* * *
Prania e saj, kurdo që të zbulohej, do ta bënte të domosdoshëm një hetim të rreptë e këmbëngulës dhe telashet do të ishin të pashmangshme. Gjurmët e tij përqark atij vendi ishin të shumta.
Nga Agim Hamiti
— Kur të mbarosh punët e stanit, po pate kohë, na sill ca drurë me mushkë nga pylli, Shpresim, e porositi Pelari. Duhet të rregullojmë vathën e dhenve, se është dëmtuar në disa vende.
— Do të përpiqem. Mund të lë ndonjë punë të vogël pa bërë në stan, por drurët do t’i sjell, se do të na dalin dhentë nga vatha natën.
Shpresimi nxitoi dorën në punët e stanit, pastaj mori mushkën e u fut në pyll. Atje i hoqi frerin nga goja, të ishte e lirë për të kullotur, ndërsa vetë filloi të përgatiste drurët me sëpatë.
Pas një ore, kishte mbaruar punë dhe shkoi të merrte mushkën, për të bërë transportimin e drurëve. Nuk e gjeti atje ku e kishte lënë. Zilja e saj dëgjohej në thellësi të pyllit. Shpresimi mori rrugën në drejtimin prej nga i vinin tingujt e ziles. Nuk kishte ecur më shumë se treqind metra, kur ndeshi në një vend me ferra e shkurre të tjera të dendura. Ato ishin të pakalueshme. Duke lëvizur përgjatë perimetrit të ferrës, për të gjetur një shteg kalimi, i shkuan sytë tek diçka e zezë, e fshehur brenda në shkurre. I bëri përshtypje sendi i fshehur në
zemër të pyllit ku, normalisht, nuk i binte rruga askujt për të kaluar.
Atij iu desh pak punë për të hapur ferrat e mplenksura e të arrinte tek vendi ku ndodhej sendi i fshehur. Kur e mori në dorë, vuri ré se ishte një xhaketë doku blu, me të cilën ishte mbështjellë diçka e fortë. Kur filloi ta shpaloste, era e mykut e detyroi të kthente fytyrën nga ana tjetër. Kjo tregonte se xhaketa kishte kohë që ishte fshehur atje dhe e kishin zënë shirat. Brenda saj gjeti një qeskë mushamaje me një revole Bereta. Ajo ishte e mbushur dhe kishte një krehër fishekësh rezervë. Lagështira kishte depërtuar në brendësi. Në njërën anë të krehrit me fishekët rezervë, në cep, dallohej një njollë e vogël ndryshku. Revolja vetë ishte e pacenuar dhe shkëlqimi i sipërfaqes së saj të nikeluar i vrau sytë.
Shpresimi mbeti me armë në dorë në mëdyshje. Si të vepronte?
Sipas deklaratës që kishte nënshkruar, prej tij kërkohej që ta vendoste xhaketën me armën brenda saj tek vendi ku e gjeti dhe të lajmëronte postën kufitare. Kështu do të ishte ligjërisht në rregull, por do të kishte telashe duke u pyetur e stërpyetur për ditë të tëra prej hetuesve të DPB të Korçës. Aq më tepër që ajo zonë kufiri ishte bërë problematike, pas arratisjes së atyre të pesëve.
Shpresimi, një natyrë e mbyllur dhe e ndrojtur, nuk i kishte aspak për zemër kontaktet me hetues e me policë. Po sikur ekspertiza të përcaktonte personin që i kishte lënë ato sende e ishte kthyer sërish nga kishte ardhur, në pamundësi të kalimit të kufirit? Në këtë rast Shpresimi do të ishte shkaktari dhe dëshmitari kryesor i dënimit të një personi, i cili nuk i kishte asnjë borxh.
Mjaftoi kjo hamendje me pasoja të padëshirueshme, realizimi i së cilës do ta vinte në pozitë të vështirë Shpresimin e ndershëm e paqësor, që të hiqte dorë nga ky veprim. Ai vendosi të mos bënte zë për sendet e gjetura, për të mos i krijuar telashe as vetes e as ndonjë personi tjetër. Ndërkohë nuk e quajti veprim të arsyeshëm lënien e armës atje përsëri. Prania e saj, kurdo që të zbulohej, do ta bënte të domosdoshëm një hetim të rreptë e këmbëngulës dhe telashet do të ishin të pashmangshme. Gjurmët e tij përqark atij vendi ishin të shumta. Xhaketa vetëm, duke qenë gjithë myk, do të kuptohej që ishte lënë prej kohësh atje. Pra, nuk bëhej fjalë për një shkelje rishtas të kufirit.
Shpresimi e futi përsëri revolen në qeskën e mushamasë dhe këtë e vendosi në xhepin e brendshëm të xhaketës së tij. Mbështolli xhaketën e dokut blu në atë formë që e gjeti dhe e çoi në vendin ku kishte qenë. Pastaj mori mushkën dhe filloi transportimin e drurëve të përgatitur.
Atë ditë Shpresimi ishte vetëm me Pelarin në ruajtje të bagëtive. Pasi çoi drurët e parë tek stani, ai e lidhi mushkën atje dhe u largua. Me xhaketën hedhur në sup, u nis rrugës së kthimit në shtëpi. Pasi kishte ecur një çerek ore, stani dhe kullota ku ndodhej Pelari me dhentë nuk dukeshin më. Shpresimi u kthye djathtas e u fut në pyll. Atje zgjodhi një vend të përshtatshëm ku fshehu qeskën prej mushamaje, të cilën e mbështolli me një copë plastmasë që kishte marrë në stan.
*
Të pasnesërmen në mëngjes herët Shpresimi u nis për në shtëpi, mbasi mbrëmjen e mëparshme ishte kthyer Fejziu. Ai mori me vete edhe Beretën e fshehur në pyll. Pranverës nuk i tregoi gjë, për të mos ta shqetësuar.
Kur nusen dhe Manushaqen i kishte zënë gjumi, ai u çua qetë-qetë prej krevatit. E mbështolli qeskën e mushamasë me një copë plastmasë të fortë. Pastaj bëri një gropë të thellë në rrëzë të një kumbulle në mes të bahçes dhe e mbuloi qeskën me kujdes.
— Më mirë e varrosur, sesa në dorë të hetuesisë, murmuriti Shpresimi tek po lante duart në musllukun e varur ndanë të shkallëve. – Ashtu do të më krijonte probleme mua dhe kushedi se kujt tjetër. Le të flejë aty, s’më kërkon bukë për të ngrënë.
Të nesërmen në mëngjes ai mbolli dy lehe barbunja përqark kumbullës.
Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamitit
Comments (0 posted)
Post your comment