* * *
— Ai ishte djalë i bukur e i shëndetshëm dhe nuk do të kishte qenë nevoja të katandisej në këtë gjendje, po të hiqte vullnetarisht maskën dhe të nxirrte fytyrën e vërtetë, atë të agjentit të UDBsë.
Agim Hamiti
Heshtja e Shkëlzenit gjatë nëntë ditëve të torturës së gjumit e egërsoi edhe më tepër hetuesin e tij egërsirë prej natyre.
Një kardiolog po e vizitonte të pandehurin, kur hetuesi iu hakërrua gjithë mllef:
— E kuptove tani që nuk mund të mbulohet dot dielli me shoshë? I nxore dhëmbët, se kush je në të vërtet: një këlysh i UDBsë, i stërvitur e i betuar që t’iu qëndrosh besnik deri në fund padronëve të tu. Ti nuk je i pari që na vjen gjoja si i përndjekur prej UDBsë dhe na del shërbëtor i saj i devotshëm. I nderove instruktorët që të kanë stërvitur të përballosh torturat por, mos harro, se të kam thënë që ky ishte vetëm hapi i parë drejt … asaj që ke kërkuar. Hetuesia jonë është valle e gjatë dhe unë do të të bëj që të harrosh edhe emrin
tënd e jo më instruksionet e UDBsë. Nesër mbrëma do të fillojmë një melodi tjetër, e cila do të të detyrojë të heqësh dorë prej kokëfortësisë.
*
Në mesnatën e ditës tjetër Shkëlzeni, i telikosur prej torturës së gjumit, u përball me ndëshkime fizike të tjera. Dy persona me maska e godisnin me radhë në pjesët më delikate të trupit, duke i krijuar shumë dhimbje. Herë pas here ai humbiste ndjenjat dhe ata i hidhnin ujë të ftohtë në kokë e në trup, për ta përmendur. Më tej, gjithçka niste nga e para. Kur i pandehuri vonohej për tu përmendur, ata shtypnin një buton dhe shpejt aty paraqitej një mjek, i cili i bënte injeksion të alivanosurit. Kjo vazhdonte deri ndaj të gdhirë dhe u përsërit dhjetë ditë me radhë.
Gjendja shëndetësore e Shkëlzenit u rëndua shumë. Mjeku i hetuesisë speciale deklaroi se ai mund të vdiste papritur, nëse nuk do të trajtohej disa ditë në spital. Trupi i tij ishte shkrehur krejt, ai kishte humbur shumë peshë dhe nuk kishte më fuqi as për tu zvarritur këmbadoras. Herë-herë urinonte gjak, kishte aritmi të zemrës dhe rënie të ndjeshme të tensionit të gjakut. Dy dhëmbët e parë të sipërm ia kishin thyer, ndërsa kërcinjtë e këmbëve dhe krahët i kishte gjithë dregëza.
Hetuesi pranoi t’i ndërpriteshin seancat e dhunës fizike dhe t’i bëhej një trajtim i shkurtër mjekësor në qeli, por jo për ta shtruar në spital.
— Ai ishte djalë i bukur e i shëndetshëm dhe nuk do të kishte qenë nevoja të katandisej në këtë gjendje, po të hiqte vullnetarisht maskën dhe të nxirrte fytyrën e vërtetë, atë të agjentit të UDBsë. Për sa kohë që ai do t’iu qëndrojë besnik atyre, ne nuk do ta vrasim mendjen për gjendjen e tij shëndetësore; mjafton të jetë me frymë brenda, kaq. Jetën nuk ia marrim dot pa vendim gjyqi, shëndetin po. Duke i ndërprerë dhunën fizike, po i bëjmë një nder që ai nuk e meriton. T’i jepen vetëm disa barna në dhomën e izolimit, asgjë më tepër.
*
Shkëlzeni dergjej i shtrirë në qeli, ku mjeku shkonte dy herë në ditë për ta vizituar. Ai nuk ankohej për dhimbjet e shumta që e kishin mposhtur fizikisht dhe as i kushtonte vëmendje mjekut gjatë vizitës. Me sjelljen e tij indiferente, djaloshi krijonte përshtypjen e një njeriu që e kishte humbur interesin për jetën dhe çdo gjë i dukej e huaj, pa lidhje me të.
Kohët e fundit jeta e tij ishte rrokullisur në një rrëpirë të pingultë të fatit dhe tronditja e thellë e kishte nxjerrë jashtë realitetit. Ai nuk arrinte të kuptonte ç’kishin me të, pse po bënin të pamundurën të vetëdeklarohej e kundërta e asaj që ishte. Pse donin t’ia tjetërsonin personalitetin në mënyrën më të shëmtuar? Kujt i interesonte që një armik i UDBsë të dënohej si agjent i saj? E ku, më tepër sesa në Shqipëri, ai duhej të ndihej i mbrojtur prej armiqve shekullorë të atdheut amë?
Mirëpo pikërisht në Shqipëri atij po i ndodhte më e pabesueshmja e
fatkeqësive poshtëruese. Kjo i kujtoi thënien proverbiale të Qezarit të madh: «Dhe ti, Brut, biri im?». Pas kësaj thirrjeje të dhimbshme, perandori më krenar i të gjitha kohërave e kishte quajtur të pakuptimtë vetëmbrojtjen ndaj komplotistëve.
«Dhe ti, Shqipëria amë?», thirri Shkëlzeni, duke e parë veten të katandisej në pikë të hallit prej shqipfolësve të tjerë.
Pas kësaj thirrjeje, talenti i ri kosovar po neglizhonte edhe dy gjërat më të rëndësishme në jetë: shëndetin dhe të ardhmen. Megjithatë dashuria për jetën i kishte rrënjët më thellë, nga ç’mendonte Shkëlzeni, në organizmin e tij të ri.
Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t
Comments (0 posted)
Post your comment