Home | Literature | "Enigma e një brenge" (Fragment)

"Enigma e një brenge" (Fragment)

image
— Sidoqoftë ju ndodheni pranë brezit kufitar dhe duhet ta shikoni me sy kritik gjithçka. Nejse, pasi ta kemi ekzaminuar me vëmendje xhaketën në laborator, mund të lindë nevoja edhe për ndonjë sqarim të mëtejshëm.

 

 

 

Agim Hamiti

 

 

 

 

Sikundër ishte zotuar në mbledhjen e organizuar prej kryetarit të ri të degës së punëve të brendshme, Pelari e kishte përqendruar vëmendjen më tepër tek ruajtja e kufirit sesa e dhenve. Ai e linte tufën në kullotë dhe futej në pyll, për të gjetur gjurmë të mundshme të shkelësve.
Ortakët e tij të punës nuk ishin aq të përkushtuar në këtë drejtim, por nuk guxonin ta kufizonin Pelarin në gatishmërinë lartë e që tregonte, më tepër si ushtar kufiri sesa si bari dhensh. Kur ai nisej për të kryer detyrën mbi detyrat, Fejziu ose Shpresimi ishin të detyruar të kujdeseshin për tufën vetëm.
Një herë në javë Pelari e shkelte me pëllëmbë gjithë pyllin. Për këtë i nevojitej një gjysmë dite. Kjo i mërziste shumë ortakët e tij të punës, por ata heshtnin nga frika.
Katër ditë pasi Shpresimi kishte prerë e transportuar me mushkë drurët për riparimin e vathës, Pelari nisi inspektimin masiv të pyllit. Gjurmët e mushkës së stanit dhe të Shpresimit dinte t’i dallonte mirë. Kur arriti tek ferrat e mëdha, u vërtit një copë herë rreth e rrotull, për të gjetur një shteg të përshtatshëm kalimi. Papritur sytë i shkuan tek xhaketa e fshehur. I gufoi zemra që mundimi nuk po i shkonte kot kësaj here. U afrua ngadalë, e mori xhaketën në dorë dhe filloi ta shpaloste me kujdes. Thartoi turinjtë nga era e mykut. E palosi përsëri siç kishte qenë dhe e vendosi në ferrë, në pozicionin e mëparshëm. Pastaj u nis pa vonesë për në postën e kufirit, ku takoi personalisht komandantin.
— Gjatë kontrollit të sotëm në brendësi të pyllit kam gjetur një xhaketë doku të fshehur në një ferrë të dendur. Duhet të ketë kohë atje se, kur e shpalosa, më mbyti era e mykut. Personi që e ka fshehur ka qenë shkelës kufiri. Askush tjetër nuk ka pse ta lërë xhaketën në pyll, jo më edhe ta fshehë me kujdes. Unë e lashë ashtu siç e gjeta. Mendoj se duhet lajmëruar dega e brendshme, për të dërguar ndonjë ekspert.
Komandanti i postës e falënderoi dhe mori në telefon DPB të Korçës.
*
Pasdite në postën e kufirit u paraqitën dy ekspertë të kriminalistikës. Ata u futën në pyll të paraprirë nga Pelari dhe të shoqëruar prej komandantit të postës. Pelari, me trupin e hollë të lakuar si pikëpyetje për të shmangur degët e pemëve e shkurret, mezi priste të shfaqej ferra.
— Ç’janë këto gjurmë kafshe e njerëzish? e pyeti njëri prej ekspertëve.
— Janë gjurmët e mushkës së stanit dhe të një shoku tonë të punës, i cili ka transportuar disa drurë me të, për të rregulluar vathën e deleve. Me gjurmët e tyre janë përzier edhe të miat, i sqaroi Pelari.
Ekspertët nuk e zgjatën bisedën. Pas pak, arritën tek ferra e madhe.
— Jemi pranë vendit të ngjarjes, u tha Pelari. – Në anën tjetër të këtyre ferrave ndodhet xhaketa e fshehur.
