Stolitë
Afroheshin e më përkëdhelnin si Engjëjt e së Keqes, për të prishur qetësinë dhe prehjen e shpirtit tim...
Përkthyer nga Vasil Qesari
(Les bijoux)
E ëmbla ime qe shtrirë krejt nudo ashtu siç ma donte shpirti
e në trup s’kish lenë tjetër gjë veç stolive të saj tingëlluese
fort të çmuara që i jepnin një pamje e ajër tepër triumfues,
si ai i skllevërve të Morëve në ditët e tyre më të lumtura ....
E kur këto stoli tunden e hidhen me një zhurmë tallëse
në një botë vezulluese plot dritë metali e zafiresh,
ndjej të ngjitem në ekstazë e të humbas në tërbim,
mes gjërash ku tingujt përzihen në dritë dhe harrim...
E ajo shtirë mbi divan dorëzuar në ledhka dashurie
qeshte krejt e lëshuar e hareshëm nga lumturia,
qeshte me dashurinë time, të thelle e të ëmbël si deti,
që ngjitej drejt saj vrullshëm si dallga mbi shkëmbinj...
Me pamje të përhumbur e ëndërrimtarë merrte poza lozonjare
me sytë e saj çpues ngulur mbi mua si një tigër i zbutur
më hidhte shigjeta shikimesh plot ledhka dashurie
dhe figura e saj naive e sensuale shkrihej plot nur e magji ...
E barku i saj e gjinjtë si dy fryte të virgjër erëmirë
dhe llërët dhe këmbët dhe kofshët dhe baseni,
të lëmuar si fildish, të kurbëzuar si qafë mjelme
shfaqeshin para meje, mermer i pastër e plot dritë
Afroheshin e më përkëdhelnin si Engjëjt e së Keqes,
për të prishur qetësinë dhe prehjen e shpirtit tim,
për të më çoroditur e rrëzuar nga ai Shkëmb Kristal
ku ulur isha e prehesha i qetë dhe vetmitar ...
(Charles Baudelaire)
Comments (0 posted)
Post your comment