Ah! Publik!
– Ah ! ujë !... thotë i sëmuri, duke u mbytur, duke çuar dorën tek zemra. Kam marrë një dozë të tretë morfine ; sa po më zinte gjumi, dhe… ja hera e tretë !... Oh Zot, po kur do të marrë fund kjo torturë ?...
Përkthyer nga frëngjishtja
Urim Nerguti
« Fund, s’do të pi më ! Për asgjë… për asgjë në botë !... Eshtë koha t’i thërras mendjes. Duhet punuar, djersitur… Na pëlqen t’i kemi pagat, por ama duhet punuar ndershmërisht, me zell, vetëdije, duke e prishur prehjen dhe gjumin. Mjaft më me përkundje në fjalë të bukura !... Ti je mësuar, miku im, ta presësh fitimin pa e fituar ; dhe kjo është keq !... Shumë keq. »
Kryekontrollori Podtiagin, pasi bëri ca qortime të ndryshme të këtij lloji, befas ndjeu një shtytje të papërballueshme për punë. Megjithëse ora ishte dy e mëngjesit, i zgjoi kontrollorët nga gjumi dhe i dërgoi të shikonin biletat nëpër vagona.
– Biletat !... thërriste ai duke luajtur hareshëm me pincën në dorë.
Të mbështjellë në gjysmë-errësirën e vagonit, siluetat e përgjumura brofën, nderuan me kokë dhe zgjatën biletat.
– Biletën ? e pyet Padtiagini një udhëtar të klasit të dytë, një burrë të brishtë, të regjur, të strukur në një peliçe dhe plaf, dhe të skutuar me ca jastëkë… Biletën !
I zhytur në gjumë, njeriu i brishtë s’përgjigjet. Kryekontrollori i prek supin, dhe përsërit me padurim :
– Biletën !...
Udhëtari rrëqethet, hap sytë dhe vështron Podtiaginin me frikë.
– Çfarë ?... Hë ?
– Po ju them me mirësjellje : biletën ! Kini mirësinë të…
– Oh Zot ! shfryu njeriu i brishtë me një pamje të vajtueshme. Perëndi e madhe ! Vuaj nga reumatizma… u bënë tre netë që s’fle, kam marrë morfinë për të fjetur, e ju vini të më trazoni me biletën tuaj ! Duhet të jeni njeri pa zemër që ta bëni këtë punë !... çnjerëzor ! Sikur ta dinit ju sa të vështirë e kam të fle, s’do të më shqetësonit për gjëra të tilla koti… Ja ç’do të thotë të mos kesh mëshirë… Ska kuptim !... Po ç’nevojë keni ju për biletën time ?... Një marrëzi !
Podtiagini pyet veten nëse duhet të nxehet, dhe vendos se duhet.
– Hej, hej, s’keni pse bërtisni këtu, s’jeni në kabare !
– Të paktën në kabare, thotë udhëtari, duke u kollitur, njerëzit janë më njerëzorë. Ec të më zerë gjumi tani !... Dhe është e habitshme : kam udhëtuar ngado jashtë shtetit, dhe askush s’më ka kërkuar biletë, dhe këtu, tërë kohën, a thua se i shtyn djalli, s’bëjnë tjetër veç këtë !...
– Eh mirë, shkoni jetoni jashtë shtetit po t’ju pëlqejë !
– Po kjo është diçka e trashë, zotëri !... Po ! Pak se po na helmoni me tym, vapë dhe korente ajri, por për dreq, doni dhe të na gërricni me formalitete !... Paska nevojë tjetri për biletën time !... Për besë, sa i zellshëm !... Hajde de po të ishte seriozisht për biletat, kur dihet se gjysma e trenit udhëton pa to !
– Dëgjoni, zotëri, thotë Podtiagini duke u bërë spec i kuq, pa përsëriteni edhe njëherë çfarë thatë tani ! Në qoftë se s’pushoni së bërtituri dhe shqetësuari njerëzit, do të jem i detyruar t’ju zbres në stacionin tjetër, dhe të përpiloj një raport.
– Po kjo është revoltuese ! zemërohen udhëtarët. Shkon dhe merret me një të sëmurë !... Hë tani, kini pak mëshirë !
– Oh tani, ia bën Podtiagini, duke u shastisur, është zotëriu ai që po nxehet ! Mirë, s’do t’ia shoh biletën !... Si të doni ju… Por dijeni mirë ama, është shërbimi im ai që e kërkon këtë ! Ah ! sigurisht, po të mos ishte shërbimi im… Pyesni po deshët shefin e stacionit… kë të doni ju…
Podtiagini largohet duke ngritur supet. Në fillim ndihet i fyer dhe i keqtrajtuar, por, pasi ka kontrolluar dy apo tre vagona, fillon të ndjejë në shpirtin e vet prej kryekontrollori njëfarë shqetësimi, të ngjashëm me brejtje ndërgjegjeje.
