Home | Literature | * * *

* * *

image
Në orën dhjetë autokolona u nis për udhë. Në krye dhe në fund të saj ecnin dy kamionë me ushtarë, qena ndjekjeje e mitraloza të lehtë mbi kabinë. Të burgosurit ishin ulur mbi rrobat e tyre të fjetjes të flakura njëra mbi tjetrën.

 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 


Vendimi përfundimtar, i marrë në emër të popullit, e dënoi me 25 vjet heqje lirie Shkëlzen Gramin dhe dy vjet më pak Skënder Pejën. Ata nuk u lejuan të takoheshin me njëri-tjetrin as pas dënimit. I izoluan përsëri në dy biruca të veçanta. Asnjëri prej tyre nuk pranoi ta apelonte vendimin e gjykatës së
shkallës së parë.
Pas tri javësh, emri i Skënder Pejës zuri një kolonë në regjistrin e të burgosurve politikë të Burrelit dhe në listën e apelit që bëhej dy herë në ditë. Vetëm atëherë e nxorën Shkëlzenin prej dhomës së izolimit në kaushin e Tiranës. Në fund të prillit 1968 atë e çuan në kampin e sapongritur të punës së rëndë të detyruar të minierës së Spaçit.
44
Më 18 prill 1968 çanga e zgjimit të të burgosurve politikë të kampit të Repsit filloi të binte gjysmë ore më herët se zakonisht. Një buf, i trembur prej kumbimeve të saj shurdhues, fluturoi prej strehës së një depoje, ku kishte kaluar atë natë të lagësht. Ishte ora katër e gjysmë.
Kur dolën prej kapanonëve të fjetjes, të burgosurit vunë re se në sheshin para portës së madhe të kampit ishin rreshtuar dhjetë kamionë me karroceri të mbuluara. Një kontingjent i ri policësh po qarkullonin para zyrave të komandës.
Në orën pesë u dha urdhër që të burgosurit të rreshtoheshin para mensës. Përballë tyre dolën komandanti i kampit, kartelisti dhe operativi. Komandanti filloi të fliste. Fjalët e tij tellalli i kampit ua përcillte me zë të lartë të burgosurve:
— Pasi të hani mëngjesin, të gjithë duhet të nxirrni në oborr dyshekët, batanijet dhe çarçafët. Mandej do të shkoni në depon e veshmbathjes private. Atje do të merrni secili çantat e tij dhe do t’i vendosni pranë dyshekëve tuaj. Kur të dëgjoni t’ju thirret emri, do t’i çoni pajimet në atë kamion ku do të hipni edhe vetë. Me vendim të Drejtorisë së Kampe-Burgjeve, sot kampi ynë shpërngulet i tëri në një qendër të re. Secili duhet të respektojë me përpikëri udhëzimet që po ju jepen, përndryshe do të përballeni me policinë.
*
Në orën dhjetë autokolona u nis për udhë. Në krye dhe në fund të saj ecnin dy kamionë me ushtarë, qena ndjekjeje e mitraloza të lehtë mbi kabinë. Të burgosurit ishin ulur mbi rrobat e tyre të fjetjes të flakura njëra mbi tjetrën. Ata i kishin lidhur dorë për dorë me zinxhirë të mbërthyer me çelës. Një litar i gjatë lidhej pas zinxhirëve. Në spondin e fundit të çdo kamioni ishin ulur dy policë me shkopinj gome.
Autokolona përparonte ngadalë, ngaqë pamja e rrugës ishte e turbullt prej një tisi mjegulle që mbulonte shpatet e malit, ku gjarpëronte rruga e ngushtë dhe e paasfaltuar. Të burgosurit e kuptuan se po i çonin në një zonë malore edhe më të thellë të Mirditës nga ç’kishin qenë në Reps. Udhëtimi po vështirësohej për shkak të dendësimit të mjegullës dhe terrenit gjithmonë e më të thyer nga kalonte rruga.
Në grykën e një përroi me shpate të pjerrët autokolona u ndal. Një rrëshqitje dheu kishte bllokuar rrugën. Nga të dy anët po punonin dy grupe punëtorësh të mirëmbajtjes së rrugëve, të cilët po zhvendosnin grumbullin e gurëve e të dheut. Policët e secilit kamion mbërthyen pas hekurave të karrocerisë në disa vende litarin që bashkonte zinxhirët e të burgosurve. Kjo ua kufizonte atyre çdo lloj lëvizjeje, ndërsa policëve u lehtësohej detyra.
Dorën e djathtë Shpresimi e kishte të lidhur me dorën e majtë të Servetit, ndërsa nga ana tjetër lidhej me një të burgosur të moshuar. Një dhimbje veshi u shtohej telasheve të tjera të këtij udhëtimi të sforcuar. Mësuesi i historisë mundohej ta mbante me muhabet, për t’ia larguar sadopak vëmendjen nga sikleti i veshit.
— Oh, po na çojnë në Spaç! tha një i burgosur sapo makinat kaluan një qafë mali rreth një kilometër matanë vendit ku ishte bllokuar rruga.
Ai kishte qenë inxhinier-gjeolog dhe e njihte mirë këtë zonë.
— Në Spaç, në Spaç…
Këto fjalë qarkulluan gojë më gojë me një ndjenjë ankthi të përgjithshëm. Atje i priste gojëhapur miniera.
*
Në mesditë autokolona mbërriti në Spaç. Kamionët u futën një e nga një brenda portës së rëndë prej hekuri. Të parët zbrisnin policët. Këta hapnin spondin e fundit të karrocerisë së kamionit dhe i zbrisnin të burgosurit të lidhur dy e nga dy me zinxhir. Atyre u zgjidheshin duart në mes të një kuadrati ushtarësh e policësh. Pasi kishin zbritur të gjithë, në kamion hipnin dy ushtarë, të cilët i flaknin në tokë rrobat e fjetjes të të burgosurve. Këta duhej të gjenin secili të vetat. Çantat e veshmbathjes e të ushqimeve ndodheshin në dy kamionët e fundit. Të burgosurit do t’i merrnin ato vetëm pasi të kishin rregulluar dyshekët dhe batanijet nëpër dhomat e fjetjes.
Të treqind e nëntëdhjetë të burgosurit e ardhur u vendosën nëpër dhomat e katit të dytë e të tretë të pallatit që po strehonte bujtësit e parë të Spaçit. Sistemimi i tyre përfundimtar do të bëhej kur të shpërndaheshin nëpër dhomat e fjetjes, sipas brigadave dhe turneve të punës në minierë. Shpresimi dhe Serveti i vendosën në të njëjtën dhomë dyshekët, pranë njëri-tjetrit.

 

 

 Fragment nga Romani "Enigma e një brenge", i Agim Hamitit

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00