Home | Literature | * * *

* * *

image
I bukur është arti e patjetër duhet respektuar, por edhe zakonet e trojeve tona nuk janë më pak të bukur e nuk duhen lënë pas dore. Arti të zbukuron shpirtin, zakoni sjelljen. Ejani të hyjmë një herë në shtëpi e të përshëndetem për së mbari; mandej do t’i shohim edhe pikturat e nipit.


 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

...

Secilën prej pikturave të përfunduara Shkëlzeni e linte tri ditë të ekspozuar në dhomën e gjyshit, pastaj e ambalazhonte me kujdes dhe e çonte në një dhomë të veçantë, çelësin e së cilës e mbante vetëm i zoti i shtëpisë. Gjyshi e linte kastile dy orë në ditë derën e dhomës së tij pa çelës, me qëllim që çdo anëtar i familjes ta shikonte punimin e përfunduar.
Tashmë gjyshi flinte me dritën ndezur. Ai e kishte përballë tablonë e ekspozuar dhe gjumi e zinte me të në sy. Edhe në mëngjes, sa zgjohej, shikimin e parë atje e hidhte.
Një natë i doli gjumi i alarmuar. Iu bë në ëndërr sikur hyri dikush nga dritarja në dhomën e tij dhe mori pikturën e varur në mur. Ai u trondit edhe më tepër kur, i përgjumur siç ishte, vuri ré se vendi ku varej zakonisht piktura ishte bosh. Plaku u ngrit me vërtik, duke marrë frymë me zor, dhe doli në korridor. Ishte gati të jepte alarmin, kur sytë i shkuan tek një tavolinë e lartë në fund të korridorit, ku ruhej gjatë natës punimi që kishte në dorë Shkëlzeni. U afrua tek tabloja e i hoqi mbulesën e bardhë. Kur pa punimin e papërfunduar të nipit, gjyshit iu kujtua se ai e kishte prej dhjetë ditësh në dorë atë. Si pasojë, prej një jave nuk kishte pikturë të ekspozuar në dhomën e tij. Gjyshi u mbush thellë me frymë dhe, i lehtësuar, shkoi e u shtri përsëri në krevat.
— Na ndihmoftë Zoti të përfundojë mirë kjo punë se, krahas kënaqësisë së madhe, ndiej edhe një ankth që nuk e di nga më vjen, foli me vete.
*
Gjyshit i bënte përshtypje fakti që Shkëlzeni nuk respektonte renditjen kronologjike të ngjarjeve të veçanta në punimet me tematikë historike. Ai trajtonte me penel një ngjarje më të vonë dhe pastaj kthehej tek një tjetër më e hershme.
— Kësaj i thonë të numërosh së prapthi, nga lart poshtë, mendonte gjyshi duke mbledhur shpatullat. – Thonë se ka pasur edhe një kohë të tillë, kur
njerëzit numëronin në këtë mënyrë, por kushedi si u ka vajtur filli dhe atyre. Kush i pa?
*
Kur kishte përfunduar dy të tretat e punimeve, Shkëlzeni pati një surprizë të bukur. Njëri prej pedagogëve më të përkushtuar në mbështetje të tij shkoi në Dibër për një vizitë inkurajuese. Ai ishte shqiptar nga Peja, kishte mbaruar studimet e larta në Paris dhe jepte mësim në Akademinë e Arteve të Bukura të Beogradit.
Dy javë më parë ai kishte shkuar tek shtëpia e prindërve të Shkëlzenit në Prishtinë, për të takuar ish-studentin e tij të talentuar. Atje kishte marrë dijeni për vendimin e çeljes së ekspozitës dhe udhëtimin e tij për në Dibër të Madhe. Ishte kënaqur shumë dhe i kishte dhënë fjalën babait të Shkëlzenit, se do të shkonte patjetër edhe në Dibër.
Shkëlzenit i shndriti fytyra, kur pa pedagogun e tij aty ku nuk e priste.
— Oh, ç’kënaqësi më sollët me këtë vizitë të papritur, profesor Skënderi! Kjo është një ditë e veçantë për mua. E dija që ju kisha përherë pranë me mendje, por se mund t’ju takoja edhe fizikisht sot që kam shumë nevojë për ju dhe këshillën tuaj, këtë nuk kam guxuar ta kaloja ndërmend.
— Nuk rrija dot pa ardhur të takoheshim një herë me ngé bashkë. Skualifikimi yt në konkurs ka lënë një shije të hidhur jo vetëm tek dashamirësit, por edhe tek të tjerët. Ishte një veprim i pamenduar mirë prej atyre që e morën përsipër ta kryenin. Mbi të gjitha, ai nuk ishte një provim teorik. Punimet e paraqitura në atë konkurs u ekspozuan më pas në njërën prej sallave të Akademisë. Një ditë shkuam atje një grup kolegësh. Kur u gjendëm përballë punimit tënd, pedagogu slloven që u jepte Elementet klasike në pikturën moderne, u shpreh:
«Sa i shëmtuar është turpi artistik! T’i thuash jo së bukurës, kur je institucioni i saj, është mohim moral i vetvetes. Por, ja, që në këtë botë ndodhka gjithçka!»
«Ndonëse ai nuk përmendi as ngjarje e as emër, të pranishmit e kuptuan qartë monologun e tij akuzues. Megjithatë, ajo ç’ka më gëzon mua sot është fakti që po të gjej të fortë moralisht dhe të vendosur për të çarë përpara. Pas asaj që ndodhi, të them të drejtën, druhesha mos bije viktimë e depresionit. Ky do të kishte qenë fatalitet për ty dhe triumf për kundërshtarët. Të humbasësh një njeri është fatkeqësi, të humbasësh një talent, jo më pak. Le t’iu hedhim një sy punimeve të kryera, mandej do të flasim përsëri bashkë.
— Më ngadalë, burra, më shtruar; i merrni me radhë punët, ndërhyri gjyshi, që e kishte ndjekur me vëmendje dialogun. – I bukur është arti e patjetër duhet respektuar, por edhe zakonet e trojeve tona nuk janë më pak të bukur e nuk duhen lënë pas dore. Arti të zbukuron shpirtin, zakoni sjelljen. Ejani të hyjmë një herë në shtëpi e të përshëndetem për së mbari; mandej do t’i shohim edhe pikturat e nipit. Ec, Shkëlzen, priji profesorit për në odën e miqve!
— Më fal, gjysh! Prej gëzimit u hutova më shumë nga ç’më lejohet. Urdhëroni, i dashur profesor, në një odë që ka gjashtëdhjetë vjet që pret e përcjell miq të nderuar!

...

 

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamitit

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00