Ata e ndoqën në heshtje.
— Ja ku është xhaketa, brenda në ferra, u përpoq t’ua tregonte me gisht Pelari. – Tani e keni ju fjalën.
— E ke prekur me dorë ti? e pyeti njëri prej ekspertëve.
— Po, e kam shpalosur, e kam palosur përsëri dhe e kam vendosur siç ishte.
— Atëherë nuk ka rëndësi pse do ta prekësh sërish. Ec merre xhaketën dhe na i sill këtu.
Pelari shkoi atje, duke shmangur me kujdes shkurret. Me xhaketën e palosur në dorë, ai u kthye përsëri tek ekspertët.
— Shpalose, siç ke vepruar herën e kaluar, e urdhëroi përgjegjësi i ekspertizës.
Pelari iu bind urdhrit, duke kthyer kokën anash prej erës mbytëse të mykut. Pastaj e nderi xhaketën e hapur përmbi ferra.
— Paska kohë e fshehur, u shpreh eksperti tjetër me sytë tek xhaketa. Si qenka katandisur kjo, vështirë se do të konstatojmë gjë prej saj. Palose mirë, siç ishte, dhe mbështille me këto letra, se do ta marrim me vete.
Ai i zgjati Pelarit dy tabakë të mëdhenj letre të bardhë. Komandanti i postës kufitare i dha një çantë shpine, ku eksperti futi xhaketën e mbështjellë.
Ndërkohë që po kryheshin këto veprime, kolegu i tij po vëzhgonte me vëmendje gjurmët përqark.
— Gjurmët e mushkës dhe të ortakut tuaj dallohen edhe këtu, vërejti ai. – Si nuk e ka parë ai xhaketën qysh atëherë?
— Pyesni atë vetë për këtë çështje, u përgjigj Pelari. – Unë nuk lë vend të dyshimtë pa kontrolluar në pyll. Të them të drejtën, pranoj më mirë të më hajë ujku njëqind dhen, sesa të kapërcejë kufirin një shkelës këtu, nën hundën time. Këtë porosi na ka lënë edhe shoku kryetar i degës së brendshme. Pelari i mban vëth në vesh porosi të tilla.
— Në stan ndodhet ortaku që ka qenë këtu me mushkë, apo në shtëpi?
— Në stan. Ju do të vinit, besoj, deri atje edhe pa pasur punë me atë. Ejani të freskoheni me ndonjë gotë dhallë a kos, çfarë të dëshironi. Shpresimi, shoku që ndodhet në stan, është kuzhinier i aftë e i pastër. Ndoshta ka gatuar ndonjë gjë për ju, se na ka parë kur u futëm në pyll.
— Kalojmë andej, nuk prish punë, propozoi edhe komandanti i postës kufitare, i cili e kishte pikë të dobët stanin. – Rrimë vetëm dhjetë minuta, sa për të pirë diçka.
Dy ekspertët, pa folur, u drejtuan për atje.
*
Pelari nxitoi hapin për të lajmëruar Shpresimin, se po vinin miq. Ky po varte napën me djathë të njomë në një dru tek dera e kasolles, kur po afrohej Pelari tek stani. Poshtë napës Shpresimi vuri një kupë druri, për të kulluar hirra në të.
Pelari i tha me një frymë:
— Po vijnë ata shokët e degës së brendshme me komandantin e postës, Shpresim. T’iu përgatisim vendet ku do të ulen.
Ata vendosën nga një lëkurë deleje mbi disa kërcunj të trashë të prerë rrafsh, të cilët i përdornin në vend si stola.
Mysafirët u takuan me Shpresimin dhe u ulën në vendet e rezervuar për ta. Fillimisht Shpresimi i gostiti me nga një gotë dhallë të freskët, të cilën e ruante në kacek. Pa fshirë akoma buzët prej dhallës që piu, komandanti i postës, si njeri i shtëpisë, bëri sugjerimin e parë, duke e çuar gjuhën ku i dhembte dhëmbi:
