* * *
— Vëllezër bashkëvuajtës! Këtë herë nuk po ju shqetësoj për t’ju transmetuar ndonjë urdhër të komandës, apo për t’ju kujtuar orarin e ndonjë veprimi të parashikuar nga rregullorja e kampit. Një bashkëvuajtësi jonë sapo ka ndërruar jetë.
Nga Agim Hamiti
Izolimi njëmujor kishte qenë një goditje e rëndë për shëndetin e Shkëlzenit të tronditur prej hetuesisë speciale. Ai ishte hequr e zverdhur shumë në fytyrë.
Shpresimi e Serveti e dinin ditën dhe orën e daljes së tij prej birucës. Ua kishte treguar tellalli, i cili e kishte lexuar në vendimin e dënimit të Shkëlzenit: «Dënohet një muaj izolim në birucë, për shkelje të rregullave në kampin e riedukimit të sforcuar». Në realitet ai ishte dënuar me urdhër të Tiranës e jo prej komandës së kampit, së cilës do t’i shkonte për shtat një motivim i tillë.
Shpresimi kishte punuar dy të diela rresht, për të siguruar të drejtën e një dite pushimi. Për këtë ai zgjodhi ditën e daljes së Shkëlzenit nga biruca. Një ditë më parë kishte ardhur në kamp shitësi i lirë, për të shitur mishin e një kau të kooperativës bujqësore, i cili ishte rrëzuar prej shkëmbit. Shpresimi bleu dy kilogramë dhe, bashkë me Servetin, gatuan pilaf me mish, i cili i pëlqente mjaft Shkëlzenit.
Ata të dy e pritën tek porta e brendshme bashkëvuajtësin ditën e daljes prej izolimit. Me batanijen e vjetër të palosur nën sqetull dhe tasin e lugën bishtkëputur në një qeskë në dorë, Shkëlzeni u buzëqeshi Servetit e Shpresimit, të cilët po e prisnin gjithashtu të buzëqeshur.
— Të shkuara Shkëlzen! A vuajte shumë?
— Ç’është ajo fjalë, bre! Ky ishte një muaj pushimi për mua, pa minierë e pa turne pune.
Ata u përqafuan me njëri-tjetrin. Pastaj Shkëlzeni shkoi drejt në dush, se ishte dita dhe ora që laheshin të burgosurit e papunë. Megjithëse mbyteshin në djersë gjithë ditën dhe pluhuri i birucës u ngjitej në kokë e në trup, të burgosurit e izoluar nuk lejoheshin të bënin banjë.
Mandej ata shkuan të tre në kuzhinën private. Shkëlzeni përfitoi nga rasti t’i falënderonte edhe një herë për interesimin që kishin treguar e po tregonin për të. Serveti dhe Shpresimi, si dy vëllezër të mirë, kujdeseshin që Shkëlzeni të hante më tepër se ata. Me këtë qëllim, ia veçuan thelat e tij.
Pas bukës pinë kafe. Shkëlzeni nuk përpiqej ta fshihte kënaqësinë që ndiente prej ngrohtësisë së komunikimit me Shpresimin dhe Servetin.
— E ndieja veten si midis jush, sa herë më jepte tellalli paketën e cigareve me emrat tuaj të shkruar mbi të. Mos jua shpërblefsha në të njëjtën mënyrë. E quaj fat të madh që ju pata pranë në këto kushte të vështira.
— Ti i ke përballuar e po i përballon i vetëm hallet e tua. Ndihma jonë është simbolike. Tekefundit ti do të bëje edhe pa paketën tonë, i tha me modesti Serveti.
— Pa paketën unë do të bëja vërtet, por pa ju do të ndihesha si në birucë edhe këtu. Ju e keni vënë re vetë se, përveç jush, mua nuk më afrohet tjetërkush. E mësuat në ç’mënyrë përfundova në birucë?
— Na tha diçka tellalli. Të kishin çuar dy-tri ditë në Tiranë dhe, sapo je kthyer prej andej, të kanë izoluar.
— Me një motivacion qesharak.
— Ato janë formalitete të parëndësishme. Ti e di vetë arsyen e vërtetë, si edhe ata që kanë urdhëruar. Qoftë herë e fundit që të bien në qafë!
— E vështirë do të jetë.
Atë çast hyri në kuzhinën private tellalli i kampit, i cili iu drejtua gjithë të pranishmëve:
— Vëllezër bashkëvuajtës! Këtë herë nuk po ju shqetësoj për t’ju transmetuar ndonjë urdhër të komandës, apo për t’ju kujtuar orarin e ndonjë veprimi të parashikuar nga rregullorja e kampit. Një bashkëvuajtësi jonë sapo ka ndërruar jetë. Është në nderin tonë të rreshtohemi për t’i dhënë lamtumirën e fundit tani që do ta nxjerrin nga infermieria. Ju faleminderit.
Të burgosurit e lanë kafen në mes dhe u rreshtuan përgjatë oborrit.
Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t
Comments (0 posted)
Post your comment