Home | Literature | "Enigma e një brenge" (Fragment)

"Enigma e një brenge" (Fragment)

image
Të burgosurit e nisën punën në minierë me një ndjenjë pasigurie të përgjithshme. Ata mendonin se në brendësi të tokës do të mohoheshin plotësisht prej shoqërisë njerëzore, gjersa në sipërfaqe ishin mohuar pjesërisht prej saj. 

 

 

 

 

Agim Hamiti

 

 

 

 

 

Në mesditë autokolona mbërriti në Spaç. Kamionët u futën një e nga një brenda portës së rëndë prej hekuri. Të parët zbrisnin policët. Këta hapnin spondin e fundit të karrocerisë së kamionit dhe i zbrisnin të burgosurit të lidhur dy e nga dy me zinxhir. Atyre u zgjidheshin duart në mes të një kuadrati ushtarësh e policësh. Pasi kishin zbritur të gjithë, në kamion hipnin dy ushtarë, të cilët i flaknin në tokë rrobat e fjetjes të të burgosurve. Këta duhej të gjenin secili të vetat. Çantat e veshmbathjes e të ushqimeve ndodheshin në dy kamionët e fundit. Të burgosurit do t’i merrnin ato vetëm pasi të kishin rregulluar dyshekët dhe batanijet nëpër dhomat e fjetjes.
Të treqind e nëntëdhjetë të burgosurit e ardhur u vendosën nëpër dhomat e katit të dytë e të tretë të pallatit që po strehonte bujtësit e parë të Spaçit. Sistemimi i tyre përfundimtar do të bëhej kur të shpërndaheshin nëpër dhomat e fjetjes, sipas brigadave dhe turneve të punës në minierë. Shpresimi dhe Serveti i vendosën në të njëjtën dhomë dyshekët, pranë njëri-tjetrit.
*
Komanda e kampit të Spaçit nuk vonoi të përpilonte organikën e punës së detyruar në minierë të të burgosurve. Drejtoria e Kampe-Burgjeve kishte fituar
mjaft përvojë në shfrytëzimin e pamëshirshëm të kontingjenteve pa mbarim të armiqve të popullit për tharje kënetash, ndërtime fabrikash, uzinash, aerodromesh e qytezash industriale. Djersa e pashpërblyer e tyre ishte derdhur prej dekadash në dobi të shfrytëzuesve.
Prej të burgosurve të ardhur nga kampi i Repsit 13 persona ishin të pajisur me raport mjekësor për të mos punuar në minierë, ndërsa 16 të tjerë ishin të kaluar në moshë. Prej numrit të mbetur, komanda caktoi të burgosurit që do të përbënin prapavijën e kampit, ose Zyrën Teknike, si dhe brigadierët e dënuar e përgatitësit e trupave të drurit për mirëmbajtjen e galerive. Të tjerët i ndau në nëntë brigada që do të punonin me tre turne në tri zona të ndryshme të minierës.
Emri i Shpresimit nuk u përfshi në listat e punës për shkak të raportit mjekësor, pas operacionit në kokë. Gjithashtu edhe emri i Servetit, i cili ishte dy vjet më i moshuar nga sa duhej për të punuar në minierë. Kjo u krijoi mundësinë për të qenë përsëri bashkë në një dhomë fjetjeje tjetër, ku u sistemuan personat e papunë.
Shpresimi kishte heshtur muaj të tërë, ishte ndrydhur në vetvete dhe ndiente një lehtësim shpirtëror duke folur lirshëm me ish-mësuesin e tij. Një lehtësim të tillë ai e kishte provuar vetëm në bisedat me doktor Terollin gjatë javës së mynxyrshme, kur kishte humbur njëkohësisht të dy prindërit.
*
Të burgosurit e nisën punën në minierë me një ndjenjë pasigurie të përgjithshme. Ata mendonin se në brendësi të tokës do të mohoheshin plotësisht prej shoqërisë njerëzore, gjersa në sipërfaqe ishin mohuar pjesërisht prej saj. Edhe përshëndetja e zakonshme dalsh shëndoshë! kur ndaheshin prej njëri-tjetrit në kryqëzimet nëntokësore, ishte një shenjë pasigurie për jetën. Prej andej ata mund të dilnin të gjymtuar, ose edhe mund të mos dilnin kurrë. Pse, çfarë mëkati kishin bërë?
Pikërisht në këtë pyetje të thjeshtë qëndronte gjithë drama e këtyre jetëve të pajetuara. Ata ishin dënuar pa bërë asgjë të keqe, vetëm pse nuk donin atë që i urrente e i luftonte pa shkak, pa të drejtë. Sa më e pafajshme të jetë viktima, aq më i pamëshirshëm tregohet agresori. Ky e quan rreptësinë e ndëshkimit si një provë për fajësinë imagjinare të të pafajshmit të dënuar padrejtësisht. Ndërgjegjja e zhytur në krim e humbet censin e masës dhe çdo tejkalim i saj i duket një përligjje e të mëparshmes.
