Drenusha dhe Pjergulla
- Po largohen, ja po largohen - murmurit lehtë pjergulla, e kënaqur që e shpëtoi drenushën e gjorë nga vdekja e sigurt.
Nonda Bulka
Një hardhi e lartë me fletë të gjera dhe plot me kopanë rrushi, që shkëlqen si ar, vuri re një drenushë me brirë të gjatë që po kalonte me vrap aty pranë.
- Ja një drenushë e mjerë - tha pjergulla me vete - qe s’di nga t'ia mbajë; po e ndjekin qentë, të gjorën! Sikur te kthente kokën këtej nga unë do ta pështillja me fletët e mia dhe do ta fshihja nga sytë e armiqve.
S'kaloi shumë kohë kur drenusha, sipas zakonit që ka për të humbur gjurmët e ndjekësve, u kthye përsëri nga rruga që kish bërë dhe kështu pjergulla zemërgjere pati kohë sa t’i thotë:
- Futu shpejt nën fletët e mia që të shpëtosh!
Drenusha i dëgjoi fërfëllimet pjergullës dhe pa humbur kohë u struk nën fletët e gjëra, pa bërë as më të voglën lëvizje. Qentë kaluan disa herë me radhë aty pranë, u kthyen përsëri, po s'munden ta gjejnë. Ndofta era që frynte nga ana e kundërt ose kundërmimi i fortë i luleve bënë që qentë mos e ndjenin erën e drenushës dhe të mos e zbulonin dot.
- Po largohen, ja po largohen - murmurit lehtë pjergulla, e kënaqur që e shpëtoi drenushën e gjorë nga vdekja e sigurt.
Drenusha zgjati kokën përmes fletëve dhe vuri re se qentë dhe gjahtari ishin larguar mjaft.
Po a e dini ç'bëri atëherë drenusha? Ajo e harroi shumë shpejt të mirën që i kish bërë pjergulla dhe pa pikë turpi nisi të hajë njërën pas tjetrës fletët e pjergullës që e kishte shpëtuar nga rreziku.
Pjergulla u ankua për këtë mosmirënjohje dhe për sjelljet e këqija të drenushës; po ajo as që çante kokën fare dhe bënte sikur s'i dëgjonte ankimet e mirëbërëses.
Kur u ngop mirë e mirë dhe e la pjergullën gati lakuriq, pa fletë doli jashtë. Në atë kohë gjahtarët dhe qentë po ktheheshin përsëri. Ata e panë e i lëshuan qentë, të cilët e kapen, e shqyen dhe e bënë copë-copë.
Duke lëshuar lot hidhërimi për të keqen që e gjeti, mbasi mbeti pa rroba, pjergulla kur e pa drenushën të copëtuar, tha me anën e fletëve të pakta që fërfëllinin:
- Atje ku ha bukën mos përmbys kupën, se mund ta pësosh keq moj drenushë...
Comments (0 posted)
Post your comment