« Në fakt, thotë me vete ai, s’duhet ta kisha zgjuar këtë të sëmurë. Le që, s’është faji im. Kujtojnë se e bëj kështu kot, thjesht ngaqë s’kam ç’bëj, a thua se s’është shërbimi im që e kërkon këtë… Nëse s’besojnë, shumë mirë pra, do t’i çoj tek shefi i stacionit. »
Një stacion. Pesë minuta ndalesë.
Para zilkës së tretë, Podtiagini hyn në vagonin e klasit të dytë që ne e njohim. Pas tij shfaqet një shef stacioni, me një kasketë të kuqe në kokë.
– Ja ky zotëriu, fillon Podtiagini, që thotë se s’kam të drejtë t’ia kërkoj biletën, dhe… dhe që fyhet. Ju lutem, zoti shef i stacionit, thuajini se kush ia kërkon biletat, unë apo shërbimi im, apo gjoja kaloj kështu sa për t’u tallur ? Zotëri, – i thotë ai burrit të brishtë, – nëse s’më besoni tani, mund të pyesni shefin e stacionit !
I sëmuri brof sikur ta kishin pickuar, hap sytë dhe mbështetet përgjumshëm në shpinën e ndenjëses.
– Hej Zot i madh, pas një doze të dytë, sapo kishin filluar të më mbylleshin sytë, dhe ja prapë ju !... Ja !... Për hir të Zotit, kini mëshirë për mua !...
– Jo, jo, prisni tani, mund të flisni vetë me Z. shef të stacionit !... dhe të merrni vesh mirë nëse kam apo s’kam të drejtë t’ju kërkoj biletën !
– Po kjo është e padurueshme ! Ja ku e keni, mbajeni biletën ! Ja ku është ! Edhe pesë të tjera do t’i merrja, vetëm më lini të vdes i qetë ! S’keni qenë ndonjëherë i sëmurë ju ? Njerëz të pashpirt !
– Po kjo është vërtet qesharake ! ngre zërin, i zemëruar, një oficer në uniformë. S’mund ta kuptoj ndryshe këtë ngulmim !
– Ejani, ia bën shefi i stacionit, duke rrudhur vetullat dhe tërhequr Podtiaginin nga mënga.
Podtiagini ngre supet dhe ndjek ngadalë shefin. « Ec t’i mbash tani ! thotë me vete ai, i shushatur. Unë vajta thirra shefin e stacionit që udhëtari të kuptojë e të qetësohet, dhe ja tani që… ulëret ! »
Tjetër stacion. Dhjetë minuta ndalesë.
Para zilkës së dytë, ndërsa Podtiagini, në këmbë në banakun e bufesë, pi një ujë të gazuar, i afrohen dy zotërinj, njëri në uniformë inxhinieri, tjetri në kapotë oficeri.
– Dëgjoni, zoti kryekontrollor, i thotë inxhinieri Podtiaginit, sjellja juaj kundrejt udhëtarit të sëmurë, e ka zemëruar tërë kabinën. Jam inxhinier Puzicki , dhe ja zoti… që është kolonel. Nëse s’i kërkoni falje udhëtarit të sëmurë, do të dërgojmë një ankesë tek shefi i trenit, të cilin e njohim të dy.
– Zotërinj, ia bën Podtiagini i trembur, por unë… por ju…
– Ska nevojë për shpjegime. Po ju paralajmërojmë se, nëse s’i kërkoni falje, atëherë do ta marrim nën mbrojtjen tonë.
– Mirë, unë… unë… Mirë pra, do t’i kërkoj… Ashtu qoftë !...
Gjysmë ore më pas, Podtiagini, pasi ka përgatitur ca fjalë shfajësimesh që mund ta qetësonin udhëtarin, por pa e ulur veten, hyn në vagon.
– Zotëri, i thotë ai udhëtarit, zotëri, më dëgjoni pak !
I sëmuri rrëqethet, kërcen.
– Çfarë ?
– Unë… si ta them ?... Mos u fyeni…
– Ah ! ujë !... thotë i sëmuri, duke u mbytur, duke çuar dorën tek zemra. Kam marrë një dozë të tretë morfine ; sa po më zinte gjumi, dhe… ja hera e tretë !... Oh Zot, po kur do të marrë fund kjo torturë ?...
– Unë… hmm… më falni.
– Dëgjoni !... Më zbrisni në stacionin tjetër ; s’mundem më… po… po… vdes…
– Kjo është një poshtërsi që po bëni këtu ! u nxehën udhëtarët. Dilni nga kabina. Do ta paguani këtë tallje. Jashtë !
Podtiagini bën një gjest të hidhëruar, psherëtin dhe del. Tërhiqet në vagonin e shërbimit, ulet, i çoroditur, përpara tavolinës, dhe shfryn : « Ah ! publik !... Ec ta mbash tani ! Shko rropatu kot në shërbim !... Të detyrojnë ta lëshosh rrafsh e të pish… Ju s’bëni gjë, e ata nxehen ; ju punoni, e ata prapë nxehen… Le të pijmë pra ! »
Podtiagini heq një gjysmë shishe vodkë, dhe s’mendon më as për punë, as për detyrë, as për ndershmëri. ■
(Anton Çehov)
Comments (0 posted)
Post your comment