Fugë e vdekjes (1945) - Todesfuge
Një njeri banon në shtëpi ai luan me gjarpërinjtë e tij ai shkruan ai shkruan kur do të bëjë terr në Gjermani Margaretë flokët e tu të artë...
Përkthyer nga Urim Nerguti
Qumështin e zi të agimit ne e pijmë në mbrëmje
e pijmë në mesditë dhe në mëngjes e pijmë natën
e pijmë dhe pijmë
ne gërmojmë në qiell një varr ku s’është aq ngushtë
Një njeri banon në shtëpi luan me gjarpërinjtë shkruan
shkruan kur do të bëjë terr në Gjermani Margaretë flokët e tu të artë
shkruan këto fjalë del tek pragu dhe yjet rrëqethen
iu vërshellen qenve të tij të mëdhenj
iu vërshellen çifutëve të tij të dalin dhe të gërmojnë në tokë një varr
e na urdhëron ecni luani që të kërcejmë
Qumësht të zi të agimit ne të pijmë ty natën
të pijmë në mëngjes pastaj në mesditë të pijmë në mbrëmje
ne pijmë dhe pijmë
Një njeri banon në shtëpi luan me gjarpërinjtë shkruan
shkruan kur do të bëjë terr në Gjermani Margaretë flokët e tu të artë
Flokët e tu të hirtë Sulamith ne gërmojmë në qiell
një varr ku s’është aq ngushtë
Dhe çirret ngulini më thellë kazmat në tokë e ju të tjerët këndoni e luani
e mbërthen hekurin në brez e vringëllon sytë e tij janë blu
ngulini më thellë kazmat ju të tjerët dhe ju luani luani për të kërcyer
Qumësht të zi të agimit ne të pijmë natën
të pijmë në mesditë dhe në mëngjes të pijmë në mbrëmje
ne pijmë dhe pijmë
një njeri banon në shtëpi Margaretë flokët e tu të artë
flokët e tu të hirtë Sulamith ai luan me gjarpërinjtë e tij
Dhe çirret luajeni më ëmbël vdekjen vdekja është një zot i Gjermanisë
çirret më të zymta harqet dhe tymi juaj do të ngjitet drejt qiellit
e ju do të keni atëherë një varr në re ku s’është aq ngushtë
Qumësht të zi të agimit ne të pijmë natën
të pijmë në mesditë vdekja është një zot i Gjermanisë
të pijmë në mbrëmje dhe në mëngjes ne të pijmë dhe të pijmë
vdekja është një zot i Gjermanisë syri i saj është blu
ai merr shenjë qëllon mbi ty një plumb nuk të shkon huq
një njeri banon në shtëpi Margaretë flokët e tu të artë
e ai ndërsen qentë e tij të mëdhenj mbi ne na ofron një varr në qiell
luan me gjarpërinjtë dhe ëndërron vdekja është një zot i Gjermanisë
flokët e tu të artë Margaretë
flokët e tu të hirtë Sulamith
PAUL CELAN (1920-1970)
Comments (0 posted)
Post your comment