Me urdhër nga lart, policia e Spaçit përdori dhunë masive për t’i detyruar të burgosurit t’i nënshtroheshin punës së rëndë të minierës. Brenda një jave birucat u mbushën plot me të burgosur që nuk pranonin të hynin në minierë. Sa herë që hapeshin dyert e tyre, një skuadër policësh i torturonte ata në korridorin e qelive. Vetëm gjatë natës kjo ndodhte tri herë.
Përballë dhunës së papërgjegjshme në rritje, të burgosurit u detyruan të hynin në minierë, me shpresë se Zoti do të ndodhej një herë i ngeshëm për të
dëgjuar lutjet e tyre të përditshme. I munduri i përhershëm i lutet edhe një Zoti që s’e ndihmon, mbasi ai ka nevojë për aleancë imagjinare në një botë që e ka mohuar.
45
Shkëlzeni e gjeti kampin e ri të Spaçit në valën e nxehtë të përplasjes së policisë me të burgosurit që ngurronin të fillonin punën në minierë. Ai vetë ishte shumë i munduar nga dhuna e pësuar në hetuesi dhe donte t’i evitonte ndëshkimet suplementare fizike të policisë agresive të Spaçit, e cila po jepte provat e para të partishmërisë së saj.
Qysh të nesërmen Shkëlzenin e caktuan minator në një brigadë që atë javë shkonte në punë turni i dytë. Minatori ishte përgjegjësi i grupit të punës prej tre vetash. Ata duhej të hiqnin me vagonë materialin e krijuar prej plasjes së minave nga turni paraardhës dhe ta shkarkonin në furnel. Pastaj duhej të vendosnin jo më pak se dy palë trupa druri ose betoni për mirëmbajtjen e galerisë dhe dy orët e fundit të turnit minatori duhej të bënte birat me martel. Këto mbusheshin me dinamit prej zjarrmëtarëve të lirë në fund të tetorëshit dhe bëhej plasja për përgatitjen e materialit të turnit pasardhës. Ky quhej cikli i punës së detyruar në gjuhën teknike të shfrytëzimit të minierës me të burgosur.
Grupi i punës, që nuk e kapte ciklin ditor, në fund të tetorëshit ndëshkohej fizikisht nga policia. Zjarrmëtarët kishin urdhër të mos i mbushnin birat me dinamit, nëse nuk ishin një metër të thella. Ky rregull siguronte një volum të madh pune për çdo turn. Kur zjarrmëtari nuk e bënte plasjen në një front pune me sebepin se birat nuk ishin një metër të thella, grupin e punës e priste ndëshkimi policor. Në mjaft raste zjarrmëtarët porositeshin prej policëve, për ta lënë enkas pa bërë plasjen tek fronti i punë së ndonjë minatori që kishin urdhër
ta ndëshkonin patjetër.
Pozicioni i minatorit, si përgjegjës i grupit të punës, kishte dy të këqija të mëdha. Ai bënte punën më të rëndë e më me rrezik në minierë, duke shpuar bira në shkëmb me martel në galeri horizontale apo vertikale. Tronditjet e mëdha të martelit, i cili funksiononte me ajër me presion disa atmosferësh, rrëzonin copa shkëmbinjsh gjysmë të shkëputur ose ortekë dheu gati për rrëshqitje. Minatori ishte viktima e parë në minierë.
Përveç kësaj, ai përgjigjej për ciklin e punës. Edhe sikur ndonjëri prej bashkëvuajtësve të tij të grupit të ishte i dobët fizikisht, i sëmurë, ose nuk donte të punonte, minatori ishte i pari që do të ndëshkohej fizikisht nga policia në fund të turnit, sado shumë që të kishte punuar ai vetë. Synimi i policisë në këtë rast ishte që ta detyronte minatorin të raportonte bashkëvuajtësin si shkaktar të moskapjes së ciklit të punës, ose të ndeshej direkt me të. Për këtë arsye, vetë komanda e kampit e quante një formë ridënimi caktimin e një të burgosuri minator në organikën e punës. Zakonisht piketimi i këtyre personave bëhej në bazë të përshtypjeve që përcilleshin për ta prej hetuesive të rretheve përkatës në dokumentacionin e dosjes penale. Minatorëve të veçantë, të cilët komanda e kampit kishte planifikuar t’i ndëshkonte, u caktoheshin për ortakë pune persona të sëmurë, të dobët fizikisht, ose që bashkëpunonin me komandën. Këta të fundit porositeshin ta pengonin kastile realizimin e ciklit të detyruar të punës. Gjithashtu minatorëve të padëshiruar të komandës së kampit u caktoheshin fronte pune shumë të vështirë në minierë.
Njëri prej këtyre minatorëve ishte Shkëlzen Grami.

 

 

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE"

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00