Jeta e Eme
Atëherë un qesha fort, por edhe ai u bashkus në gazin t'em. Nji nga nji m'i dëftoi fotografit e veta që janë ngjitë, me radhë, në faqen e murit.
Nga Haki Stërmilli
7 Mars
Më shkrepi t'a shkruej jetën t'eme. Ky mendim më leu tue i pamë fotografit e ndryshme që përfëtyrojnë xha Simonin qysh në kohen e fëminis. Përse të mos e shkruej? Jeta e eme për tjerët, ndoshta, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka randësi, se asht e emja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ase hidhnimet e mija, do të kënaqem ase do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, ashtu ndodh edhe me jetën. Kush e din se sa mallëngjehet xha Simoni kur e shef fotografin e vet të dalun në prehën të s'amës me sy të hapun që shikojnë, çuditshëm, kah aparati? Ndoshta ai tash ndin dhimë për atë foshnje që u rrit e u mplak tue kalue përmes shumë rreziqeve dhe tue vuejtë tepër për me e ngadhnye jetën.
- Ky asht Xha Simoni i vogël, moj bijë - më tha disa ditë ma parë tue m'a diftue fotografin me gishtin e trashë diftues dhe mandej shtoi: Oh ma mirë të mos ishte rritë kurrë e të mbetesh çilimi në prehnin e vokët të s'amës. Kur isha e vogël, nuk i kuptojsha mendimet e Xha Simonit të shprehun me këto fjalë, por tash e marr vesht se ai asht pendue q'asht rritë dhe ndoshta edhe që ka lemë, sepse edhe atij, si shum kuj, nuk i ka qeshë fati aq shum.
Mbassi e shiqoi edhe nji herë foshnjën e heshtun, q'asht strukë në prehën të s'amës, kaloi ke e dyta.
- Edhe kjo, po thuej, i gjason së parës - tha. - Asht e brydhët dhe ka anda t'a argëtojsh. Apo jo? - pyeti.
- Pooo - i u përgjigja tue e zgjatë o-në prej kënaqësis që ndijsha tue e kundrae atë foshnje të bukur.
- Kjo disi ndryshon nga të parat, se duket ma e xritun - spjegoi dhe kapërceu ke e katërta.
Këtu u ndal dhe më hudhi nji veshtrim me bisht të synit. Un shpërtheva në gaz dhe pyeta:
- Po kjo? Pse e ke zanë hundën me dorë e ke dalë për çudë?
E kafshova buzën që të mos qesh ma.
- Më pat thanë eme amë se kisha dasht me e kapë nji mizë që më kish oimbue në hundë. Prandaj dola, si qyq, me dorë në hundë - përgjegji.
Atëherë un qesha fort, por edhe ai u bashkus në gazin t'em. Nji nga nji m'i dëftoi fotografit e veta që janë ngjitë, me radhë, në faqen e murit. Ndër to ai shifet çilimi, djalë i ri, student, gjimnazi, i martuem – me Mamë Gjystinën q'asht mveshë me robe të bardha e me kunorë lulesh mbi krye -, burrë me fëmij dhe ma vonë plak i krrusun e i thijun, si asht sot. Un tash e njof mirë Xha Simonin qysh në fëmini. Më duket sikur kam jetue e jam rritë me të, sikur kam luejtë me të shkopaxinglli, guraçokthi, vorba, symbyllthi, varëza etje. Tash ai m'asht ma i afër e ma i miqsueshëm. Qeh se sa vlerë kanë fotografit. Un s'kam asnji, se im atë e quen për mëkat me u fotografue. E me të vërtetë kam ndigjue edhe un se fotografia në jetën tjetër ka me kërkue... shpirt prej njeriut! Mue, të them të drejtën, kurrsesi nuk më mbushet mendja se pikturat do të bajnë, në jetën tjetër, nji kërkesë të tillë. Në nji rasë të tillë kështu duhet të jet edhë pasqyra, qelqi ase ujt e kulluet që na e pasqyrojnë fëtyrën dhe shtatin. Sidoqoftë mue s'më hyn në punë kjo çashtje. Prandaj s'po e nxej kryet me të. Por sa për t'u fotografue, makar nji herë, nuk guxoj se më shkallmon em atë me dru. Na, në shtëpi s'kemi asnji fotografi, makar për bë, se nuk lejon im atë. Ai asht shum fanatik dhe po t'I zajë syni ndonji figurë njeriu ase shpendi, menjiherë, e gris dhe e flak tej me neveri. Vetëm Shqipen e flamurit nuk e trazon. Nuk dij se a e don a nuk guxon. Ahu se ç'kam shkrue! Ç'më hyjnë në punë këto gjepura, si thonë Toskët? Përse merrem me punë të kota që s'vlejnë me i përmendë e jo ma me i shkrue? Hëde! Por ani se, përveç meje, kurrkush nuk ka me i këndue këto fletë.
Të kthehemi ku qemë: Po. Sikurse fotografia t'a pasqyron trupin në mosha të ndryshme dhe t'a kënaq kujtimin, ashtu edhe përshkrimi i jetës prej njeriut vetë, besoj se t'a ngop dëshirin për me e rishfillue e me
c përtrimë jetën qysh në fëmini. Sa bukur se? Prandaj vendosa të shkruej, herë mbas here, në këtë fletor, ku do t'shënoj të gjitha ngjarjet, pësimet, mendimet dhe ndiesit e mija. Me këtë mënyrë ky fletor, dalë-ngadale, ka me u bamun si arka e tinzive të mija. Me ba e me e marrë vesht em atë, më grinë. Por ai shyqyr nuk din me këndue. Uh korba un se sa e marrë që jam! U gëzova pse em atë asht i padijshëm. Por jo. Kjo qe nji shprehje e çastit, nji farë... nji farë kënaqësije e shfaqun vetëm për këtë rasë.
Tash po e mbyll fletorin n'arkë, se m'a grisin fëmijt.
Fragment nga Romani "SIKUR T'ISHA DJALË", i Haki Stërmillit
Comments (0 posted)
Post your comment