— Po ndonjë gjë për të ngrënë, të ndodhet, Shpresim? Këta shokët kanë ardhur qysh në orën dy në postë, por ju e dini që ne vetëm ushqim kazani kemi atje.
—Po, kam ca petulla, që i kam gatuar për darkë. Në qoftë se dëshironi, po ju a japim me gjithë zemër. Apo jo, Pelar?
— Pyetje është kjo, more? Për këta miq të nderuar, Pelari rri dhe pa bukë, jo më pa petulla!
— Petullat t’ju bëjnë mirë, se ne gjellë shtëpie hamë gjithmonë. Në rast se ju ndodhet ndonjë gostí stani tjetër, po, tha përgjegjësi i ekspertizës.
Ndërsa ky i fundit po fliste, komandanti i postës po ia bënte me shenjë Pelarit, duke i treguar napën me djathë të njomë, e cila i kishte rralluar ndjeshëm pikat e kullimit. Ai nuk ia kishte ndarë sytë që kur kishte ardhur dhe pikat e hirrës i dukej sikur kullonin në gojën e tij e jo në kupën e drunjtë poshtë napës. Pelari tundi kokën në shenjë miratimi dhe i bëri të ditur Shpresimit sugjerimin e radhës të komandantit të postës.
Shpresimi hyri në kasolle, nxori prej andej një tavë alumini dhe zbrazi në të napën me djathë të njomë. E ndau me thikë në tri pjesë, vuri tri lugë anash dhe ua shtroi përpara mysafirëve.
—Kështu po, ia bëri komandanti i postës, duke lëpirë buzët. – Shenjat e prerjes së pjesëve nuk duken mirë, se djathi i njomë fillon e bashkohet prapë. Po nuk u dalluan më nga njëra-tjetra më vonë, piramidat midis tyre duhet t’i vendos unë, si komandant i postës kufitare. Këtë pjesën time e paske prerë më të vogël, më duket.
— E po ty të kemi të përditshëm këtu, ia ktheu Shpresimi duke qeshur. – Ata të dy është hera e parë që na vijnë në stan, e, ndoshta, edhe e fundit.
— Asaj nuk i dihet, tha përgjegjësi i ekspertizës. – Po erdhëm për herë të parë, vështirë se mbetemi me aq ne.
*
Pasi mbaruan së ngrëni djathin e njomë, ata kërkuan edhe nga një gotë tjetër me dhallë. Mandej ndezën cigare.
— Sipas fjalëve të Pelarit, ti Shpresim ke prerë ca drurë në pyll para disa ditësh dhe i ke transportuar me mushkë, mori fjalën përgjegjësi i ekspertizës. – Gjurmët tregonin se ti ke shkuar me gjithë mushkë deri pranë një ferre të madhe, në thellësi të pyllit. Pikërisht atje, ne gjetëm një xhaketë doku të fshehur. Nuk të ka zënë gjë syri atë ditë ty?
Vetëm pas kësaj pyetjeje, Shpresimi e kuptoi ç’kishte dashur të thoshte eksperti lidhur me supozimin e ardhjes së tyre përsëri në stan. Ai u përgjigj me të njëjtin kujdes, sikur të ishte në hetuesi.
— Unë kam shkuar atje për të marrë mushkën, e cila ishte larguar gjatë kohës që prisja drurët. Shkova dhe u ktheva me nxitim, se më vajti vonë për punët e stanit. I ngutur, unë nuk kam vënë re asgjë, as atje, as rrugës.
— Sidoqoftë ju ndodheni pranë brezit kufitar dhe duhet ta shikoni me sy kritik gjithçka. Nejse, pasi ta kemi ekzaminuar me vëmendje xhaketën në laborator, mund të lindë nevoja edhe për ndonjë sqarim të mëtejshëm. Për sot, ju falënderojmë për mikpritjen e mirupafshim.
Takuan duart me njëri-tjetrin dhe u ndanë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00