, i thoshte Shpresimi. – Ata janë ushtarë të shërbimit të detyrueshëm, larg familjes, pa rrogë, djem të rinj e me oreks. Mendoj se do të ishte më mirë ta mbyllje njërin sy, kur ndonjë ushtar kthehet këtu në stan.
Komandanti i postës, duke mos dashur të kishte rival tek dera e stanit, nuk e jepte kollaj fjalën, por, me kalimin e ditëve, ushtarët po dukeshin tek stani dhe ndaj tyre nuk po merreshin më masa disiplinore.
Mungesën e familjes Shpresimi e njihte si rrallëkush. Ai tregohej shumë i dashur ndaj ushtarëve, duke u përpjekur t’i ndihmonte me sa mundej. Ata e ndienin dashamirësinë e tij dhe u miqësuan me Shpresimin deri në atë masë, saqë diskutonin së bashku edhe për probleme familjare.

Ardhja e Shkëlzenit, për të kaluar pushimet verore në Dibër, qe një ngjarje e gëzueshme për gjyshin 84 vjeçar. Gëzimi i tij u shtua edhe më tepër kur mësoi se nipi kishte ardhur me një synim të madh: të punonte për çeljen e ekspozitës së parë vetjake në pikturë. Në bisedë me të nipin, gjyshi mësoi ngjarjen e hidhur të humbjes së tij në konkurs. Fillimisht atij i erdhi keq për trishtimin e Shkëlzenit, por, duke qenë luftarak nga natyra dhe i pamposhtur në mbrojtje të së vërtetës, gjyshi nuk pajtohej me rënien morale.
— Mos u ligështo nga padrejtësi të tilla, të cilat u kanë rënë në pjesë shqiptarëve prej kohësh, i tha ai nipit. – Kjo gjë ty mund të të kishte ndodhur edhe në Prishtinë, jo më në Beograd. Shkjahët nuk mund të pranonin të shkonte për specializim në Amerikë një djalë shqiptar, më i talentuar se bijtë e bijat e tyre. Ky nuk është fundi i botës për ty, përkundrazi. E vërteta është gjëja më e pamposhtur në jetë. Kundërpërgjigjja e menduar prej jush është kuptimplote. Indinjata është alarm në ndërgjegje. Ajo kthehet në një forcë të madhe, kur nuk braktiset fusha e betejës. A do të ishte kaq i madh, p.sh., sa ka mbetur në kujtesën e popullit Mic Sokoli, sikur armiku të mos i kishte dhënë rastin të tregonte atë heroizëm, që e bëri të pavdekshëm? Në fund të fundit edhe Mici, si çdo njeri në këtë botë, do të vdiste një ditë, edhe po të mos ishte vrarë si trim i rrallë. Ç’do të kishte fituar? Disa vjet jetë më shumë dhe një vdekje të mbuluar nga harresa e përjetshme, si e miliarda njerëzve anonimë. Ka vdekje më të lehta se një pupël, por ka edhe vdekje më të rënda se një mal. Lum ai që ka fat këtë të dytën, o bir! Unë jam plak dhe pa shumë shkollë, por jeta më ka mësuar disa gjëra, të cilat mund të t’i mësojë vetëm ajo.
«Mendoj se edhe përmbajtja e ekspozitës, që do të përgatitësh, duhet t’iu bëjë jehonë kryesisht luftërave të zhvilluara historikisht prej shqiptarëve, të detyruar nga padrejtësitë e më të fortëve. Shqiptari nuk e ka pasur ndonjëherë të tepërt gjakun, që ta derdhte për qejf. Sot, shpirti yt i ri është tronditur nga padrejtësia. Në këtë gjendje shpirtërore, ti mund të transmetosh, më mirë se kurrë më parë, mesazhin e duhur me penelin tënd.
*
Javën e parë tek shtëpia e gjyshit Shkëlzeni vetëm pushoi.
Në fillim të javës së dytë, ai dhe gjyshi sistemuan tri tavolina pune në kopsht, të vendosura në tre pozicione larg njëri-tjetrit. Horizontet e tri tavolinave shtriheshin mbi tri pamje të ndryshme, tri panorama të larmishme për syrin e një artisti.
Prej njërës, shikimi ndehej mbi pjesën verilindore të qytetit dhe, më tej, mbi një pllajë të bukur. Në këtë tavolinë Shkëlzeni niste punën në mëngjes. Një fllad i freskët verior ia bënte të këndshëm fillimin e punës. Në përfundim Shkëlzeni e quajti atë tavolina e shansit, ngaqë atje kishte pasur më tepër rendiment.
Tavolina e dytë ishte vendosur në hijen e një molle të vjetër. Prej këtij pozicioni, rrezja e shikimit përshkonte një masiv të gjelbër pyjor në drejtimin juglindor e tretej në horizont. Pranë mollës ishte një çezmë, në të cilën Shkëlzeni freskohej. Aty ai punonte në orët e mesditës.
Tavolinën e tretë e kishin sistemuar në hijen e një qershie të lartë, në anën perëndimore të kopshtit. Prej vendndodhjes së saj nuk dukeshin dy tavolinat e tjera. Horizonti i shikimit nga ky pozicion kufizohej larg në perëndim prej kreshtës së maleve me gjelbërim të përhershëm. Këtu Shkëlzeni punonte pasdite. Në perëndim të diellit, kreshta malore merrte një ngjyrë të përflakur, e
cila i ngacmonte fantazinë piktorit të ri.
Për çdo ditë gjyshi i përgatiste me kujdes tavolinat e punës së nipit. Ai zgjohej herët, si zakonisht, dhe mblidhte një tufë lule të freskëta në cep të kopshtit, ku kishte përgatitur një serë të vogël. Edhe kombinimin e ngjyrave të buqetës e bënte me merak.
— Aromën e luleve piktorët e nuhasin si gjithë të tjerët, por harmoninë e ngjyrave e shijojnë ndryshe nga të tjerët, shprehej gjyshi.
Kur afronte ora që Shkëlzeni të kalonte tek tavolina tjetër e punës, gjyshi përgatiste një buqetë të dytë lulesh të freskëta dhe e çonte atje, pavarësisht nëse i nipi do të vazhdonte punë apo jo. Natyrisht, tufa e luleve të reja përbënte një mozaik të ri ngjyrash. Tek tavolinat e punës gjyshi çonte edhe pije freskuese. Për kafe ose send tjetër, Shkëlzeni duhej të porosiste vetë.
Shërbime të tilla, në dobi të mbarëvajtjes së punës së nipit, mund t’i kryente edhe ndonjë person tjetër nga familja e gjyshit. Ai kishte nuse, nipër e mbesa, të gatshëm për këtë punë. Mirëpo gjyshi nuk qëndronte dot në rehatí ndërkohë që, sipas fjalëve të tij, në shtëpinë e Gramajve po shfaqej historia mbi pëlhurë. Ai ndiente emocione të paprovuara më parë, kur një punim i nisur nga nipi merrte trajtë të plotë. Të privohej gjyshi nga e drejta për të qenë i pranishëm në atë fluks pune krijuese, do të ishte një dënim për të. Mirëpo ai nuk u nënshtrohej kollaj dënimeve të tilla.

 

Fragment nga  Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamitit

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0