Dështim
– Oh, Perëndi, të qofshim falë ! Ç’ka ndodhur kështu ? Mësuesi i bukurshkrimit ngriti sytë me ndrojtje dhe pa se kishte shpëtuar : e ëma, në nxitim e sipër, në vend të ikonës, kishte hequr portretin e shkrimtarit Lajeçnikov.
Përkthyer nga Urim Nerguti
Pranë derës po mbaheshin, me veshin të puthitur pas saj, Ilia Sergejeviç Peplovi dhe bashkëshortja e tij, Kleopatra Petrovna.
Pas derës, në sallën e vogël, po ndodhte siç duket një shpallje dashurie ndërmjet të bijës së tyre Natashenka, dhe mësuesit të krahinës, Shçupkinit.
– Më duket se po e ha karremin ! mërmëriti Peplovi, duke u dridhur nga padurimi dhe fërkuar duart. Rri gati, Petrovna ; sapo të flasin për ndjenjë, hiqe shpejt ikonën dhe shkojmë t’i bekojmë !... Do t’i zëmë me presh në dorë… Bekimi me një ikonë është diçka e shenjtë, e padhunueshme… E kështu ai s’mund t’ia mbathë më. Le të shkojë pastaj të ankohet në gjykatë !
Megjithatë, nga prapa derës, vazhdonte kjo bisedë si më poshtë :
– Lërini këto llastime, thoshte Shçupkini, duke fërkuar një fije shkrepse pas pantallonave me katrore. S’ju kam shkruar asnjë letër !
– Po, dhe pohoje tani ! ia bënte vajza e re duke qeshur, duke lëshuar ca kukurisje të vogla e të përpunuara dhe duke u vështruar papushim në pasqyrë. A thua se s’e kisha zbuluar menjëherë se ishte shkrimi juaj ! Dhe jeni i këndshëm, për besë ! Një mësues bukurshkrimi që shkruan si këmbë pule ! Si mund t’iu mësosh të tjerëve bukurshkrim, kur vetë shkruani kaq keq ?...
– Hmm ! zonjushë, s’do të thotë gjë kjo. Në orën e bukurshkrimit, ajo që ka rëndësi, nuk është vetë shkrimi : e rëndësishme është që nxënësit të mos jenë të shpërqëndruar. Njërit i biem me vizore në kokë, tjetrin e ulim në gjunjë… Ç’lidhja ka bukurshkrimi këtu ? Fare ! Nekrasovi ishte shkrimtar, dhe është e turpshme që të ndalesh vetëm tek shkrimi i keq ! Mund ta shohësh në përmbledhjen e veprave të veta.
– Po, por ai ishte Nekrasovi, e ju… (Një psherëtimë). Unë do të martohesha me dëshirë me një shkrimtar. Do të më shkruante vargje papushim, si kujtim !...
– Edhe unë mund t’ju shkruaj të tilla, po të dëshironi.
– Mbi çfarë ?
– Mbi dashurinë… ndjenjat… sytë tuaj… Kur t’i merrnit në dorë, do t’ju ikte truri… Do të të rridhnin lotët… Po t’ju shkruaj vargje poetike, a do të ma jepni dorën t’jua puth ?
– Oh, ç’na thatë !... Po merreni putheni që tani, po deshët !
Shçupkini u ngrit dhe, me sytë të zgurdulluar, u përkul drejt dorës së vogël e të mbushur që binte aromë sapuni me të verdha vezësh.
– Hiqe ikonën ! nxitoi të thoshte Peplovi, duke e prekur të shoqen me bërryl, dyll i verdhë nga emocioni dhe duke zbërthyer jakën e këmishës.
Dhe pa humbur asnjë minutë, hapi derën.
– Fëmijët e mi… mërmëriti ai, duke ngritur krahët dhe picërruar sytë e njomur me lot, Zoti ju bekoftë, fëmijët e mi ! Jetoni… mpleksuni… dhe shumëzohuni…
– Edhe… unë po ju bekoj… tha e ëma, duke qarë nga lumturia. Jini të lumtur, të shtrenjtët e mi ! Oh ! i tha ajo Shçupkinit, ju do të ma hiqni thesarin tim ! Duajeni bijën time, kujdesuni për të…
Shçupkini, i habitur dhe shushatur, hapi gojën. Behja e prindërve ishte aq e paparashikuar, aq e vrullshme sa s’mundi të shqiptojë asnjë fjalë.
« Mat ! tha ai me vete duke u zbehur nga tmerri. Tani veç të dalësh para altarit ! Ta hodhën, plako. S’ke nga ia mbash tani ! »
Dhe uli me nënshtrim kokën nën ikonë si për të thënë : « Më merrni tani, humba ! »
– Po ju… bekoj… vazhdoi babai duke qarë dhe ai. Natashenka, bija ime… Eja këtu pranë tij !... Petrovna, ma kalo mua ikonën…
Por befas, babai pushoi së qari dhe fytyra iu shtrembërua nga zemërimi.
– Idiote ! iu kthye ai së shoqes, me tërbim. Sa e trashë që je ! Ikonë është kjo ?
– Oh, Perëndi, të qofshim falë ! Ç’ka ndodhur kështu ?
Mësuesi i bukurshkrimit ngriti sytë me ndrojtje dhe pa se kishte shpëtuar : e ëma, në nxitim e sipër, në vend të ikonës, kishte hequr portretin e shkrimtarit Lajeçnikov.
Plaku Peplov dhe Kleopatra Petrovna mbeten të shtangur, me portretin në duar, duke mos ditur ç’të bënin e thoshin…
Mësuesi i bukurshkrimit përfitoi nga ky turbullim për t’ia mbathur. ■
(Anton Çehov)
Comments (0 posted)
Post your comment